Aty u ngujua Pjeter Arbnori ne greven vetflijuese te urise!!! Dhe historia perseritet

Në në vjeshtën e vitit 1997, dritarja ngjitur me këtë të sotmen që shihni në foto i përkiste zyrës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Në atë zyrë, një lloj furriku 3×3 të caktuar nga Skënder Gjinushi për deputetët e PD, u ngujua Pjetër Arbnori në një grevë vetëflijuese, për më shumë se 3 javë, përballë sulmit anti-opozitë të “PARTISË” dhe shurdhërisë së trupit diplomatik të akredituar në Tiranë dhe veçanërisht të prezencës së OSBE-së.

Arsyeja ishte spastrimi politik, i kundraligjshëm, brutal, i personelit dhe drejtuesve të Televizionit Publik Shqiptar, të vetmit ekran përmes të cilit mund të komunikoje me shqiptarët në atë kohë.

Legjenda e burgjeve komuniste të Evropës, Pjetër Arbnori, ashtu në heshtje, në një mbrëmje të lagësht, të ftohtë vjeshte, hyri në zyrën e Grupit Parlamentar dhe telefonoi Sali Berishën:

– Unë po filloj një grevë urie në zyrën tonë në Kuvend… e kam ba edhe herë të tjera në burg… shumë herë… Nuk dal prej këtu pa u rivendos paprekshmëria e fjalës së lirë… e kam vendos…
– Alo Pjetër… Pjetër…
– pip…pip…pip… – telefoni u mbyll në anën tjetër…

Axhitimi në selinë e PD mori shkallët, duke nisur nga zyra e Sali Berishës në ekstremin e korridorit të katit të dytë e deri në oborr, ku qëndronin disa dhjetra militantë e drejtues të degës së Tiranës që sapo kishin përfunduar një mbledhje.
Sali Berisha e deputetët dolën nxitimthi nga selia dhe u drejtuan drejt makinave duke çarë përmes pyetjeve “ça ka?”, “ça ka bo vaki?”.

Dikush u përgjigj në errësirë “Pjetri! Ka hy në grevë urie, po shkojmë atje…”
“Pjetri? Pjetri jonë? Arbnori? Ku? Në ça vendi…

Zhurma e gazit të makinave dhe përplasja e dyerve me nxitim mbyti përgjigjet, por dikush tha “tek kryesia”.
– Kryesia? Kush kryesi?
– Ke Komtiteti Qendror mor burrë…- bërtiti dikush me nervozizëm.

Mes ofshamave, mallkimeve e sharjeve për “PARTINË”, turma e vogël u nis me shpejtësi drejt Kryesisë së Kuvendit, rreth së cilës po afroheshin ngadalë makina policie dhe civilësh të shërbimit sekret, të cilat dalloheshin nga perdet ngjyrë gri në xhamat e pasëm të kabinës, një shenjë dalluese jozyrtare kjo, e “Degës së Brendshme” të kohës së komunizmit, kthyer me urgjencë si shumë shenja të tjera, ditën që oficerët e Sigurimit u futën sërish në zyrat e shtetit.

Sali Berisha dhe deputetët e PD, dolën pas një kohe që m’u duk pafundësi.
Dolën kokëulur, me fytyra të tensionuara nga dëshpërimi dhe, tek bisedonte me Tritan Shehun kuptova se shqetësimi i tyre ishte mjekësor.
“Nuk e përballon dot Pjetri, duhet ndal..”
“Nuk pranon, ti e pe vetë…”
“Ahhhh… e pashë mor e pashë…”

Kaq munda të dëgjoj në atë errësirë të lagësht, të ftohtë, ku pas kangjellave të ish- vilës së Mehmet Shehut, mes ligustrave, fëshfërinin hije që zbrisnin nga makinat me perde gri …

Makbethiane!
Një burrë i vogël nga shtati, i heshtur nga natyra, i ngadaltë për shkak të mençurisë që të krijon një jetë vuajtjesh në burgje, sfidon pushtetin absolut pikërisht në momentin më të pamundur, kur dukej i pasfidueshëm…

Ngujuar në një kthinë, bash në zemër të selisë historike të anti-lirisë, anti-njerëzores, e për me tepër, mu përballë “kështjellës së Makbethit”- varianti shqiptar, ai burrë i pakët, i vetëm, më zbuloi lakuriq pafuqinë, frikën e regjimit, si një gjigand, vigan i paprekshëm!!

Për më shumë se tre javë e lanë të dergjej aty, pa e takuar, në përpjekje për ta injoruar e me porosinë “nuk përbën lajm….”

Trupi diplomatik gjithashtu bënte sikur “asgjë nuk ka ndodhur”, përfshi prezencën e OSBE në Tiranë.

U desh, që Pjetër Arbnori, “Mandela” i Evropës, në përballjen e tij për fjalën e lirë përballë të njëjtëve individë që i morën jetën nëpër burgje, të fillonte edhe grevën e ujit, pas disa javësh në grevën e urisë…
Vetëm në atë moment, Dan Everts, një ish-marksist-leninist skandinav, emëruar në Tiranë si ambasador i OSBE, shkoi ta takonte dhe të njihte zyrtarisht faktin se pushteti po shkelte ligjin brutalisht, haptazi, për të mos i lejuar opozitës asnjë akses në të vetmin ekran televiziv të Shqipërisë.

Në Tiranë ato ditë, ulej zëri nëpër kafene kur binte fjala për ngujimin e Pjetër Arbnorit, e nën zë flitej se “e ka nda kët punë Amerika”, “nuk qet gjo Pjetri shkretë… po e bojn me leje kët punë, kta horra…”.

Pas disa javësh, me insistimin e Tritan Shehut, Pjetër Arbnorin e nxorën nga ajo zyrë-llogore, gati me dhunë, me një ambulancë që u nis me urgjencë drejt spitalit, duke marrë me vete gati-qartësinë se Pjetër Abnori nuk do i mbijetonte betejës së tij më të fundme për lirinë e fjalës dhe ekzistencën e opozitës në Shqipëri;
Se Pjetri nuk do e merrte vesh që kishte fituar, që kishte gjunjëzuar regjimin e Sigurimit së bashku me “mbështetjen diplomatike”, por edhe demagogët e kafeneve që i analizonin koeficientin e humbjes… I VETËM!

Për shumë kohë pas kësaj beteje, Pjetër Abnori ishte një kufomë që ecte, por ishte më i gjallë se kufoma e regjimit të vdekjes, që zvarritej e mbijetonte duke vrarë deputetë të opozitës në derën e selisë, duke trafikuar drogë e afganë me skafe që niseshin nga policia në plazhin publik të Vlorës, duke nxjerrë tanket e blindat për të rrethuar qendrat e votimit, e më tej duke shqyer kutitë për të zëvendësuar votat e pafundme kundër…

Zgjati 8 vjet pas kësaj, aq sa iu desh njerëzve të lirë  të bashkoheshin e ta luftonin atë betejë të detyrueshme, që mbetet aty edhe nëse përpiesh ta injorosh…

Pjetër Arbnori e pa edhe shembjen e tij nga vota e shqiptarëve, e cila më në fund u numërua, dhe shembi sërish atë ngrehinë frike, ngritur rreth “bllokut”, kësaj “kështjelle Makbethiane” që ende vret lirinë.

Vazhdon dhe e vret edhe për faktin se pakkush e mban mend se nisi prej Pjetër Arbnorit-simbol si qëndrestar, simbol edhe si përfaqësues i njerëzve të lirë, që dëshmoi se çdo regjim duket i pathyeshëm deri 1 minutë para se të shembet prej bashkimit të njerëzve të lirë…

Prandaj përsëritet, e përsëritet, e ….përsëritet…

Aty u ngujua Pjeter Arbnori ne greven vetflijuese te urise!!! Dhe historia perseritet

Raporti KLSH/ Skandali i ri me Sterilizimin

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko