Në të njëjtën ditë që delegacioni i zgjeruar i SPAK po përfundonte një vizitë në SHBA, e cila u shoqërua çdo çast nga postimet pompoze të ambasadës amerikane në Tiranë, shumë kilometra larg nga Uashingtoni ndodhi një ngjarje e çuditshme. Kryeministri Rama gjendej në një takim me militantët e partisë së tij në Fier. Dhe prej aty lëshoi një frazë të çuditshme: “Reformën në drejtësi nuk e ka bërë Amerika, por Partia Socialiste” tha ai. Kjo batutë, e pafajshme në dukje, binte në kundërshtim me predikimet gati dhjetë vjeçare. Së pari, autoporlantët mediatikë të rilindjes nuk lënë arenë të debatit publik pa thënë me nënqeshje se vendimet për këtë drejtësi merren nga përtej oqeanit. Së dyti, vetë kryeministri mbahet mend për deklaratat se ai i thoshte po dhe firmoste mbi fletë të bardhë për projektet që i sillnin partnerët për reformën.
Pra në këtë kuptim, shprehja “reformën nuk e ka bërë Amerika” ishte 180 gradë në kundërshtim me politikën e deritanishme të kësaj qeverisjeje.
Ajo që mund ta shpjegojë këtë kthesë është vizita e delegacionit të SPAK në ShBA. Për nga pesha dhe rëndësia që mori në Uashington ajo mund të konsiderohet si e nivelit më të lartë që i është bërë zyrtarëve nga Shqipëria. Ajo merr një theks të veçantë sidomos po të mendohet se kur ishte në New York për Këshillin e Sigurimit të OKB kryeministri nuk pati asnjë takim dinjitoz. Ndonëse u sforcua të bëjë cirk kundër ambasadorit rus, ai nuk pati rastin t’i japë as dorën sekretarit të shtetit Blinken, e jo më të synonte për më lart. Burime të Lapsi.al e lidhin këtë ftohtësi me përfshirjen e emrit të Ramës në aferën McGonigal gjë për të cilën kanë raportuar mediat më të mëdha amerikane. Dhe pikërisht për këtë çështje SPAK në Tiranë ka filluar të marrë në pyetje njerëz. Një burim i tha Lapsit se përveçse ka marrë në vetë të parë një raport për ata ç’ka Dorian Duçka ka thënë para prokurorëve për vizitat e MCGonigal në Tiranë dhe lobimin në FBi për të hetuar opozitën, dy emisarë të kryeministrit janë interesuar specifikisht në Prokurorin e Posaçme se cilat kanë qenë deponimet e Duçkës.
Ndoshta pikërisht meraku se mos në Uashington jepet urdhër për thellimin e hetimit të kësaj dosjeje, e ka detyruar kryeministrin të kërkojë të ketë të infiltruar të tij në takimet e prokurorëve me autoritetet amerikane. Lapsi.al mësoi se Ambasadori i Shqipërisë Ervin Bushati është urdhëruar ti shkojë nga pas në takime prokurorëve. Ai e ka përcjellë këtë kërkesë me insistim tek zyrtarët vendas, por kërkesa i është refuzuar. Amerikanët nuk kanë dashur që një përfaqësues i qeverisë të “përgjojë” takimet e tyre me spakistët dhe me mirësjellje janë pergjigjur se do e dergojnë delagacionin për një vizitë në ambasadë.
Vetëm pasi ka marrë këto sinjale Edi Rama lëshoi nga Fieri mesazhin se reformën nuk e bëri SHBA por PS. Ai është i ngjashëm me atë që bëri kur po lobonte kundër zgjedhjes së Dumanit, kur jepte mesazhin “Na dëgjoni ne, se Yuri Kim do largohet”.
Natyrisht këto detaje nuk tregojnë se kryeministri nuk e ka më nën kontroll drejtësinë. Provat për këtë janë të shumta. Por vizita e prokurorëve të SPAK në SHBA dëshmoi edhe njëherë se për influencën mbi ta po zhvillohet një betejë e fortë, ku amerikanët po kërkojnë të kenë ishujt e tyre të ndikimit. Pasi kanë humbur luftën ata po reken të fitojnë beteja të vogla./Lapsi