Policia italiane po heton për të gjurmuar vrasësin e 34 vjeçarit shqiptar Klaudio Myrtaj, i cili u ekzekutua me një plumb pistolete me silenciator në zdrukthtarinë ku punonte.
Ndërsa motivet e xhelozisë mbeten pista kryesore e vrasjes, hetuesit kanë mundur të ndërtojnë dhe skenën e vrasjes të ndihmuar edhe nga kamerat e sigurisë në një punishte zdrukthtarie në qendër të Vernante, një qendër turistike në zonën e Cuneos, pak km larg Limones.
Sipas hetimeve, shqiptari dyshohet të jetë ruajtur nga autori i ngjarjes. Pasi ky i fundit është afruar dhe e ka qëlluar me një plumb në kokë në kohën kur ishte vetëm. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar se pak para krimit nga zdrukthëtaria ka dalë pronari i saj.
Goditja ka qenë fatale për të riun, i cili ndonëse u dërgua me urgjencë drejt spitalit nuk mundi të mbijetojë.
Ishte vetë pronari i zdrukthtarisë ai që njoftoi policinë për ngjarjen pasi kur u kthye e gjeti të riun shqiptar të gjakosur. Deri më tani janë marrë dëshmitë e të gjithë personave me të cilët bashkëpunonte shqiptari si dhe të dashurës së tij.
Sipas mediave italiane puna në zdrukthtari ishte puna e dytë për shqiptarin me origjinë nga Vlora që jetonte në Itali prej dy vitesh. Ai rezultonte të ishte i regjistruar edhe në një kantier për ndërtimin e rrugëve./TCH