Nga Apollon Baçe
- Vite më parë një koleg gjerman më pyeti kush është për ty qyteti më i bukur antik. Ju përgjigja Butrinti, për çka më pyeti nga që është në Shqipëri ?. Përgjigja ime ishte jo vetëm, pasi në Butrint si rrallëherë natyra, monumentet dhe historia harmonizohen në një ansambël të papërsëritshme. Ku deti i ndërhyn steresë me meandra dhe miklime të pafund, ku e gjelbra e fushës ndan dhe puqet me të kaltrën e detit dhe grinë e pyllit. Ku dafinat përcjellin aromën e mitit të lashtë, klithmën e nimfave të liqenit për vdekjen e perëndisë Pan dhe pallatin virgjilian ku mbreti fisnik gostit miqtë me verë nga kupat e arta.
Butrinti shpalos historinë në gur të një qyteti që lindi në agun ilir, në kohën e bronzit, dhe vijon përtej Ali Pashës, ku ndjesia e rreptë e mureve të lartë me blloqe guri, zbutet nga teatri elegant që më tej i hap vend baptisterit më të madh të Mesdheut. Për këto cilësi UNESCO njofton se e shpalli Butrintin Trashëgimi Botërore “Për vlerat e Jashtëzakonshme Universale, të cilat i kapërcejnë kufijtë kombëtarë dhe kanë rëndësi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm të njerëzimit”. Duke e renditur krah siteve më me vlerë të botës, akropolit tëi Athinës, Pompeit, Mohenxho Daros.
Këto dhe janë vlerat e Butrintit, dikur qendër e ilirëve Kaonëve, sot mall tregu, PPP e huaj, e drejtuar nga përçmuesit e Shqiptarëve. Mes të tjerave argumenti bazë i Kryeministrit Rama për kthimin në PPP të shpirtit antik të kombit ishte “Parku i Butrintit do bëhet si themi ne, sepse ne dimë se çfarë bëjmë. Ju vazhdoni të flisni.” Pak a shumë “karvani leh, qentë ecin para”.
Duke u kthyer tek UNESKO-s tre pilastrat ku mbështetet menaxhimi i siteve trashëgimi botërore janë profesionalizmi, respekti për to dhe së fundi aspekti financiar. Po e nis me të.
- Në vigjilje të kthimit të Parkut Kombëtar të Butrintit në park privat, Ministrja e Kulturës Margariti deklaroj se “sistemi aktual i menaxhimit nuk garanton ruajtjen e vlerave. Kjo shtron nevojën e menjëhershme për burime të reja të financimit”. Sa i përgjigjet kjo realitetit?
Në vitin 2020 Butrinti pati 236 mijë vizitorë, çka për vlerën 10 $ të biletës së hyrjes përkthehet me një fitim prej 2.3 milion $. Prej tyre në Butrint u shpenzuan 120 mijë dollarë për rrogat dhe materialet, ndërsa pjesa tjetër prej 2 milion e 200 mijë $ nuk dihet se ku ka shkuar. kjo e rrëzon justifikimin e Margaritit për “nevojë imediate burimesh të reja financiare”. Sipas planit të menaxhimit të Fondit Shqiptaro Amerikan të Zhvillimit (AADF) në Butrint do investohen 7.5 milionë dollarë, 3 milion nga taksat e qytetarëve (5 euro për familje), dhe 4.5 nga AADF, jo menjëherë, por mëvonë, pasi të nisin fitimet.
Nga këto 40 %, 3 milion $, do shpenzohen për konservim dhe 60 % për ndërtime të reja (hotele, restorante, dhe diakoteka, emër ky që mungon në fjalorin e Websterit dhe unë e lexoj diskoteka). Rregullorja e rreptë e ICROM-it lejon vetëm konservimin: ngritje blloqesh të rrëzuar, shkulje bimësie, fare pak përforcime me llaç, çka bashkë me rrogat shkon e shumta në 150 mijë $. Ndërkohë çmimi i biletës dyfishohet, numri i vizitorëve pritet të shtohet në 50-60 % çka sjell rreth 8 milion dollarë/vit. Bashkë me 3 milionët e taksave të qytetarëve, kjo arrin në 11 milion $/vit. Ku do shkojnë paratë ? Pjesa e luanit për AAFD dhe për bordin mbikëqyrës dhe 140 mijë $ për bordin e menaxhimit.
- Aspekti i dytë që do prek është ai juridik Sipas nenit 4 të Konventës së Parisit për Trashëgimisë Botërore, të ratifikuar dhe nga Shqipëria, “detyra për mbrojtjen, konservimin, propagandimin dhe përcjelljen brezave e ardhshëm të trashëgimisë kulturore i takon ekskluzivisht shtetit palë”, ndërkohë sipas Kushtetutës së Shqipërisë, “marrëveshjet e ratifikuara ndërkombëtare kanë epërsi ndaj ligjeve”. Më veçant në dosjen e UNESCO-s për Butrintin shkruhet “Instituti Kombëtar i Monumenteve të Kulturës dhe Instituti i Arkeologjisë janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për kërkimet, gërmimet dhe konsolidimet e rrënojave arkitektonike”.
Në vitin 2017 ministrja Furxhi e kulturës, pas takimit me shefin ekzekutiv të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AAFD) u shpreh se “para nisjes së punës me Butrintin na duhet korniza ligjore”, dmth ndryshimi i ligjit pasi dispozitat në fuqi e ndalonin prerë administrimin e Butrintit nga privatët, veçanërisht të huaj. Sinkron me të, kryetari amerikan Granof i AAFD i tha Zërit të Amerikës “përvoja në Butrint na njohu me shumë problematika arkeologjike që kërkonin rishikimin e ligjit” ndërkohë që jam i bindur se zotin Granof nuk do ishte në gjendje të dallonte një poçe të periudhës së gurit nga vorbat e Farkës.
Në maj të vitit 2018 ligji ekzistues për “Për Trashëgiminë Kulturore” i vlerësuar nga ICROM-i si ligj model Europian, u flak për tu zëvendësua nga një ligj defiçent. Ligji në konflikt të pastër interesi u financua nga AAFD dhe u formulua nga juristja e ministrisë së kulturës, e cila sot si anëtare e bordit të Butrintit paguhet nga AADF-ja me një rrogë ministrore.
Krejt ndryshe nga ligji i mëparshëm i cili ndalonte administrimin e trashëgimisë kulturore nga persona privatë dhe kurrsesi të huaj, nenet e reja antikushtetuese të ligjit e lejojnë këtë. Sipas nenit 171 “Pasuritë kulturore publike mund të administrohen direkt ose indirekt edhe nëpërmjet fondacioneve të posaçme” dhe sipas nenit 172 “Administrimi i pasurive të trashëgimisë kulturore mund të kryhet nga persona fizikë ose juridikë privatë, vendas apo të huaj”. Shkurtimisht ligji u hartua nga AADF-ja për të përfituar AADF-ja. Ndonëse në konsultën e organizuar nga kuvendi tërë specialistët e fushës ishin kundër ligjit, ai u aprovua nga kuvendi. Si i tillë postulati i biblës “Zot fali se nuk dinë çfarë bëjnë”, duhet lexuar “Zot mos i fal se e dinë mirë çfarë po bëjnë”.
- Aspekti menaxherial Pas miratimit të ligjit të AAFD, ministria Furxhiu e ngarkoi AAFD që të përgatiste një plan të ri menaxhimi. Ndërkohë në vitin 2013 Instituti i Monumenteve nën drejtimin e, sekretarit të ICOMOs-it Giora Solar, kishte përfunduar projektin e detajuar, i cili parashikonte menaxhimin e Butrintit përmes forcimit të kapaciteteve dhe bashkërendimit të institucioneve shqiptare. Bazuar në njohjen nga afër si anëtar i ekipit dhe specializimin 5 vjeçar për këtë fushë në Gjermani e çmoj projektin si perfekt. Po citoj vlerësimet e Solarit, të njohur botërisht si specialisti nr. 1 i siteve arkologjikë : “Kam qenë drejtuesi i një ekipi që përbëhej nga shqiptarë. Kam rishikuar projektet dhe raportet e përgatitura nga ekspertët vendas, të cilët ishin tejet mbresëlënëse. Butrinti kishte më shumë se çdo sit tjetër në botë plane menaxheriale dhe misione UNESCO-ICOMOS. Problemi është se ato nuk u zbatuan kurrë.
Plani menaxherial i paguar nga AAFD ka një konflikt enorm interesi, pasi përfitues i tiji është pikërisht AAFD-ja. Ideja dhe sistemi janë dëshmi se qeveria nuk dëshiron të krijojë një mekanizëm kombëtar për ta ngarkuar me menaxhimin. Arritja në këtë pikë është rezultat i korrupsionit dhe axhendave politiko/ ekonomike që nuk kanë të bëjnë me përfitimin e popullit”. Etiketimi antiamerikanë dhe budallenj i atyre që i kundërvihen planit të AAFD-së, ndër ta unë dhe Solari, vërteton saktësinë e fjalëve të Solarit.
Për hartimin e planit menaxherial, AAFD i pagoi 250.000 sterlina kompanisë angleze “Prince and Pearce”. . Plani i hartuar nga dy autorë anglezë, pa asnjë pjesëmarrje të arkeologëve dhe restauratorëve shqiptarë, është projekti më i dobët dhe inkompetent që më kanë zënë sytë. Frazë e tij e parë është “qyteti grek i Butrintit” dhe i vetmi udhëzimi i vetëm teknik është përsëritja 67 herë me ngulm papagalli e frazës “largim i bimësisë së ulët, konsolidim i muraturës, pastrim i lidhjeve, injektim me llaç gëlqere”.
Pas miratimit të planit menaxherial , ministria Margariti miratoj me kontratë noteriale bordin e menaxhimit, përkundrejt një shpërblimit vjetor prej 20.000 $ për person në vit (përveç shpenzimeve si mbledhje bordi, udhëtime etj) Si kryetare të bordit të specialistëve të menaxhimit ministria Margariti caktoi veten e saj, jo si ministre por si Elva Margariti, që edhe po ti hiqet detyra e ministres emrin nuk ja nget kush. Bashkë me të caktoj juristen e ministrisë, hartuesen e ligjit të vitit 2018 që i hapi rrugë shndrimit të Parkut Kombëtar të Butrintit në PPP, 2 shefat ekzekutivë të AAFD dhe profesorin anglez Riçard Hoxhes bashkë me dishepullin shqiptar të pandehur për korrupsion.
Lidhur me Hodgesin kryeministri Rama hakërrehet “çfarë keni me Riçardin”, përkatësisht me këshilltarin e tij të dikurtë Richard Hodges, i cili kujtonte me nostalgji se “çfarë fati të madh pata që të bashkëpunoja me Edin”. Çfarë kam me Hodges-in. Ja hiç asgjë, diçka për shprehjen “Saranda, ky qytet i bukur grek që fuqitë e mëdha ja falën padrejtësisht Shqipërisë”, dhe për shprehjen “Epiri ishte diga që ndaloj përmbytjen e Greqisë nga barbaria Ilire”, ja dhe për ato leksionet që u jepte studentëve italianë “Shqipëria është një shtet artificial që u krijua nga fuqitë e mëdha në vitin 1923 pa pasur asnjë shqiptar”. Ndoshta ky dhe është shkaku pse e duan dhe e mbrojnë. Mua nga ana tjetër më vjen në mëndje paralajmërimi i vitit 84 të Orwellit “Ai që kontrollon të sotmen kontrollon të shkuarën, ai që kontrollon të shkuarën kontrollon të ardhmen”.