Marrëveshja e fshehtë e kryeministrit Edi Rama me homologen italiane Giorgia Meloni për sjelljen në Shqipëri të mijëra emigrantëve afrikanë ka shkaktuar jo pak reagime të ashpra.
Të shumtë janë qytetarët që publikisht në rrjetet sociale e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje, duke argumentuar se Shqipëria nuk duhet të shndërrohet në një kamp emigrantësh ilegalë për të lehtësuar shtetet e fuqishme evropiane.
Kjo është edhe “moto”-ja e protestës së paralajmëruar të mbahet në datën 9 nëntor, ditën e enjte përpara godinës së Kryeministrisë.
Shumë qytetarë kanë konfirmuar përmes rrjeteve sociale pjesëmarrjen, teksa shprehen se Shqipëria nuk i ka kapacitetet si dhe ka probleme shumë më të rënda, siç është shpopullimi masiv i vendit.
Sipas marrëveshjes deri në 3000 emigrantë nga Afrika, Lindja e Mesme dhe Azia do të vijnë në Shëngjin të Lezhës brenda një muaji. Ky numër mund të shkojë deri në 36 mijë brenda vitit tjetër.
Shqipëria nuk përfiton asgjë nga kjo marrëveshje, ndërsa kryeministri Rama deklaroi se vendi ynë “i ka borxh” Italisë.