Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet pas ndotjes së madhe të shkaktuar nga zjarri që ra në një pikë grumbullimi në ish-Kombinatin e Metalurgjikut në Elbasan.
Zjarri që vijoi për mbi 20 orë përfshiu mbetjet në pikën e skrapit të fabrikës “Kurum” duke shkrumbuar lëndë plastike, bateri makinash e lëndë të tjera toksike duke çliruar gazra të rrezikshme që mbuluan të gjithë qytetin.
Një grup hetimor i përbërë nga dy prokurorë dhe tre oficerë të policisë gjyqësore do të hetojnë tashmë për veprën penale “ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.
Njoftimi i Prokurorisë Elbasan:
Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka filluar hetimet kryesisht, duke regjistruar procedimin penal nr. 1309, datë 07.11.2023 për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujrave dhe e tokës” të parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal, pasi u mor dijeni në lidhje me ngjarjen e datës 06.11.2023 ku në një masiv me skrap të ndodhur në ambjentet e brendshme të ish Kombinatit Metalurgjik Elbasan, të administruara aktualisht nga shoqëria “Kurum”, ka rënë një zjarr me përmasa të mëdha që ka shkaktuar ndotje të madhe në mjedisin e zonave përreth dhe më gjerë në Bashkinë Elbasan.
Për hetimin e këtij procedimi penal është ngarkuar një grup hetimor i përbërë nga dy prokurorë dhe tre oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, të cilët në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Shtetit kanë kryer veprimet e para hetimore në kuadër të procedimit penal të sipërcituar, me qëllim zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes së ndodhur.