Qytetarët janë mbledhur sot në protestë para Ministrisë së Arsimit për dhunën e ushtruar ndaj 3-vjeçares në kopshtin privat “Stinët”.
Qytetarët bëjnë thirrje që edukatorja Majlinda Dehima, të arrestohet, pasi vogëlushja e cila përfundoi me këmbë të thyer.
“Kam ardhur këtu për të folur për atë fëmijën 3 vjec. Jam shumë e indinjuar dhe i bëj thirrje prokurorisë që ajo të mos rrijë jashtë, por të futet brenda. Një fëmijë 3 vjeç e të punojë për licencë, ku janë organet kompetente”, tha një qytetare.
Një tjetër qytetare kërkoi që të bëhen kontrolle në të gjithë vendin për kopshte t private
“Duhet patjetër kontroll dhe çerdhet private. Janë bërë si kërpudha. Skena të tmerrshme. Edukatoret nuk e dinë se çfarë kualifikimi kanë, i marrin dhe i sjellin aty. Mesazhi është mos t’i zërë gjumi natën. Ti gjejnë ku janë e ku s’janë”, tha një zonjë.
Pas publikimit të pamjeve ku shihet momenti kur vogëlushja thyen këmbën, ka reaguar policia duke proceduar penalisht pronari i kopshtit privat.
45-vjeçari D. Danushi, banues në Tiranë, akuzohet për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Ndërsa pak më parë, Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg për edukatoren, e cila akuzohet për veprën penale “keqtrajtim i të miturit”
Dëshmia e edukatores
Ngjarja ndodhi më 1 nëntor, por edukatorja që dhunoi 3-vjeçaren është marrë në pyetje pas gati një jave (7 nëntor), pasi ngjarja u bë publike nga prindërit e vajzës.
Raportohet se Majlinda Dehima ka dëshmuar para hetuesve se vajza mund të ketë qenë dëmtuar tek krevati, pasi ka thënë se aty ka hapësira.
Ajo ka treguar se pasi vajza është zgjuar në orën 15:03 e ka parë duke qarë dhe ka konstatuar këmbën e enjtur.
Më tej, ajo shpjegon se për këtë situatë e ka vënë në dijeni Drejtoreshën e kopshtit.
Kur e kanë pyetur se përse e qëllonte, të miturën, siç shihej dhe në pamjet filmike të marra nga kamerat e sigurisë, ajo mësohet se ka thënë, se ka bërë që të kishte vëmendje sepse qante.
Pas dhënies së dëshmisë ka nisur procedimi në gjendje të lirë për Majlinda Dehimën, me detyrë kujdestare në këtë kopsht, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi i të miturve”
Në përfundim të verifikimeve të kryera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, parashikuar nga neni 209 i Rregullores së Policisë së Shtetit “Shkelja e rëndë e atributeve/kompetencave të Policisë” dhe u bë pezullimi nga detyra, për punonjësit e Policisë:
Komisar Rustem Dervishi, me detyrë Zv/Shef i Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë;
Nënkomisar Ylli Çako, me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve;
Nënkomisar Ergys Brahimaj, me detyrë Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve.
Dëshmia e babait:
E mitura është dhunuar nga edukatorja, Majlinda Dehima, në kopshtin privat “Stinët” në rrugën “Kushtrimi i lirisë” në Trianë më 1 nëntor.
Prindërit e vajzës janë njoftuar nga kopshti në orën 15:00, por dhuna ndaj të miturës dyshohet se ka ndodhur rreth orës 10:20 të mëngjesit.
Por rasti është bërë publik mbrëmjen e së hënës (6 nëntor) në emisionin investigativ “Stop” pas denoncimit të prindëve të vogëlushes.
I ati i 3-vjeçares ka treguar se punonjësit e kopshtit kanë njoftuar bashkëshorten e tij duke i thënë se “hajde merre vajzën sepse ka dhimbje tek këmba dhe po grindet, diçka e ka pickuar” dhe kur ajo ka mbërritur atje e ka gjetur 3-vjeçaren poshtë tavolinës.
Fillimisht e ajo e ka dërguar të bijën tek Pediatria, por mjekja atje i ka thënë se “që nuk është rast për mua, ka diçka tek këmba dhe nuk di të ju kthej përgjigje. Ju sugjeroj që të shkoni tek “Ushtaraku”.
“Kur shkova në pediatri, mora fëmijën dhe u shokova kur i pashë këmbën që ishte e enjtur në një gjendje skandaloze”, tha babai.
Më pas e dërguan tek Trauma, ku pasi i bënë grafinë këmbës, babai u shpreh se “doli në një thyerje shumë të keqe, ishte thyer këmba, pjesa e kofshës në një gjendje skandaloze”.
I ati i 3-vjeçares: Ka qenë data 1 Nëntor 2023. Vajza u çua nga ime shoqe në orën 8 e 20 dhe ne ikëm në punë siç çdo ditë. Kur e çuam vajzën në mëngjes ishte në rregull, si çdo ditë tjetër. Në orën 3, njoftohet nusja që “hajde merre vajzën sepse ka dhimbje tek këmba dhe po grindet, diçka e ka pickuar”.
Nusja niset direkt dhe kur mbërrin aty, goca ishte futur poshtë një tavoline. Këmba ishte e enjtur dhe ishte fryrë sa koka e vajzës. Nusja kishte ndeshur edukatoren dhe drejtoreshën të cilat po e prisnin duke qarë. Thoshte me veten e vet se “çfarë i kam bërë unë vetes”. Nusja nuk e pati mendjen në ato momente se çfarë po ndodhte me edukatoren, por pa edhe drejtoreshën duke qarë dhe drejtoresha i tha që “hajde të hipim në makinë dhe ta çojmë direkt në pediatri”.
U nisën në pediatri dhe më mori nusja direkt në telefon dhe më tha që po ikim në pediatri. Kur shkova, mora fëmijën dhe u shokova kur i pashë këmbën që ishte e enjtur në një gjendje skandaloze. Më pas morëm letrën e hyrjes që ta kontrollojë mjekja dhe kur mjekja pa tha “që nuk është rast për mua, ka diçka tek këmba dhe nuk di të ju kthej përgjigje. Ju sugjeroj që të shkoni tek “Ushtaraku”.
Kur mbërritëm në Urgjencën e “Ushtarakut”, u futëm brenda dhe kërkuam ndihmën e shpejtë dhe aty dolën mjekët që ishin specialist të kësaj fushe dhe në momentin që i bënë grafinë, grafia doli në një thyerje shumë të keqe, ishte thyer këmba, pjesa e kofshës në një gjendje skandaloze.