Tymi mbuloi sallën brenda pak sekondash nga momenti kur Saimir Korreshi ndezi një tymuese dhe e vendosi mbi një tryezë në anën e djathtë të kuvendit. Meqënëse dritaret mungojnë, pamja u mjegullua menjëherë.
Para foltores megjithatë dallohej pirgu me karrige, që deputetët e opozitës e kishin mbledhur për të penguar fjalimet e kolegëve të tyre. Korreshi u përjashtua në moment. Por në rend të ditës ishin disa 6 projektligje të propozuara nga opozita.
Deputetja e PD-së së vulës Jorida Tabaku, ndryshe nga kolegët e saj që ndjekin Berishën vazhdon t’i besojë etikës. Tabaku kishte kërkuar më shumë transparencë për prokurorimet publike. Meqënëse abuzimet me tenderat janë një formë vjedhjeje tashmë e konsoliduar, Tabaku ka kërkuar thjesht që kur hapet një procedurë tenderuese të dhënat të publikohen në një faqe në internet. Por socialistët ia rrëzuan propozimet.
Në një projektligj tjetër, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” Tabaku kishte kërkuar përmirësim të procedurave që në rast korrupsioni, përgjegjësia e zyrtarëve të jetë më e qartë nëse ka një hetim. Edhe kjo u rrëzua nga socialistët.
Nisma ligjore e deputetit të PL, Petrit Vasili kishin të bënin me heqjen e “Taksës së Qarkullimit” dhe “Taksës së Karbonit” për uljen e cmimit të naftës. Edhe kjo u rrëzua nga socialistët.
Propozimet e tjera të deputetëve të Partisë së Lirisë për të drejtën e tubimit, për heqjen e parashkrimit të veprave penale për kryeministrat dhe ministrat dhe propozimi i Ina Zhupërs për shtimin e mbrojtjes për gazetarët u rrëzuan po ashtu.
Ndërsa për Jorida Tabakun, socialistët dhanë si argument se ata vetë po përgatisin projektligje të ngjashme. Për deputetët e PL u përgjigj Ermonela Felaj.
“T’i rrëzojmë se edhe puntor ngarkim-shkarkimi edhe jurist që do ndryshosh Kodin Penal nuk mund të jesh” tha Felaj.
Pas saj u çua edhe Taulant Balla që ndërkohë i bërtiste Saimir Korreshit duke e kërcënuar me burg. “Burgun do ta bësh ti, nuk do ta bëjë ai. Për burgun e Saliut po e bën ti këtë? Ky është krim. Procedim penal për helmim” thërriste nga vendi Ministri i Brendshëm.
Opozita është në protestë sepse mazhoranca jo vetëm e shpërfill për komisionet hetimore, por edhe se e ka dubluar duke njohur si përfaqësues zyrtarë propozimet e grupimit të Lulzim Bashës. Supozohet se pengimi i punës së parlamentit do ta bëjë mazhorancën të reflektojë. Por seanca e sotme tregoi se po ndodh e kundërta./Lapsi.al