Vetingu në polici/ BIRN: Shumë i ngadaltë dhe jo transparent

0
168

Shqipëria ka shumë pak për të treguar nga një proces vetingu i policisë që qeveria tha se do të “pastronte” një forcë që shihet gjerësisht si e korruptuar dhe bashkëpunëtore në krimin e organizuar.

Kryeministri shqiptar Edi Rama premtoi se do të “pastronte policinë”. Por që kur vendi miratoi një ligj për “vettingun në polici” në vitin 2018, procesi është reduktuar në mënyrë dramatike dhe janë bërë publike vetëm vendimet në lidhje me vetëm tre individë.

Vetingu i oficerëve të policisë është pjesë e një rishikimi rrënjësor të shtetit të së drejtës në Shqipëri nën drejtimin e Edi Ramës, i cili mori pushtetin në vitin 2013. Qindra gjyqtarë dhe prokurorë kanë kaluar nëpër një proces të ngjashëm të prezantuar në 2016 dhe të krijuar për të spastruar këdo që dyshohet për korrupsion.

Në vitin 2018 ishte radha e policisë, por qëllimi i procesit ka ndryshuar ndjeshëm dhe ka pikëpyetje mbi transparencën.

Fillimisht, e gjithë forca policore – rreth 12,000 persona – pritej të kalonte në procesin e vetingut, por në vitin 2022 ligji u ndryshua në një përpjekje për të ulur kostot, duke e reduktuar kontigjentin në vetëm 300 figura të larta të policisë, drejtues departamentesh, drejtorë policie dhe drejtues komisariatesh.

Ndryshimet e lanë procesin në pritje. Ai rifilloi në maj të këtij viti, por, deri më tani, janë bërë publike vetëm tre vendime.

Duke e përshkruar vetingun e policisë si një “simotër” me vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Driola Kraja, një studiuese në Qëndresa Qytetare, një organizatë me qendër në Tiranë që merret me çështjet sociale, tha për BIRN: “Ligji i vetingut për policinë filloi si një ide e mirë, nisur nga frytet e vetingut të drejtësisë, por përsa i përket zbatimit, ai la shumë për të dëshiruar.”

Dyshime mbi pavarësinë dhe integritetin

Forca policore shqiptare është përballur prej kohësh me akuza për korrupsion dhe besnikëri ndaj cilësdo parti që është në pushtet.

Përhapja e kultivimit të paligjshëm të kanabisit në të gjithë vendin shihej gjerësisht si e pamundur pa marrëveshjen e heshtur, ndonjëherë edhe bashkëpunimin e drejtpërdrejtë, të policisë derisa filloi një goditje në vitin 2016.

Megjithatë, bashkëpunimi midis organizatave të krimit të organizuar dhe policisë vazhdoi, me një numër oficerësh të lartë policie të inkriminuar gjatë disa operacioneve të fundit që shënjestronin figura të mëdha krimi të dyshuar për krime që variojnë nga vrasja deri te trafiku i drogës.

Në një raport monitorimi të vitit 2020, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim me qendër në Tiranë, IDM, arriti në përfundimin se vetingu i policisë po ecën shumë ngadalë.

“Procesi ka ecur me ritme të ngadalta, si në ngritjen e strukturave të vetingut, ashtu edhe në vlerësimin e subjekteve”, tha IDM. IDM gjithashtu vuri në pikëpyetje vendosjen e zbatimit në duart e AMP-së, një organ mbikëqyrës i policisë.

Deri në dorëheqjen e tij më 23 tetor, AMP-ja drejtohej që prej gushtit 2022 nga Ardi Veliu, ish-drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe i parë gjerësisht si aleat i Ramës.

“Transferimi i vetingut në një strukturë të qëndrueshme institucionale si ajo AMP-së nuk ofron garanci të mjaftueshme për të garantuar objektivitetin dhe pavarësinë e procesit”, tha IDM.

“Institucionet e angazhuara në procesin e vetingut dhe strukturat zbatuese të tij nuk sigurojnë transparencë të lartë dhe gjithëpërfshirje të plotë të publikut dhe grupeve të interesit në këtë proces.”

Në një përgjigje për BIRN muajin e kaluar, AMP-ja tha se vetëm tre persona kishin kaluar në procesin e vetingut dhe se puna do të rifillonte në fund të tetorit.

Nuk ka transparencë të mjaftueshme

Duke folur në prill, ish-ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i Partisë Socialiste në pushtet tha se procesi duhej të ishte i shpejtë dhe transparent.

“Transparenca dhe shpejtësia e këtij procesi është e rëndësishme”, tha ai. “Duhet të jeni objektiv, të shpejtë dhe transparent. Ky vlerësim është një moment shumë i rëndësishëm për të forcuar integritetin e forcës policore.”

Është pikërisht transparenca ajo që mungon, megjithatë, tha Kraja.

“Publiku nuk ka qasje në dokumentacionin e procesit, duke e lënë atë në një pozitë të pasigurt dhe të paaftë për të ndjekur nga afër detajet e procesit”, tha ajo për BIRN.

“Kjo mungesë transparence ka krijuar dyshime dhe mosbesim ndaj procesit të vetingut, duke thelluar çështjet që lidhen me integritetin dhe legjitimitetin e tij.

Një problem tjetër, tha Kraja për BIRN, janë “mangësitë teknike dhe ligjore”, që rezultojnë vetëm në vlerësimin rutinë të oficerëve dhe jo në “shqyrtime të thella të shkeljeve të mundshme të ligjeve dhe etikës”.

“Ky aspekt është thelbësor për garantimin e integritetit dhe profesionalizmit të oficerëve të zbatimit të ligjit dhe nuk duhet të neglizhohet.”/BIRN

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here