Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka dalë sot në një deklaratë për mediat ku ka folur për denoncimin e fundit nga emisioni ‘Piranjat’, ku është zbuluar se kompania që është kontraktuar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare për të sjellë anijet që do të prodhojnë energji në Portin e Vlorës është offshore, e regjistruar në shtetin Delaëare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Këlliçi thotë se KESH i paguan 462 milionë lekë kompanisë offshore për anije që nuk punojnë e rrjedhimisht Drejtori i KESH Ergys Verdho ka konsumuar veprën penale të Shpërdorimit të Detyrës dhe Shkeljes së Barazisë në Tendera Publikë, duke i sjellë një dëm qindra miliona eurosh buxhetit të shtetit.
Këlliçi ibën thirrje SPAK dhe KLSH që të nisin menjeherë hetimet për këtë mega aferë financiare e të kërkojnë urgjentisht ndërprerjen e të gjitha pagesave që bëhen në dëm të buxhetit të shtetit.
Deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë,
Siç mund ta keni ndjekur dhe në mediat televizive apo në emisionin investigative Piranjat, në vitin 2022 qeveria vendosi shpalljen e një tenderi me procedure emergjente për marrjen me qera të dy anijeve gjenerator. Kjo me justifikimin që Shqipëria ishte në krizë energjitike.
Pavarësisht se në ligjin për prokurimet publike, shpallja e një tenderi emergjent është 10 ditë, KESH, si kontraktor, la afat vetëm 3 ditor, duke bërë shpalljen më 24 Janar dhe duke mbyllur tenderin me 27 Janar. Një fakt ky që çon në dyshime se dy kompanitë fituese ishin paracaktuara.
Një detaj tjetër interesant është se kontrata me dy kompanitë në fjalë, është pa afat dorëzimi. Në asnjë faqe të saj, nuk ka një datë e cila i detyron dy kompanitë të nisin prodhimin e energjisë. Madje anijet mbërritën në portin e Vlorës, në muajin shtator 2022, plot 8 muaj pas nënshkrimit mes palëve edhe pse u deklarua se do merreshin për emergjencë. Pra thënë thjeshtë, një tender qindra miliona euro, i cili u zhvillua brënda 3 ditëve për arsye emergjencë, na solli këto dy anije në portin e Vlorës pas 8 muajsh.
Kjo aferë,për dy vite, 2024 dhe 2025, do t’i kushtojë buxhetit të KESH plot 64 milionë dollarë, plus edhe 205 milionë për naftën dhe disa miliona dollarë për mirëmbajtje, riparime dhe kapacitete depozituese. Në total sipas asaj që shkruan KESH në programin ekonomik, plot 336 milionë dollarë.
Në ofertën që i është dorëzuar KESH-it rezulton se aplikimi është bërë nga firma prestigjoze Excelerate Energy. Oferta shoqërohet dhe me logon e saj, por kur lexon brenda dokumentave, në certifikatën e regjistrimit shihet se është dhënë akti i regjistrimit i një tjetër firme: Excelerate Global Operations LLC, ndërsa personi që ka firmosur ofertën është Daniel Bustos, shefi i njësisë tregtare i një tjetër Excelerate, asaj Limited Partnership.
Të dyja kompanitë, si Excelerate Global Operations ashtu edhe Excelerate Energy Limited Partnership, rezultojnë me seli në Delaware, në Shtetet e Bashkuara te Amerikës, që njihet si parajsë fiskale dhe ruan anonimatin e emrave të pronarëve të kompanive që regjistrohen atje. Thënë shkurt, offshore.
Pra, për ta sqaruar mirë, duket se po vjen një kompani e madhe amerikane me prestigj si Excelerate Energy, por certifikata e regjistrimit është e një tjetër firme offshore, Excelerate Global Operations LLC. Madje dhe firma e përgjegjësit për ofertën e bërë, është e drejtorit të departamentit financiar të një tjetër Excelerate-i,asaj me prapashtesën Limited Partnership, edhe kjo offshore ne Delaware.
Pra mos kemi të bëjmë thjeshtë me një ngatërresë në këtë rast? Aspak.
Truku është i thjeshtë; në dokumentat që duhen firmosur, emri i Excelerate Energy Limited partnership, për efekt titulli shkurtohet në “Excelerate”, dhe kujtdo i krijohet ideja se kemi të bëjmë me Excelerate Energy, kompania e madhe amerikane e kuotuar në bursë.
Në realitet jo. Sepse mjafton të bësh një kërkim në faqen e internetit të Excelerate Energy, për të kuptuar se aktualisht në Shqipëri nuk ka asnjë projekt të tyre në zhvillim dhe as nuk ka patur ndonjëherë.
Nderkohë, Excelerate Energy limited partnership duket se është hapur për vende si Shqipëria, për të lidhur kontrata miliona dollarë me institucione shqiptare, dhe në këto marrëdhënie me sa duket kompania prestigjoze e kuotuar në bursë, Excelerate Energy, nuk ka dashur të përziejë emrin e saj.
Pavarësisht të gjitha këtyre problematikave ligjore, oferta e dy anijeve u pranua menjëherë nga KESH, dhe më datën 4 Prill 2022, kjo e fundit lidh kontratën 2 vjecare me Excelerate Global Operations LLC, që është njëra nga dy Excelerate off-shore, packa se oferta ishte e firmosur nga përgjegjësi tregtar i Excelerate Energy Limited Partnership.
Një mish mash aspak i paqëllimshëm.
Ardhja e anijeve në Vlorë, u bë nga Excelerate Global Operations, e cila pasi i bleu 15 milionë dollarë, i dha me qera 2 vjecare për 64 milionë dollarë, duke shkaktuar skandal mbi skandal në këtë aferë. E përtej këtij cmimi, vetë skema mbi të cilën është bazuar e gjithë afera, është një tjetër histori, e mbushur me parregullsi dhe procedura që mbajnë erë.
Mjafton të shihet se si është thurrur një rrjetë merimange mes kompanive, për të zhdukur cdo gjurmë në lëvizjet e bëra. Në fillim, Excelerate Energy Limited Partnership, themelon në Tiranë kompaninë e re Excelerate Albania Holding. Më pas, kjo e fundit, bashkëpunon me Renco SPA, duke krijuar një tjetër kompani, sërish në Tiranë, me emrin Excelerate – Renco FPB.
Bazuar në kontratën e nënshkruar nga palët, kjo ishte një manovër kirurgjikale juridike, që ia delegon përgjegjësinë kompanisë së re që do të krijohet për të zbatuar kontratën, duke përjashtuar nga cdo përgjegjësi të gjitha kompanitë e përfshira më parë në këtë proces.
Pra, një larje duarsh nga cdo penalitet. Këtu jemi në rastin tipik të një zinxhiri kompanish offshore, të cilat funksionojnë për dy qëllime: fshehjen e pronarëve dhe për të krijuar një sistem guacke, që nuk është gjë tjetër, vecse një nevojë për të mbuluar gjurmët.
Ato kanë vetëm emrin dhe përdoren për të bërë lëvizje të shpejta të parave që të humbin gjurmët dhe përfituesit.
Kur anijet mbërritën në Vlorë në shtator të vitit të shkuar, afati që u la për nisjen e punës ishte data 1 janar 2023.
Por dhe pse kanë kaluar 11 muaj nga ky afat, anijet nuk janë ende në gjendje pune. KESH pranon që anijet nuk punojnë, sepse KESH nuk ka përzgjedhur akoma operatorin që do të bëjë certifikimin dhe kolaudimin, edhe pse ishte një procedurë në kushtet e emergjencës dhe si e tillë u tenderua.
Edhe pse ende nuk i ka marrë në dorëzim asetet, pasi ato duhet që më parë të kenë certifikatën që janë në gjendje pune, KESH i paguan 462 milionë lekë të vjetra shoqërisë Excelerate-Renco FPB për zhdoganimin dhe 1.71 milionë Euro për Renco spark, për furnizimin fillestar me vaj lubrifikues që do të përdoret kur të vendosen në punë.
Pra nuk e dimë nëse anijet janë në punë, por blejmë vajin dhe marrim me qira depozita për lëndën djegëse. Me këto shifra, duhet të shpresojmë që anijet më mirë të mos nisin asnjëherë punën, për më tepër që deri në këtë moment që flasim, nuk është kryer ende procesi i kolaudimit të 2 anijeve. Këtë e kanë konfirmuar si Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial, ashtu edhe KESH, që shprehet se ende nuk është caktuar një palë e tretë e cila do të kryejë kolaudimin.
Por, edhe nëse dy anijet do të nisnin sot prodhimin e energjisë, sërish kjo do të sillte humbje të pallogaritshme, pasi aktualisht çmimi i energjisë te prodhuar aty, është më i lartë se çmimi me të cilin shitet në bursë.
Sot, pothuaj 2 vite pas nënshkrimit të kontratës, çmimi mesatar për 1 megavat orë energji elektrike në bursën Hupex është 113 euro/MWh, ndërsa kosto e prodhimit të energjisë nga dy TEC-et e anijeve është 269 euro/MWh.
Pra, 2.4 herë më e lartë.
Në thelb, marrëveshja që na u shit si cështje e emergjencës së furnizimit me energji elektrike, ka si produkt dy anije, që sot ende pas 2 vitesh nuk janë ndezur asnjëherë dhe që nëse do të ndizen, do të ndizen vetëm për të kaluar qeraja prej 64 milionë eurosh.
Procedura është bërë në shkelje flagrante dhe të hapur të Ligjit të Prokurimit Publik, duke pranuar një ofertë edhe me probleme të theksuara me dokumentacionin dhe pa aktin e regjistrimit të kompanisë që do të marë pjesë.
Rrjedhimisht Drejtori i KESH Ergys Verdho ka konsumuar veprën penale të Shpërdorimit të Detyrës dhe Shkeljes së Barazisë në Tendera Publikë, duke i sjellë një dëm qindra miliona eurosh buxhetit të shtetit.
Falenderojmë edhe një herë emisionin investigativ Piranjat, i cili ka hedhur dritë dhe ka bërë transparencë mbi këtë aferë, e cila për nga përmasa e abuzimit, mund të krahasohet vetëm me inceneratorin fantazmë të Tiranës.
I bëjmë thirrje publike z. Altin Dumani, Drejtues i SPAK dhe z. Arben Shehu, Kryetar i KLSH, të nisin menjëherë hetimet për këtë mega aferë financiare e dhe të kërkojnë urgjentisht ndërprerjen e të gjitha pagesave që bëhen në dëm të buxhetit të shtetit.
Të nderuar qytetarë,
Këto qindra miliona euro që i jepen cdo vit inceneratorit fantazmë, anijeve që nuk ndizen kurrë, sterilizimit, check-up, e dhjetra PPP-ve të tjera korruptive, janë pikërisht paratë tuaja të cilat duhet të mundësonin rritjen e pagave dhe pensioneve, kushte normale spitalore ku nuk duhet të mungonin ilacet bazike dhe ato të kimio terapive, cerdhe e kopshte të sigurta për fëmijët tuaj, duke bërë të mundur që Shqipëria të mos braktisej cdo ditë nga qindra e mijra bijë dhe bijat e saj.