KiE kritika për marrëveshjen e refugjatëve: Ngre shqetësime për të drejtat e njeriut, mungon siguria ligjore

0
228

Marrëveshja ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për refugjatët ngre disa shqetësime për të drejtat e njeriut dhe shton një prirje shqetësuese evropiane drejt eksternizimit të përgjegjësive për azilin.

Kështu ka deklaruar Komisionerja për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç.

“Memorandumi i Mirëkuptimit ngre një sërë pyetjesh të rëndësishme mbi ndikimin që do të kishte zbatimi i tij për të drejtat e njeriut të refugjatëve, azilkërkuesve dhe migrantëve. Këto kanë të bëjnë, ndër të tjera, me zbarkimin në kohë, ndikimin në operacionet e kërkim-shpëtimit, drejtësinë e procedurave të azilit, identifikimin e personave të cenueshëm, mundësinë e ndalimit automatik pa një rishikim adekuat gjyqësor, kushtet e ndalimit, aksesin në ndihmë juridike dhe mjete efektive juridike”, ka thënë Mijatoviç.

Sipas saj marrëveshja e firmosur mes Shqipërisë dhe Italisë krijon një regjim ad hoc ekstra-territorial të azilit i karakterizuar nga shumë paqartësi ligjore. Ajo thekson se mungesa e sigurisë ligjore ka të ngjarë të dëmtojë garancitë thelbësore të të drejtave të njeriut dhe llogaridhënien për shkeljet.

KiE nënvizon se garantimi që azili mund të kërkohet dhe vlerësohet në territoret e vetë shteteve anëtare, mbetet një gur themeli i një sistemi që funksionon mirë, në përputhje me të drejtat e njeriut, që ofron mbrojtje për ata që kanë nevojë për të.

“Prandaj është e rëndësishme që shtetet anëtare të vazhdojnë të përqendrojnë energjinë e tyre në përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit të sistemeve të tyre vendase të azilit dhe pritjes, dhe që ata të mos lejojnë që diskutimi i vazhdueshëm rreth eksternizimit të largojë burimet dhe vëmendjen shumë të nevojshme nga kjo”, ka deklaruar Mijatoviç.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here