Marrëveshja për refugjatët/ A mund t’i refuzojë Rama “ofertat” e tjera nga BE?

0
237

Kur gazetarët italianë e pyetën kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën në “La7” se përse, ai dhe Meloni nuk e bënë transparente që në fillim idenë për të devijuar në Shqipëri refugjatët afrikanë, ai u shpreh: “Në fillim bëhet marrëveshja, pastaj kalon në qeveri, pastaj në parlament dhe gjithkush e thotë të vetën. Nëse qeveritë duhet të bien dakort me të gjithë për çdo gjë, nuk mund të bëjnë as marrëveshje, as edhe një vendim. Qeveritë zgjidhen për të qeverisur”.

Në Itali, marrëveshja ka krijuar debate të forta, që kanë në thelb shqetësimin për të drejtat e refugjatëve afrikanë. Opozita italiane shkoi deri aty sa mori në konsideratë propozimin për ta përjashtuar Partinë Socialiste të Shqipërisë nga Partitë Socialiste Europiane.

Kurse në Shqipëri, edhe pse marrëveshja mund të pasohet me efekte sociale ende të panjohura, ajo po përcillet në heshtje. Por kjo heshtje dhe fakti që marëveshja u pranua si një vendim personal i Edi Ramës i hap rrugë shndërrimit të Shqipërinë në një vend depozitimi të problemit të refugjatëve edhe nga vende të tjera të Bashkimit Europian. Sepse zgjidhja që gjeti Giorgia Meloni ka ngjallur zili tek kryeministra të tjerë europianë.

Rreziku se edhe vende të tjera do ta shkarkojnë problemin tek vende të treta, siç bëri Meloni ishte përmendur në reagimin e Këshillit të Evropës.

“Zhvendosja e përgjegjësisë përtej kufijve nga disa shtete gjithashtu nxit të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, gjë që rrezikon të krijojë një efekt domino që mund të dëmtojë sistemin evropian dhe global të mbrojtjes ndërkombëtare” shkruhej në deklaratën e Këshillit të Evropës.

Edhe Scholz në linjën e Melonit?

Në Gjermani, kancelari Scholz ka qenë nën presion të vazhdueshëm për problemet me refugjatët.

Pas takimit me krerët e qeverive të landeve në datën 7 Nëntor, devijimi i emigrantëve drejt vendeve të treta nuk u përjashtua si zgjidhje, por preferohej që këto të ishin vende afrikane. Çështja është që t’i bindësh vendet afrikane të pranojnë ngritjen e qendrave për procedurat për azil (siç pranoi Shqipëria) nuk është aq e lehtë.

Pas firmosjes së memorandumit Rama-Meloni, DW raportoi se zgjidhja që gjeti Italia po shihet me zili në Gjermani. Një ekspert i emigracionit shprehej se një vend ku mund të zbarkoheshin refugjatët mund të ishte Maqedonia e Veriut.

Ndërkohë Scholz u shfaq në linjë me Melonin, kur komentoi marrëveshjen e saj me Ramën. “Marrëveshjet e mundshme me vendet jo anëtare të BE-së do të mund të bëhen për të reduktuar numrin e emigrantëve të parregullt”.

Sipas kancelarit mund të ketë edhe marrëveshje të tjera të ngjashme.

“Është e nevojshme të reduktohet emigracioni i parregullt. Për këtë arsye do të ketë bashkëpunim të ngushtë me vendet jashtë BE-së. Siç ndodh tani në Türkiye. Por mund të ketë edhe të tjera të pritshme”, tha më tej kancelari gjerman. “Për këtë situatë, nuk ka gjëra që nuk mund të merren në konsideratë. Ne duhet të veprojmë në mënyrë shumë pragmatike dhe efikase”, tha Scholz, i cituar nga mediat italiane.

Bashkimi Europian arriti më herët një marrëveshje të ngjashme me Tunizinë, por kjo e fundit refuzoi më pas dhe i ktheu paratë për ndërtimin e qendrave të emigrantëve. Edhe marrëveshja e Britanisë së Madhe me Ruandën u shpall si e paligjshme nga një gjykatë në Londër, sepse Ruanda nuk konsiderohet vend i sigurtë.

A mund t’i thotë JO Rama Gjermanisë apo vendeve të tjera të BE?

Gjatë konferencës që pati me Melonin, kur nënshkroi marrëveshjen për refugjatët, Edi Rama ka qenë i ndërgjegjshëm se vende të tjera të Bashkimit Europian do ta shikonin me zili favorin që ai i bëri Melonit. Kur u pyet nga gazetarët tha se një memorandum të tillë do ta nënshkruante vetëm me Italinë.

“Ne nuk do ta bënim këtë marrëveshje me asnjë vend tjetër apo shtet të BE-së, me gjithë respektin, por ka një lidhje mes Shqipërisë e Italinë dhe Shqiptarët e italianët” tha Rama.

Problemi është që ky është i njëjti Edi Ramë që dy vite më parë shprehej kategorikisht kundër pritjes së refugjatëve që mund të sillnin në Shqipëri vendet e pasura. Dhe me një të rënë të lapsit, pa u konsultuar me askënd ai bëri pikërisht atë që ishte zotuar se nuk do ta pranonte kurrë.

Për më tepër, deri tani Rama ka sqaruar vetëm publikun italian për marrëveshjen. Ai nuk ka denjuar të japë asnjë shpjegim për publikun shqiptar. Edhe pse ka shfaqur një shpërfillje të paprecedentë, nuk ka pasur asnjë rezistencë për t’u shqetësuar.

Kësisoj, nëse vende të tjera do t’i kërkojnë Ramës t’ua marrë refugjatët afrikanë dhe të ngrejë qendra të tjera siç bëri për Italinë, garancitë janë të pakta se ai do të mund t’i refuzojë. Vendimi do të jetë i një njeriu të vetëm, që ka dhënë prova se raportet me të vërtetën, i ka problematike./Lapsi.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here