Blushi denoncon: Ja shkeljet e rënda të ligjit nga Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës

0
228

Sektretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka denoncuar  shkeljet e ligjit nga Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Blushi shprehet këshilli i Tiranës ka organizuar mbledhje pas dy muajsh, duke dalë në kundërshtim me ligjin që sanksionojnë se mbledhjet duhet të organizohen jo më pak se një herë në muaj.

Deklarata e plotë:

Partia e Lirisë dhe grupi i këshilltarëve të saj në Bashkinë e Tiranës dënon me forcë shkeljen flagrante të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore” dhe të “Rregullores për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës” nga Kryetarja, Romina Kuko.

Thirrja e mbledhjes së djeshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës pas dy muajsh nga mbledhja paraardhëse, e zhvilluar më 15 shtator 2023, është në kundërshtim të hapur me nenin 53 të ligjit dhe nenin 22 të rregullores, që sanksionojnë se “Mbledhjet e radhës të këshillit bashkiak zhvillohen si rregull….jo më pak se një herë në muaj”.

Të dashur qytetarë dhe të nderuara biznese të Tiranës, trajtimi i Këshillit Bashkiak, si institucion privat dhe vetëm për llogari të interesave personale dhe klienteliste të Erion Veliaj është një akt i rëndë në raport me ligjin dhe totalisht kundër jush.

Thirrja e mbledhjes së një organi kolegjial si Këshilli Bashkiak, sipas dëshirave dhe orekseve të Erion Veliaj dhe Romina Kukos do të thotë pengim i qëllimishëm i vendimmarrjeve shumë të rëndësishme në funksion të qytetarëve dhe bizneseve të Tiranës, sidomos të shtresave më në nevojë që përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike dhe bonueset e qerave.
Do të thotë mungesë transparencë dhe llogaridhënie për taksat tuaja që vidhen çdo ditë nga një bandë, do të thotë më pak shërbime, si në rastin e ujit të pijshëm që mungon sot në të gjithë Tiranën dhe askush nuk jep llogari.

Më skandaloz është gjithashtu fakti se Erion Veliaj i fshihet dhe i përvidhet Këshillit Bashkiak. Çfarë pune ka më të rëndësishme Kryetari i Bashkisë sesa të mbrojë aktet që sjell për miratim në Këshillin Bashkiak? Arsyeja është e thjeshtë. I trembet llogaridhënies për abuzimin me taksat e qytetarëve.

Shkelja e rëndë ligjore e konsumuar dje botërisht nga Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Romina Kuko duhet të marrë përgjigje shteruese nga drejtësia.

Për t’i dhënë fund kësaj paligjshmërie, grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë do të ndjekë të gjithë hapat e duhur ligjorë.

Një tjetër skandal i konsumuar në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës ishte miratimi me forcën e kartonave të vendimit për t’i dhënë “Eco Tirana” të drejtën për të pastruar të gjithë kryeqytetin.
Gjysma e aksioneve të kësaj kompanie, siç është faktuar tanimë nga Antimafia dhe Drejtësia Italiane në operacionin e famshëm të vitit 2020 “Isola scagliera”, i përkasin mafies kalabreze “Ndrangheta”, që sipas institucioneve të vendit fqinj ka thithur fonde publike, ricikluar para dhe kryer punë për mbetjet e Veronës, ndërkohë që rezulton bashkëpronare për të kryer pastrimin, djegjen dhe riciklimin e plehrave edhe të Tiranës.

Kërkuam dje sqarime nga Bashkia e Tiranës kontratën e lidhur për themelimin e “Eco Tirana”, cilat janë investimet kapitale të kryera nga kjo kompani, nëse kishte dijeni për hetimet e shtetit italian, nëse ka nisur SPAK ndonjë hetim për këtë kompani të lidhur sipas drejtësisë italiane me Ndrangheta-n, por nuk morrëm asnjë përgjigje.

U mbajt e fshehur dhe nuk u dha asnjë sqarim se sa para nga taksat tona do të përfitojë kjo kompani.

Veçanërisht në kushtet kur dihet se situata me mbetjet urbane sot në Tiranë është skandaloze.

Një nga drejtuesit e mafies së plehrave dhe inceneratorëve, Erion Veliaj, i cili prej kohësh duhej të ishte marrë i pandehur nga SPAK, me forcën e kartonave të PS në Këshillin Bashkiak, në kurriz të taksave të qytetarëve, konsumoi dje një tjetër aferë kriminale, që duhet t’i nënshtrohet hetimit të thelluar, jo vetëm për shkak të mungesës së transparencës për kostot që duhet të paguajnë taksapaguesit, por edhe për shkak të lidhjeve të denoncuara më herët nga Antimafia dhe Drejtësia Italiane.

Votuam kundër këtij vendimi sepse Partia e Lirisë është e palëkundër në mbrojtje të interesit qytetar, kundër mafies së plehrave dhe inceneratorëve, që ka marrë peng Bashkinë e Tiranës.

Edhe për këtë vendim, një konsumim i qartë i një sërë veprash të rënda penale, i bëjmë thirrje drejtësisë të veprojë menjëherë në zbatim të plotë ligjit, me paanësi dhe jo me regji!

  1. WhatsApp Image 2023-11-16 at 1.59.03 PM (1)WhatsApp Image 2023-11-16 at 1.59.03 PM

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here