Policia e Sarandës ka dhënë detaje nga gjetja e trupit të dekompozuar të bariut në fshatin Xarrë të Konispolit.
Uniformat blu raportojnë se mbetjet kockore i përkasin 51-vjeçarit nga Elbasani, Adnant Jaupi, i cili ishte punësuar si bari në fshat.
Dyshohet se viktima ka humbur jetën për shkaqe natyrale dhe se trupi i tij i pajetë është copëtuar nga kafshët e egra.
NJOFTIMI ZYRTAR
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për gjetjen e mbetjeve kockore humane, në proces dekompozimi, pranë varrezave të fshatit Xarrë, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë kanë vijuar kontrollet në zonë dhe veprimet hetimore për këtë rast.
Si rezultat, është bërë e mundur gjetja e trupit të cilit i përkisnin mbetjet kockore dhe identifikimi i kufomës, shtetasit A. J., 51 vjeç, banues në Elbasan.
Nga hetimet e deritanishme të kryera nga grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, dyshohet se ky shtetas (i punësuar çoban në fshatin Xarrë) ka humbur jetën për shkaqe natyrale dhe se trupi i tij i pajetë është copëtuar nga kafshët e egra. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.