Berisha foli sot nga kryesia e Kuvendit ku tha se Parlamenti është shndërruar në një aneks të Surrelit. Deputetët e opozitës sipas tij janë të vendosur në këtë betejë.
“Vazhdimi i betejës pa kthim të deputetëve të opozitës.
Parlamenti është shndërruar në një aneks të Surrelit, ka humbur çdo funksion si tempull i demokracisë së Shqipërisë, ndaj dhe deputetët e opozitës, në emër të popullit opozitar, qytetarëve që besojnë tek vlerat e demokracisë, që konsiderojnë pluralizmin motorrin kryesor të saj, që besojnë se ministrat, pushtetarët dhe cilido duhet të hetohen nga Komisionet Parlamentare me transparencë, duhet të pasqyrohen e gjithë veprimtaria ligjore, apo antiligjore, kushtetuese apo antikushtetuese e tyre.
Një nen me rëndësi kapitale në Kushtetutë duhet të respektohet.
Ligjet, rezolutat, amendamentet e opozitës, duhet të përcillen në përputhje me procedurën parlamentare.
Sikundër kurrë ndonjëherë qeveria nuk mund të mendojë të caktojë përfaqësuesit e opozitës në Komisionet Parlamentare.
Këto janë kërkesat më themelore për të cilat deputetët e opozitës janë të vendosur në këtë beteja pa kthim gjer në fitoren e tyre. ”