Policia e Kurbinit ka arrestuar menaxheren e një lokali në Kurbin, shtetasen Merita Sallaku dhe po ashtu ka shpallur në kërkim pronarin, shtetasin, K.L 36-vjeç, pasi përdornin lokalin e tyre për shitjen e lëndëve narkotike.
Policia njofton se gjatë kontrollit në lokal, kontrollit fizik të këtyre shtetasve si dhe kontrolleve në automjete e banesat e tyre, janë gjetur dhjetëra doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis.
Njoftimi i policisë:
Vijon zbatimi i planeve operacionale “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, në të gjithë territorin e qarkut.
-Në Kurbin, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, është goditur një tjetër rast i përshtatjes së lokalit, për përdorim dhe shitje të drogave. Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, të cilët u kapën në flagrancë me doza kokaine, në lokal. Vijon puna për kapjen e pronarit të lokalit.
Gjithashtu është vënë në pranga një shtetas tjetër që është kapur në flagrancë në Laç, me doza kanabisi. Sekuestrohen dhjetëra doza të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis.
-Në Lezhë, në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, janë kapur 2 shtetas të shpallur në kërkim, të cilët akuzohen për vepra penale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të krimeve ndaj personit.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, të Komisariateve të Policisë Lezhë dhe Kurbin, me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, vijojnë kontrollet e shtuara në të gjithë qarkun, në kuadër të megaoperacioneve “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, me qëllim evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e shtetasve në kërkim. Si rezultat i kontrolleve:
-në Kurbin, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, janë goditur 2 raste të veprimtarive në fushën e narkotikëve.
•Në Fushë Gjorm, është evidentuar një lokal i përshtatur për përdorim dhe shitje të drogave. Në vijim të veprimeve për këtë rast është shpallur në kërkim pronari i lokalit, shtetasi K. L. 36 vjeç, banues në Kurbin, janë arrestuar në flagrancë shtetasit M. S. 27 vjeçe, banuese në Krujë (menaxhere e lokalit), S. S. 32 vjeç banues në Kurbin dhe R. K., 33 vjeç banues në Lezhë, si dhe u procedua penalisht në gjëndje të lirë shtetasi J. S., 37 vjeç, banues në Kurbin.
Gjatë kontrollit në lokal, kontrollit fizik të këtyre shtetasve si dhe kontrolleve në automjete e banesat e tyre, janë gjetur dhjetëra doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis.
•Në qytetin e Laçit është arrestuar në flagrancë shtetasi G. K., 23 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik i janë gjetur disa doza lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Dozat e lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 automjete dhe 6 celularë, që përdoreshin nga këta shtetas.
-Në Lezhë, në kuadër të megaoperacionit policor “Sundimi i ligjit”, janë kapur dhe ndaluar 2 shtetas të shpallur në kërkim, konkretisht shtetasit:
M., 32 vjeç, banues në Balldre, për të cilin Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, pasi gjatë kontrollit në biznesin e tij (servis automjetesh), është gjetur një armë zjarri pistoletë;
E. M., 17 vjeç, banues në Lezhë, për të cilin Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, pasi në muajin gusht të këtij viti, në bashkëpunim me vëllanë e tij, pas një konflikti të çastit, në Gjadër, ka plagosur me armë zjarri shtetasin D. Gj. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.