SPAK bëri një tjetër goditje mbrëmë në Tiranë duke shpallur në kërkim Ervin Matën, ndërsa u arrestuan Erzen Breçani, djali i tij si edhe shumë policë pas zbërthimit të mesazheve në aplikacionin SKY EÇ. Mes të arrestuarve është edhe shefi i Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni.
Mata është një emër i njohur për policinë, për shkak të ngjarjes së 4 tetorit në zonën e ish-Bllokut, ku u vra Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Elio Hato, por edhe për shkak të lidhjes me Elvana Gjatën.
Për këtë ngjarje, Mata u shpall në kërkim nga policia në atë kohë. Mata u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës në 2 Mars 2019 pas disa muajsh në kërkim.
Atëherë gjatë marrjes në pyetje tha se nuk kishte qëlluar dhe as nuk kishte parë se kush qëlloi në drejtim të viktimës.
Gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurisë detyrim për t’u paraqitur dy herë në muaj në Prokurori ndërsa prokuroria kërkoi arrest me burg mbi Matën.
Në Qershor të vitit 2021, ai u dënua me 6 muaj burg që për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul 1/3 e dënimit dhe Mata u dënua me 4 muaj burg që u konvertua në 100 ditë pune në interes publik.
Në atë kohë u tha se përplasja mes tyre nisi për çështje rozë, por gjithmonë ka pasur dyshime se janë përplasur për një shumë të madhe parash të paligjshme.
Në 30 Maj të 2020 atij iu vendos një sasi eksplozivi hoteli në afërsi të QSUT në pronësi të Ervin Matës. Po ashtu Mata është lakuar si i përfshirë në çështjet e trafikimit ndërkombëtar të drogës.
Ndërkohë, Klan News ka publikuar sëfundmi një video të Matës nga Arratia, ku ai pi verë dhe lëshon një puthe në drejtim të kameras, e cila në këtë situatë duket se shkon edhe për policinë.