Një udhëtim pas në kohë mund të cilësohet rruga drejt fshatit Niçe të Pogradecit, i njohur ndryshe edhe si fshati i Vllehëve.
Në këtë vend, që në shekullin e 17 ishte një qytezë pjesë e rrugës tregtare të asaj kohë drejt Korçës dhe Voskopojës, duket sikur koha ka mbetur dekada e dekada pas.
Pa rrugë, pa shkollë e pa shërbim shëndetësor, me banesa të braktisura dhe të rrënuara. Ndërsa ato që mbahen ende në këmbë, shumica janë të kyçura me dryna të ndryshkur.
Sot në fshat kanë mbetur shumë pak banorë. E kush më mirë se ato mund të tregojë se përse qyteza e dikurshme që numëronte deri në 10 mijë banorë është katandisur deri në këtë pikë.
Tani ky fshat do të mbahet mend thjesht si një toponim për të kaluarën e tij, pasi të ardhme me këto kushte nuk ka. Ky është shembulli se si mund të shkretosh një zonë të tërë pa dhunë e kërcënime, por thjesht duke i harruar nën mëshirën e natyrës.