Qeveria ka shpallur si prioritet publik digjitalizimin e shërbimeve si instrument për të rritur eficencën dhe për të ulur kostot e përgjithshme të burimeve njerëzore, por ndërkohë numri i punonjësve vijon të rritet. Për vitin 2024, numri i punonjësve të administratës qendrore do të arrijë në 85 mijë e 106 punonjës, një shtesë prej rreth 500 personash në raport me një vit më parë. Ky numër ka ardhur në rritje nga viti në vit, dhe nga ekspertët vlerësohet se bëhet për arsye elektorale.
“Në rekomandimet e tij edhe Bashkimi Europian ka cilësuar keqpërdorimin e administratës për qëllime politike si përdorimi elektoral. Në administratën publike dhe shërbimet, janë dhe punonjës që sistemi TIMS i nxjerr që janë jashtë vendit dhe paguhen”, Zef Preçi, ekspert ekonomie.
Ministria e Bujqësisë kryeson listën e institucioneve që do të rekrutojnë më shumë punonjës. Më pas, vjen Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, për t’u pasuar me ministrinë e Financave, Kuvendin dhe institucione të tjera. Ndërkohë 8 institucione raportojnë për një shkurtim të vendeve të punës, por gjithsej janë 44 të punonjësit që largohen.
Njëkohësisht jemi në krizë deficense të numrit të personelit në shërbimet bazë si shëndetësia, arsimi etj., pa folur më tej për cilësinë e tyre”, tha Preçi.
Kosto shtesë për buxhetin e vitit 2024 do të jetë dhe krijimi i 3 Agjencive të reja si Start up-et, Vetëqeverisja Vendore, Inovacioni, si dhe Qendra kundër Radikalizmit. Në total për to do të rekrutohen 100 punonjës. Në nivel qendror dhe vendor numri i punonjësve në administratën shtetërore ka shkuar deri në rreth 185 mijë të punësuar.