Avokat Brikena Bogdo
“Kuvendi është i detyruar ta miratojë ngritjen e Komisionit Hetimor” – shkruhet që në kreun e parë, të ligjit për ngritjen e Komisioneve Hetimore Parlamentare. Kjo fjali, e vendosur në krye të ligjit, është e mjaftueshme, që komisionet të ngrihen menjëherë.
Në këtë ligj, në nenin 4, pika 2, shkruhet: “Rregullat e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale për hetimin zbatohen drejtpërdrejt nga komisionet hetimore të Kuvendit, për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”. Pra Komisionet hetimore kanë kompetencë, sic ia lejon ky ligj, të kërkojnë, të hetojnë, të gjitha llojet e provave, dëshmitë, të bëjnë pyetje të të pandehurve dhe palëve private, ballafaqime, njohje, eksperimente, ekspertime, prova materiale, dokumenta. Sipas Kodit të Procedurës Penale, mjetet e kërkimit të provës janë kqyrjet, kontrollet, sekuestrimet, përgjimet. Kjo i ben tejet të rëndësishme dhe të fuqishme këto komisione. Vetëm me dy nenet e sipërcituara komisionet kanë tagrin, të ngrihen menjëherë dhe të ushrojnë funksionin e tyre me autoritet të plotë.
Ligji per komisionet hetimore eshte hartuar ne vitin 2002, kur në pushtet ishte Partia Socialiste. Sot në pozitë, PS nuk lejon implementimin e këtij ligji. Ky është problemi kryesor, moszbatimi i ligjeve, jo hartimi i keq i tyre.
Një nga justifikimet që nxjerr maxhoranca për moslejimin e ngritjes së komisioneve hetimore, është ndryshimi i legjislacionit për këto komisione. Ndryshimi nuk është i domosdoshëm, sepse është hartuar mirë në thelb, por sigurisht duhet lehtësuar nga disa nene, që janë stërkëmbsha per ngritjen e komisioneve dhe funksionimin e tyre, per të realizuar qëllimin, kontrollin dhe hetimin.
Në fakt, ky ligj duhet të lehtësohet nga disa nene që i japin të drejtën maxhorancave që të shmangin komisionet hetimore, ti venë shkopinj ndën rrota, të jenë disfunksionale, apo të rezultojnë me vendime të pavlefshme për hetimet e mëtejshme të Prokurorisë, (komisioni nuk mund të ngrejë akuza, pra nuk merr atributet e prokurorisë penale dhe as të ushtrojë atributet e gjykatave).
Neni 8, pika 1, shkruan: Kuvendi miraton ngritjen dhe përbërjen e komisionit të kërkuar, sipas nenit 5 të këtij ligji, me shumicën e thjeshtë të deputetëve të pranishëm.
Këtu fillon ngërci i parë, kontradikta dhe kakofonia. Në fillim të kreut, thuhet që parlamenti është i detyruar, që të miratojë ngritjen e komisionit. Më pas, thuhet se Kuvendi e miraton me shumicë të thjeshtë të deputetëve të pranishëm, sipas përkatësisë politike, si dhe kryetarin e zëvendëskryetarin.
Kjo është tejet qesharake, sepse i hap rrugë asaj cka po ndodh aktualisht. Maxhoranca me fuqinë e kartonave ndal hetime të rëndësisëhme, të opozitës dhe të qytetarëve, që ata përfaqësojnë, nuk pranon asnjë komision hetimor, duke shkelur edhe Kushtetutën. Në fillim të ligjit thuhet, se parlamenti e ka detyrim, ta pranojë komisionin, pastaj thotë që duhet të kalojë ndën kamzhikun e maxhorancës, e cila brutalisht e hedh poshtë. Duhet lehtësuar legjislacioni, që detyron të kalojë, në seancë plenare ngritjen e komisionit. Ashtu si maxhoranca për katër minuta kaloi, në seancë plenare buxhetin, po ashtu duhet të ngrihen komisionet hetimore, nëse ka vërtet vullnet për transparencë.
Sipas këtij ligji, komisionet hetimore të Kuvendit, paraqesin rekomandime në seancë plenare dhe, kur këto miratohen, i dërgohen Prokurorit të Përgjithshëm për marrjen e masave të mëtejshme. Përsëri, faktet dhe provat e administruara nga ky komision, duhet të kalojnë nga parlamenti, gjë që e vështirëson, procedimin penal dhe fillimin e hetimit gjyqësor.
Një tjetër stërkëmbësh i këtij ligji është që, komisioni duhet të ketë, pothuaj të barabartë, numrin e deputetëve të maxhorancës dhe opozitës, vetëm me një deputet më shumë, duke e bërë disfunksional këtë komision, duke i dhënë maxhorancës shumë fuqi për ta penguar punën.
Është absurde që pjesë e komisionit të jetë edhe maxhoranca, e cila është e akuzuara kryesore e aferës që do të hetohet. Ka vullnet një maxhorancë, të hetojë vetveten? Nuk ka ndodhur kurrë, në këta 30 vite, që tentojmë të ngremë shtet demokratik. Në rastin konkret jemi ndën një maxhorancë që nuk ka asnjë vullnet politik për t’u hetuar. Atëhere lind domosdoshmëria, jo shumë i ndryshimit të legjislacionit, por më saktë thjeshtimit të procedurave për ngritjen e këtyre komisioneve.
Në kreun e katërt, tregohet kryerja e hetimeve: Pas njohjes me objektin e çështjes që do të hetohet, komisioni mbledh të dhëna për çështjen. “Të dhënat mund të jenë informacione zyrtare dhe jozyrtare, por që njihen publikisht”. Ky paragraf ka qenë një pengesë, e nxjerrë nga institucionet, për kërkimet e komisioneve hetimore. Një nga problemet që kanë parashtruar deputetët e opozitës, ka qenë pikërisht fakti, që i kanë dhënë informacione të njohura publikisht, por absolutisht të pavlera për hetimin. Të dhënat, që nisen në publik janë krejt të limituara nga kjo maxhoranvë, e cila ka bunkerizuar transparencën, që është dhe themeli i një demokracie.
Rregullat e parashikuara në kodin e Procedurës Penale zbatohen drejtpërdrejt nga komisionet hetimore. Për këtë arsye, këtyre komisioneve (ashtu si edhe prokurorisë) duhet t’i ofrohen të gjitha dokumentacionet dhe faktet, dëshmi, eksperimente, ekspertime, prova materiale, kqyrje, kontrolle, sekuestrime, përgjime, që shkojnë shumë përtej asaj cka i ofrohet publikut. Por, në Shqipëri, ndodh që, jo vetëm parlamentarëve nuk i jepen dokumentacionet e duhura, por as prokurorisë ( në rastin e 21 janarit, Prokurorisë nuk ju ofuan të dhënat nga kryeministria).
Së fundi, edhe mbase nga më të rëndësishmet e një ligji, është forca shtrënguese e tij, penaliteti. Gjithkush që e pengon ngritjen domosdoshmërisht të komisioneve hetimore dhe dhënien e dokumentacioneve të nevojshme, të mbajë përgjegjëesi dhe të marrë penalitetin e përcaktuar me ligj. Një ditë, gjithkush paguan dhe mban përgjegjësi, jo vetëm morale, por edhe ligjore e penale.
Ky është problem i të gjithë maxhorancave, kur marrin pushtetin. Përse është kaq i komplikuar procesi i kontrollit të një zyrtari, sado i lartë, duke prekur në këtë mënyrë thelbin e demokracisë, kontrollin? Kontrolli duhet të ishte procesi më i natyrshëm në një vend, që pretendohet demokratik. Përse mekanizmat e kontrollit, komisionet hetimore, apo Kontrolli i Lartë i Shtetit, cdo hetim i tyre rezulton nul?
Kontrolli i Lartë i Shtetit nxjerr cdo vit raportin vjetor me miliona lekë abuzime të institucioneve dhe administatës shteëtrore, por Prokuroria kurrë nuk ka hapur një proces kryesisht, duke u bazuar në hetimet e KLSH-së. Nëse kjo do të kishte ndodhur, nuk do arrihej në këto nivele korrupsioni. Prandaj eshte kapur drejtësia, kyci i hetimit dhe i ndëshkimit. Cfarëdo mekanizmash, të ngresh për kontroll dhe denoncim, asnjë të mos dënohet realisht, por të bëhet një shoë mediatik dhe procese politike.
Ligji duhet të mbështetet në tre elemente themelore: 1. Komisionet hetimore të ngrihen automatikisht, pa miratimin me shumicë të thjeshtë, në seancë plenare. 2. Komisionet të ngrihen me deputetët që e kërkojnë, pa ju vënë ndën rrota deputetët e maxhorancës, që nuk do kenë kurrë vullnet të lirë, që të hetohen. E treta, penalitet për këdo që pengon ngritjen e komisionit, si dhe hetimin, duke mos dhënë dokumentacionin dhe provën e kërkuar. Pra ti hiqen ligjit stërkëmbëshat