Kreu i PD, Sali Berisha ishte sot në Vlorë me rastin e 111-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.
Pasi ka vendosur kurora te Varri Monumental i Ismail Qemalit, Berisha përcolli një mesazh për shqiptarët.
Berisha: Sot, mbarë shqiptarët, kudo që janë, përulen me mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh, para veprës së pavdekshme të Ismail Bej Vlorës, ditës së Flamurit Kombëtar, ditë e të gjitha ditëve të kombit shqiptar.
Me aktin e tij të një vizioni dhe kurajo të jashtëzakonshme, Ismail Bej Vlora, bëri të mundur ekzistencën e Shqipërisë dhe kombit shqiptar.
Pa këtë akt, Shqipërinë dhe shqiptarët i prisnin greminat, honet e historisë.
Sot, ata janë anëtarë të NATO-s, Kosova është e pavarur.
Por unë erdha këtu për t’u betuar para varrit të Ismail Bej Vlorës, se Pashiqi shqiptar, që sapo ka vendosur kurorën aty, e ka të fundit, sepse shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që ndodhen, do e paketojnë atë në Beograd, aty ku e ka vendin.
Tradhtar si ky, kombi nuk ka pasur ndonjëherë në histori.
Dhe ky është një zotim solemn përpara Babait të Pavarësisë se edhe njëherë, Pashiqi nuk do ketë vend në Tiranë, por të shkojë në Beograd te padroni i tij Vuçiç.
Gëzuar qytetarë dhe qytetare të Vlorës, gëzuar shqiptarë dhe shqiptare kudo që jeni, këtë ditë të bekuar, këtë feste të të gjitha festave tona.
Rroftë flamuri ynë, nderim përjetë Ismail Bej Vlorës dhe etërve të pavarësisë.