Një volum i ri me kode të aplikacionit “SKY ECC” të përdorur nga disa prej të dënuarve me krime të rënda në Shqipëri, janë marë në shqyrtim nga prokurorët e posaçëm.
Bisedat për urdhëra kriminale janë dhënë nga brenda ambjenteve të burgut Peqin, burgut Kosovë në Lushnjë, dy paraburgimeve 313 dhe 302 në Tiranë, Fushë-Kruja, etj, ku vuajnë dënimin bosët e krimit të organizuar në Shqipëri.
“Ora News” ka mësuar se disa nga personazhet që dalin në bisedat e “SKY”, i përkasin botës elitë të krimit të organizuar, të cilët sipas përmbajtjes së komunikimeve kanë vendosur gjoba financiare tek biznesmenë të ndryshëm në vend.
Kanë urdhëruar vrasje dhe krime të ndryshme, kanë koordinuar nga ambjentet e burgut trafikun e kokainës dhe njëherësh kanë kryer çdo pazar të mundshëm për korruptimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim uljen e dënimit.
Ky volum i madh i bisedave të zhvilluara në “SKY” ka nxjerë zbuluar dhe parametrat e sigurisë në burgje, ku tregohet qartë se kapot e krimit të dënuar me 20, 25 dhe burgime të përjetshme, dukshëm kanë një avantash me pjesën tjetër të të dënuarve dhe janë defakto zotërit dhe komanda drejtuese e burgut ku vuajnë dënimin.
Në biseda përmes aplikacionit “Sky” del dëshira e tyre për mobilimin me orendi luksi të qelisë e deri tek urdhërat kriminalë, që tashmë janë bërë objekti kryesor i punës hetimore të SPAK. Dy prokurorë të SPAK dhe oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit janë angazhuar me krahasimin e këtyre bisedave me veprime konkrete në teren. Ka shumë gjasa që kjo çështje të konkretizohet me arrestime konkrete në ditët në vijim.
Në shumë raste kriminale gjatë periudhës 2019 deri në vitin 2021 aplikacioni “Sky” është përdorur nga të dënuarit që vuanin ose vuajnë dënimin në burgje, për qëllime dhe detyra të posaçme kriminale.
Në dosjen e parë të koduar “Metamorfoza”, SPAK provoi se Behar Bajri, komunikonte nga brenda burgut 313 me Pëllumb Gjokën dhe persona të tjerë përmes një kodi “Sky” me shifrat U2BA3G. Ndërsa shumë raste të tjera dhe që pritet të arrestohen në burg janë zbuluar nga SPAK, si të përfshirë në veprimtari kriminale.