Intervista eksluzive/ Rrëfimi i jetës/ Mirush Kabashi: M’u dha titulli “Artisti i merituar”, pasi, për fat të mirë, Enveri pëlqeu “Koncert në vitin ‘36”….

0
399

Bisedoi: Violeta Murati

Kur mbushi 65 vjet, në 17 prill të 2013, aktorit Mirush Kabashi i morëm një intervistë të gjatë, një rrëfim mbi jetën, dhe angazhimin e tij në teatër, që prej viteve ’70-të. Me atë rast, në pallatin e kongresve, Kabashi për herë të parë interpretoi një monolog të panjohur për publikun, që ishte, dhe si duket mbeti deri tani, si komunikim i fshehtë për më shumë se 20 vjet mes artistit dhe dinjitetit të tij. Në atë rast, gazeta “standard”, i mori intervistën e mëposhtme, duke e risjellë si shenjë urimi e gjesti për kontributin artistik, sidomos në teater

 

Kanë kaluar 20 vite që Mirush Kabashi s’ka lënë vend të Evropës e përtej, në komunikim shqip të gjuhës së Sokratit, me “Apologjinë e Sokratit”. Ka 40 vjet karrierë të ndarë si me thikë në cilësinë e sfidave që pati në diktaturë e post; ka recituar në sheshe, me tekste poetike të gjuhës së ashpër e filozofike kundër politikës, korrupsionit, duke i nxjerrë edhe telashe. Më ‘98 del i papunë dhe gati ta krahasojë këtë me sindromën, gjurmën e punës në prodhim më ‘70, që për arsye biografike, e çuan të lidhte vagonë. Me këto eksperienca, sheh qartë e më qartë, Kabashi duke bërë diferencën e demokracisë, se si të jep mundësinë për të punuar. Në teatër ka 100 role, në kinematografi ka luajtur 30 personazhe, ka debutuar artistikisht (si recitues) në dhjetëra skena të Evropës. Ky aktor e kalon përmasën e tij, flet pa dorashka për artistët e kapur nga politika, pozicionimin e tyre, në ngjyra. Ndërsa në një përvjetor tregues, të datëlindjes, ka reaguar në formën artistike, në një mbremje, me monologun që e mbante në sirtar, mbi “Dinjitetin e artistit”.

Ju keni prezantuar një monolog të panjohur që qëndronte prej 20 vitesh në mendjen tuaj, pa u vënë në skenë. Një monolog për dinjitetin e artistit, shkruar nga një autor francez. Ç’është kjo histori?

Kjo lidhet gjithnjë me ato ëndrra që kanë artistët. Unë kam pasur dy ëndrra; njëra prej tyre ka qenë apologjia e vërtetë e Sokratit, të cilën duke qenë dhe monodramë arrita ta formuloj si tekst, një ekstrat kuptohet nga varianti i Varnalasit, po arrita ta dramatizoja këtë vepër dhe të vë në skenë. Ndërsa tjetra ka qenë monologu; një vepër e Rosanit, një komedi e njohur me nivel botëror. Ndoshta është, si titullohet komedi heroike e nivelit shekspirian, e vënë në disa teatro të botës, dhe e xhiruar në disa variante filmike, për disa nga vlerat e jashtëzakonshme jo vetëm artistike, por dhe mesazhet e përjetshme e përbotshme. Në mënyrë të veçantë në këtë periudhë të tranzicionit tonë të gjatë kur janë bërë shumë kompromise me moralin me dinjitetin dhe karakterin. Gjykoj se, kjo vepër do ishte mirëpritur dhe njëkohësisht do ishte kontribut edhe në këtë drejtim përveç atij artistik, për të kuptuar se pasuria më e madhe e njeriut është dinjiteti, çfarë ai i jep shoqërisë, jo ajo çfarë ka marrë nga shoqëria. Fisnikëria është pasuria e madhe që të shoqëron në këtë histori shoqërore.

 

Pse nuk e keni propozuar për në skenë deri tani?

Nuk është realizuar, sepse për fat të keq është një vepër e stërmadhe, ka skena masive dhe kërkon një fond shumë të madh. Pata arritur të sensibilizoj kur kam qenë për herë të dytë në Kajro. Një regjisor francez me emër i cili së bashku me Sesila Plasarin patëm arritur ta sillnim, të gjenim dhe një mbështetje financiare krejtësisht në rrugë private për të ardhur e komunikuar me zotërinjtë e Ministrisë, po për fat të keq nuk treguan as minimalen e vëmendjes, gatishmërisë. Kështu që mua më pati mbetur një monolog i tij, i hundës si mund të thuhet dhe shpatës që e kisha realizuar në pallatin e sporteve shumë vite përpara me Koço Devolen dhe siç shihet këtë monolog e mbajta për vete për të gjetur ekuilibra dhe referuar njeriut… Është i fat i madh se kur i ke fjalët e të mençurve dhe të të diturve dhe në nivel botëror, por edhe në nivel kombëtar nuk i ke vetëm për t’i transportuar, por edhe për të nxënë në vetvete. Kështu, kam pasur fatin të kem edhe Sokratin, që ta gërmoj dhe zbuloj.

 

Duket sikur s’janë rastësi ca momente apo episode që lidhen me thelbin e jetës, siç është data e lindjes….

 

Oh, 17 prilli!

 

…Në këtë rrugë të gjatë, çfarë e ndërton dinjitetin e artistit; për çfarë keni luftuar, me çfarë ju është dashur të sfidoheni?

Sfidat kanë qenë shumë të mëdha e të ndryshme. Ka një ndryshim shumë të madh të sfidave, me cilësinë e tyre përpara viteve ‘90 dhe pas viteve ‘90. Para ‘90-ës ashtu si gjithë artistët dhe intelektualët luftonin për të mbijetuar, sepse nuk mund të flisje për një dinjitet, kur edhe një mendim krejtësisht i zakonshëm, i thënë ndoshta edhe pa të keq si: “Ore ç’bëhet na mungoi qumështi edhe sot”, “erdhi me vonesë” etj., etj., mund të bëhej rrezik për të internuar jo vetëm veten, por gjithë rrethin familjar. Për të mos folur për gjëra të tjera që lidhen me artin, ku artistët konsideroheshin në mënyrë krejtësisht të paturpshme si ndihmës të partisë në edukimin komunist të masave. Kështu që, ishte një kornizë ku nuk mund të lëvizje. Por kjo kishte një vlerë për të gjithë njësoj. Dëmi më i madh i atij sistemi nuk ishte vetëm ekonomia, por i tjetërsoi njerëzit, u hoqi individualitetin dhe gjykimin e tyre. Secili duhej të mendonte ashtu siç ishte shkruar, siç mendonte partia.

Pas viteve ‘90 nisëm të kuptonim se demokracia nuk është privilegj, por është përgjegjësi, që duhet ta mbanim secili nga pak. Njëherë morali ishte i shkatërruar, rendja për të vënë materialisht atë që e kishim humbur në mënyrë të padrejtë për 50 vjet, i detyroi njerëzit të bënin dhe disa kompromise; apo në një drejtim tjetër të luftonin për pasuri, po përsëri duke shkelur mbi moralin. Edhe ligjet filluan të bëheshin mbi bazën e interesave, jo mbi bazat e parimeve, që akoma më tepër e kompromentoi shoqërinë tonë. Ky për mua është problemi kryesor, sfidat e reja që erdhën dhe për artistët. Në pikëpamje të moralit, të dinjitetit, karakterit të ligjit dhe zbatimit të tyre ka probleme të mëdha. Tek ne mendësia është ajo që na frenon dhe ndoshta ka shkuar pak më mbrapa. Ne, si shoqëri, kemi nevojë të ngrihemi që të bëhemi më të ndërgjegjshëm, që të ndryshojmë nivelin e udhëheqësisë dhe që udhëheqësia të kuptojë se ne kemi nevojë për moral, dinjitet. Ne kemi nevojë për mendësi demokratike, ku të kuptojmë se e drejta ime mbaron aty ku fillon e tjetrit dhe se drejtësia është mbi gjithçka. Dhe për këtë janë dy institucione: ato fetare dhe kulturore-artistike.

 

Ka njerëz që transformohen nga eksperiencat e jetës, apo nga profesionet, apo nga faktorë jashtë vetes. Ju jeni aktor dhe kulmi juaj është me “Apologjinë e Sokratit”, por në brendësi shoh në sqimën që keni në zgjedhjen e teksteve që moralizojnë dhe janë filozofikë. Bën diferencën kjo me mënyrën si ju e shikoni politikën, shoqërinë, artistët ndoshta edhe veten tuaj? 

Sa herë u referohem qoftë Sokratit, poezive apo edhe monologut të fundit, zbuloj çdo kohë gjëra të reja, që janë shumë të vlefshme së pari për mua, më pas dhe për shoqërinë. Ato lexohen gjithë jetën, gjithë kohën. Janë tekste që transformojnë dhe veprojnë jo vetëm tek artisti, por në gjithë shoqërinë, dhe politikën njëkohësisht. Këto tekste flasin shumë. Është një pasqyrë që nuk mund t’i shmangesh dot; nuk të pasqyron ashtu si ti përpiqesh të dukesh, po ashtu siç ti je në të vërtetë. Të zhveshin nga truket, nga fasadat në mënyrë të veçantë. Jo vetëm politikën, por edhe shoqërinë. Janë shumë të ashpra me individin po ashtu. Zbulojnë deformimet njerëzore, por njëkohësisht edhe vlerat, duke mos lejuar fshehjen pas demagogjisë.

Atëherë, unë nuk them se në shembullin tim mund të flitet. Edhe unë kam kompromiset e mia. Atëherë kur është dashur të flas, nuk e kam ngritur zërin, nuk e kam thënë. Por kurrë nuk ia kam lejuar vetes, të paktën në këtë periudhë, që ta them atë që nuk duhet thënë për hir të një raporti ndaj vetvetes.

Unë gjykoj se këtë e ka në dorë çdo njeri për ta bërë. E di, jam i ndërgjegjshëm, që ka një faturë e vërteta, për t’i thënë këto me zarfet e moralit, dinjitetit, të karakterit të një mendësie tjetër… Po, ka faturë. Por nganjëherë mënyrat e të thënit të kthehen në bumerang, pozicionimi të kthehet në bumerang. Prandaj, më duhet të them se fati që kemi ne, si pjesë e shoqërisë së shkolluar, na vë para përgjegjësisë. Në këtë periudhë mendoj se arti dhe njerëzit e kulturës nuk duhet të shikojnë profesionin e tyre në kornizë, në aspektin argëtues, çlodhës, antistres ose të merren me sipërfaqen. Ato duhet të mbajnë përgjegjësi për problematikat që ka shoqëria, individi. Duhet bërë art militant, jo në kuptimin e mbrojtjes së idealeve të partisë, politikës apo superstrukturës… por në kuptimin e mbrojtjes së idealeve të një shoqërie të parimeve kryesore që ka morali, dinjiteti njerëzor. Në këtë pikëpamje, duhet të jetë militant dhe të mbrojë të vërtetën me gjithë koston që ajo ka. Kam gjykuar se edhe ne artistët duhet të jemi absolutisht jashtë politikës. Në pikëpamje të së drejtës për të mbrojtur moralin, kryesisht në pikëpamjen e moralit të vetë artistëve duhet të marrim këtë angazhim. Kështu që, gjithë repertori që unë kam zgjedhur gjatë gjithë këtyre viteve, ka qenë një repertor i zërit, të militojë për ndërgjegjësimin, emancipimin dhe të shërbejë që kjo mendësi jona të ecënë mënyrë progresive me atë ekonomike.

 

Kur e keni nisur aktrimin apo kur ka lindur dëshira për të qenë aktor, rrugët ku ke shkelur?

Jam aktivizuar fillimisht në shkollën fillore. Kam qenë shumë i ndrojtur në familje. Kam pasur një trashëgimi, nëse mund të konsiderohet. Një daja im përkthente shumë nga anglishtja. Ai kishte mbaruar një shkollë amerikane dhe ishte zotërues i shumë gjuhëve të huaja. Në familjen time nuk ka pasur ndonjë sensibilitet tjetër përveç këtij fakti. Pastaj në shkollën 7-vjeçare një mësues i letërsisë, Ramadan Kalaci, nuk e harroj, në ato konkurrime në shkollën më aktivizonte. Ishte një fat, krejt rastësi kur edhe në gjimnaz u organizua një konkurs midis gjimnazeve dhe atje m’u dha një rol. Ishte një rol italiani, kuestori, shkruar nga Tefik Çaushi. U bë shkak kjo shfaqje që më evidentoi si duket në nivelin e gjimnazistëve dhe u përfola si emër. Kur mbërrita në maturë, në kohën e të drejtave të studimeve, ata të seksionit ma vunë si të vetmen mundësi alternative të studioja aktrim, ndërsa kisha vënë fizikë, inxhinierinë elektrike dhe anglishten. Por më thanë jo, vetëm në aktrim mund të bëja konkurs. Në fakt, dëshirën e kisha. Shikoja shumë filma, teatër, edhe pse isha nën moshë në atë kohë. Gjeja çdo mundësi për të parë film. Ka pasur një kinema verore dhe arrita ta shikoja “Hamletin” mbi 17 herë. Më pas konkursi më dha të drejtën të nisja Akademinë e Arteve. Në katër vitet e shkollës së lartë nuk arrita të hapesha. Nuk arrita të krijoja besim te pedagogët e mi. Por pa dyshim, pata fatin që në fund, viti i tretë dhe i katërt, të kisha pedagog një nga kolosët, siç ishte Piro Mani, si drejtues. Më pas puna në teatrin e Durrësit, pata fatin që nga janari i ‘71-shit të filloja punën. Ishte një trupë mjaft e përkushtuar e ndonjë prej tyre me talent ndërkombëtar dhe me pasion të jashtëzakonshëm për teatrin. Një trupë shumë interesante.

 

Ndoshta rolet filmike, para ‘90-ës, por edhe teatri kanë ndikuar në formim, duke qenë edhe një artist i angazhuar, kujtojmë; përfshirja me sindikatën, ndër të parat në mbrojtje të artistëve; kontributi në ligjin e teatrit; rebelimi i artistëve ndaj politikës në vitin 2000, kur ju ishit në vijën e parë; nxitësi për të celebruar kulturën shqiptare jashtë, si në Francë apo gjetiu në Evropë. Edhe në bisedën e bërë deri tani, ju e kaloni pjesën artistike duke reflektuar apo reaguar si qytetar. Nuk mjafton artisti për të kaluar në anën tjetër, qytetarit?

Shkon gjuha ku dhemb dhëmbi, kur thotë populli. Unë jam i shqetësuar, sepse ky është vendi ynë. Dhe unë këtë vend e dua. Këtu kemi familje dhe fëmijët tanë. Në moshën time njeriu kujton se duhet të lërë pasardhës. Unë kam dy vajza, por është edhe një shoqëri e tërë që më dha mundësinë për të ardhur deri këtu ku jam. Siç është fjala e urtë: unë vola frytet e atyre që patën mbjellë dhe tani jam unë që duhet të mbjellë! Ndihesh më shumë qytetar sesa artist apo qoftë i profesioneve të tjera. Sepse, ke përgjegjësinë e qytetarit, sepse nuk të jesh mirë, në një shoqëri që nuk shkon mirë. Është një shans i jashtëzakonshëm kjo që i është dhënë vendit tonë ose kombit tonë në këto 20 vite të fundit. Flas për demokracinë, për Kosovën që mori lirinë, pavarësinë; për shqiptarët në Maqedoni të cilët kanë të drejtat e tyre; hyrja në NATO, mundësia për të hyrë dhe në Evropë. Është absurditet që tashmë ajo ëndërr qindravjeçare e idealistëve tanë që të inkuadrohen aty ku e kemi vendin në familjen evropiane, tani është Evropa që na hap dyert dhe jemi ne që për të inat sime vjehrre shkojmë e mbyllim derën, i vëmë fre. Ky nuk është problemi i politikës, por është i shoqërisë, e cila nuk është e emancipuar deri aty sa t’i vërë kufirin politikës për të mos lejuar të luajnë me ëndrrat tona. Prandaj, edhe unë kam gjykuar, ashtu si artistët jashtë, përveç profesionit të tyre zgjedhin edhe nga një fushë, siç është p.sh. mbrojtja e kafshëve! Por ne nuk i kemi këto komoditete, ne duhet të merremi me gjëra më thelbësore. Qysh në fillim, nga ‘90-‘92, kam qenë autori i shfaqjes së parë demokratike me një koncert poetik, recital të titulluar “Për demokracinë”. Një orë e gjysmë materiale poetike për demokracinë, duke vendosur të mos merrem me politikë, me gjykimin se artisti duhet t’i takojë një shoqërie dhe arti duhet t’i takojë kësaj shoqërie. Në këtë aspekt, gjykova se sindikata, që është një shtyllë që mban ekuilibrat e demokracisë, mund të ishte një fushë ku mund të kontribuoja. Kam qenë kryetar i parë i sindikatës qysh më ‘90-ën. Dhe këtë po përpiqem ta mbroj deri tani, kur jam në prag të daljes në pension. Por për fat keq, ndiej se shumë pak vend na ka lënë përsëri politika. Janë politizimet që artistët në vend t’i grumbullojnë në mbrojtje të interesave dhe dinjitetit të tyre, i kanë shpërndarë ca të kuq, ca blu e ca jeshilë…

 

Keni marrë titullin “Artist i merituar”?

Po, më është dhënë në vitin 1983, kurse më 1998 m’u dha “Mjeshtri i madh i skenës” pas realizmit të “Sokratit”.

 

Në fakt, është hera e parë që një artisti i bëjmë një pyetje të tillë, po natyra juaj e hapur më detyron të vazhdoj në këtë argument, ku titujt “Artist i merituar” apo “Artist i Popullit” dhënë sipas ligjeve në kohën e Enverit, duke u motivuar me përafërsi se është kontribuar në ndërtimin e socializmit dhe vendosjen e diktaturës së proletariatit, duke i shërbyer ideologjisë komuniste! Ligji në fakt është shfuqizuar më ‘94, po debati ynë është: A duhet të hiqen nga CV-të e artistëve këta tituj, pasi është e qartë kujt i kanë shërbyer?!

Më duhet të sqaroj se titulli më është dhënë pasi u përzura nga puna dhe për disa vite kam punuar si punëtor, në prodhim. Mbarova shkollën, punova katër vjet dhe më hoqën për arsye biografie. Në biografinë time rezultonte një dajë i pushkatuar (para se unë të lindja) që në fakt nuk ishte i tillë, por i zhdukur pa gjyq. Ishin vështirësi të kësaj natyre që më kanë ndihmuar jo pak, një kornizë shumë e ngushtë që kisha për ta kompensuar me punë.

Më është dhënë titulli “Artisti i merituar” pasi (këtë e kam thënë) që për fat të mirë, i pati pëlqyer Enver Hoxhës filmi “Koncert në vitin ‘36”. Ishte ndër filmat e parë që merrja pjesë, që m’u dha e drejta në role negative. Pjesëmarrja e parë ishte në filmin “Emblema e dikurshme” në rolin e një azmatiku, e para herë që më jepej e drejta të luaja në një film, pas një përpjekjeje shumë të fortë të Ylli Pepos. Më kishte kërkuar më parë Viktor Gjika për të luajtur në filmin “Përballimi”, por i kishin thënë se pata biografinë e keqe dhe në atë kohë isha në prodhim duke punuar. Kështu fjalët e Enverit ndikuan, – bashkë me Robert Ndrenikën që ishin gati ta hiqnin edhe nga Teatri Kombëtar, ishte arratisur një vëlla i tij, – kështu që ne na puqi fati, edhe tek “Emblema…” edhe te “Koncerti…” – dhe për mua, diktatori tha: “Mor po atij i meket goja”. Dhe mjafton kaq, këto ishin kriteret në atë kohë.

Po të kishe fatin të të pëlqente i madhi, atëherë menjëherë ndryshonte çdo gjë. Kjo ishte arsyeja pse m’u dha titulli dhe m’u hap një dritare për të qenë më prezent. Sigurisht, jo për të luajtur heroin, se kishte kërkesa të tjera për të. Por ishte dhe për faktin se ndoshta isha kosovar, pasi në të njëjtën kohë ishte Kujtim Buza dhe tre të tjerë që morën tituj, me origjinë prej Kosovës. Në fakt, ky është vërtet një debat i madh për t’u hapur.

Unë nuk mund ta harroj një moment në Itali më duket, kur në një koncert shqiptarët vinin për të më uruar, kur njëri më shikonte dhe qeshte, dhe më tha: A nuk e patë të arsyeshme ju artistët të kërkonit të falur?! Më ngriu buzëqeshja dhe ai vazhdoi: I keni shërbyer për 50 vjet diktaturës! Nuk e kisha menduar këtë. Megjithatë, i bëj një apel vetes dhe për ato vitet e mia, që kam kontribuar në art, prej vitit ‘70 deri në ‘90-ën, me thënë të drejtën, i përgjigjem se nuk gjej ndonjë gjë, që mund t’i kem lejuar vetes pisllëkun e madh për t’u inkuadruar, aq më tepër për t’i bërë keq kujt… po shqiptari vazhdoi: Ty të gjeta, ndaj po them! Kishte të drejtë. Mirë do kishte qenë mbase dhe nga ana jonë, që ne artistët ta kishim nisur të parët këtë gjë, faljen, pranimin, rrëfimin. Pastaj të nisej nga të tjerët. Mirëpo në demokracinë shqiptare u bë një dëm i madh, një deformim i madh, që nuk u dha mundësia për t’u hapur dosjet apo për t’u zhvilluar mundësia e rrëfimit, pranimit. Kjo do t’u hapte rrugë mendësive të reja të ecnim përpara. M’u kujtua se në një emision televiziv në mars të ‘90-ës, së bashku me Koçon Devolen patëm vendosur të bënim një rubrikë, ku duke filluar nga ne, të tregonim se si kishim thënë fjalë në mbrojtje të sistemit. Kjo të konsiderohej një lloj faljeje dhe për krijuesit e këngëve, dramaturgët etj., por do ishte edhe një lloj pastrimi.

A gjetët materiale, a pranuan artistët të dëshmonin? Cili ishte reagimi?

Gjetëm material, po menduam se duke nisur nga vetvetja. Ka pasur një reagim të jashtëzakonshëm për të fshehur të vërtetën. Për të mos zbuluar të vërtetën. Kjo dukej mbase prej tyre si formë e ajsbergut. Ata mund të kenë kujtuar se krijimtaria ka vetëm pjesën e sipërme, atë që duket e mungesës së dinjitetit, gjithsesi e justifikuar në atë periudhë se s’kishin alternativë tjetër. Kjo e pranon faljen, por ama, kur poshtë ajsbergut rezulton se ke shkelur mbi jetën e dikujt tjetër, dhe te të tjerë për të treguar një partishmëri, ose ke ndërtuar të ardhmen tënde mbi bazën edhe të dëmtimit të të tjerëve, atëherë ky është kompromis i papranueshëm. Kjo të ka deformuar, ndaj je i detyruar të kërkosh falje e të tërhiqesh. Prandaj, çështja e titujve që përmende më lart, ku më të paktën që është bërë është se kanë ikur këta tituj nuk janë më. Po, realisht, por tashmë ka filluar konvertimi titulli “Artist i merituar” i takon medalja “Naim Frashëri” i klasit të parë, titulli “Artist i Popullit” i takon “Mjeshtri i Madh” i penës për shkrimtarë, i skenës për artistët e skenës. Është bërë ky ndryshim.

 

Është një shqetësim i kohës që ngrihet në fakt, pas kësaj, duke pasur parasysh se si është zhvilluar kinemaja, teatri në Perëndim, ndërtuar mbi baza sa të vlerës artistike ,aq dhe të vlerës së tregut, që vendosin karrierën e një artisti. Këtu akoma kjo vlerë konsiderohet kur merr një titull nga Presidenca apo politika. Pse nuk e arrijmë dot këtë ndarje, mendësi?

Ashtu si në çdo gjë, edhe në këtë fushë ka një politizim. Një pjesë e titujve, ashtu siç është abuzuar, edhe atëherë kur jepeshin mbi baza të biografive, përpara ‘90-ës, edhe këtë radhë janë bërë mbi bazën e politizimit. Është abuzuar, se po të jap titull për të qenë me partinë time ose që të më mbetesh borxhli që të të inkuadrojnë. Në mënyrë të veçantë në periudhën e fundit nuk ka pasur fare kritere dhe ato të pakta kritere që janë, nuk janë zbatuar në mënyrë absolute. Por, t’i themi gjërat realisht, nuk është se titujt sot të japin ndonjë privilegj të madh. Ti mund të kesh tituj sa të duash, por nuk ke një status për artistin. Titulli vlen vetëm për pension, si një trajtim më të veçantë dhe nuk ka të bëjë fare si artist, por nga pozicionimi, arsyetimi politik nga partia që ka fuqinë në dorë. Në kuadrin e sindikatës, së bashku me artistë të tjerë kemi luftuar që të aprovojmë një status, që të paktën në konsideratën time të mos varemi nga opinionet politike apo pozicione të tilla.

 

Ndaj konkluzioni i kësaj interviste, na del pak i ashpër, i egër: kemi artistë që pozicionohen, sipas politikës së ditës e që mbeten detyrimisht të varfër?

Nuk gjykoj se detyrimisht. Sapo ju dhashë shembullin tim, unë nuk ankohem. As në përgjithësi një tendencë sot të shoqërisë shqiptare, ka vërtet njerëz që janë keq ekonomikisht. Duket se për 50 vjet me radhë ishim të detyruar të gënjenim, të thoshim se ishim shteti më i pasur, që kemi… por në fakt s’kishim as gjënë kryesore për të mbajtur barkun e shpirtin gjallë. Mos harrojmë se nuk janë shumë larg, në çfarë derexheje kemi jetuar që dhe për një kile gjizë do ta merrnim në një rreth tjetër. Tani ka mbi 20 vjet që abuzojnë shumë edhe me të vërtetën, që qahen dhe një pjesë e mirë e tyre i gjen nëpër lokale duke ngrënë e duke pirë, e duke bërë hesapet e të tjerëve, dhe jo duke u përpjekur për të punuar, e ngritur nivelin. Mirëpo unë e quaj si detyrë që arti duhet të shkëputet nga politika dhe t’i takojë shoqërisë. Kjo është e domosdoshme.

Për herë të parë/ Fragment nga “Dinjiteti i artistit”, interpretuar një natë më parë në Pallatin e Kongreseve nga aktori Mirush Kabashi

 

Dinjiteti i Artistit!

E çfarë të bëja më thua ti? Të gjeja një më të fortë e të mbrohesha nga ai? Për turp ta përqafonja, si kacavjerrësja pas trungut që i lutet, ta lëpija. E kështu të lartësohesha jo me fuqitë e mia? Po jo, or tungjatjeta.

Apo të bëj siç bën çdo horr, çdo legen. Për të mëdhenjtë bejte? Të shndërrohesha në gastor pa turp, por me shpresë se mbase po i qesh nga simpatia ndonjë ministri buza nga marrëzitë e tija? Po jo, or tungjatjeta.

Të përulem, të telendisem për një kothere bukë, si bolla të zvarritem? E duke u zvarritur të ndotem gjunjë e lëkurë. E nga përuljet shpina të më kërruset, të bëhem urë?

Po jo, or tungjatjeta.

Të dridhesh, të ndihesh i mpirë, të shpresosh se gjen talente tamam për të gjyrtykët. E të tronditesh nga kritikat që thuhen nga syrtykët.

Po jo, or mik tungjatjeta.

Oh më mirë të këndosh, të gëzosh e të qeshësh i vetmuar, por i lirë. Të vështrosh sy petrit e t’ia thuash me drithtirë. Dhe festen të ma vësh mbi sy si ta ka ënda. Për një po apo për një jo të luftosh. Apo të shkasë penda. E të punosh pa gajle për lavdi e pasuri. Sikur dhe në hënë të të ngjisin të mbetesh Njeri.

Dhe të mos thuash gjësendi që zemra s’ta thotë.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here