Ne nje bashkebisedim me gazetaret nga selia e PD, kryeopozitari Berisha foli mbi fjalimin e mbajtur nga kryeministri Rama ne Kongresin e PS.
“Sapo përfundoi fjalën tërkuzë, të denjë për maturën e Venezuelës, Edi Rama, i cili u foli shqiptarëve nga satelitët Albania 1, Albania 2, me zotimin solemn se do t’u vjedhim më shumë, do t’u mashtrojmë më shumë dhe do përzëmë më shumë nga ky vend.
Fëmijët, të rinjtë, shqiptarët, nxënësit, rinia që priste nga ky Kuvend, nga ky Kongres i Partisë së Krimit, të dëgjonte një fjalë, konstatoi se ata nuk ekzistonin në fjalorin e liderit global të 1 prillit, që mbajti një fjalim sikur kishte kaluar tërë natën nën efektin e drogave të forta.
Sikur ishte ngjitur diku dhe nuk ekzistonin qytetarët, nuk ekzistonin të rinjtë, nuk ekzistonin bizneset, nuk ekzistonin gratë shqiptarë, nënat, motrat. Sikur problemi numër 1 i pensionistëve ishte shërbëtori i rremë dixhital që do u ofronte Edi Rama.
A ka njeri me fakultete mendore normale që mund të ketë kurajo të dalë përpara qytetarëve shqiptarë me një fjalim të tillë?
U ndal gjerësisht në integrimin, proces të cilin ai me lidhjet e tij të tmerrshme me krimin, me Sinaloan e Meksikës, me Bajrët e Shkodrës, me bandat e Durrësit dhe të Elbasanit, me Olsin e tij dhe Xibrakën, proces të cilin me vjedhjet tashmë famoze që jehojnë në të katër anët e Brukselit, djegësit, vetëm njëri prej tyre 1 miliard euro, proces të cilin me Dubai Cityn e tij, me të cilin do të krijojë lavatriçen më të madhe në Europë të parave të drogës dhe vjedhjeve që ka bërë ortaku i vëllait të tij me Bitcoin. Këto nuk ekzistojnë për Europën dhe integrimin. Ekziston vetëm Greqia. Mirëpo që nuk u kthye të përdorte termat e etërve të tij monarko-fashistë, por më pas duke qenë i pasigurt se nuk është vetëm Greqia, por se standardet evropiane, demokratike i kërkojnë të gjitha vendet e lira dhe demokratike të Europës për t’u zbatuar, i kthehej pas aleatëve angloamerikanë, i kthehej boshtit evropian. Se ku e kishte mendjen te boshti, mendja e tij e sëmurë e di.
E vërteta është se proces integrimi me Edi Ramën, nuk ka.
E gjithë ajo që dëgjuan shqiptarët ishte një parapërgatitje për një JO për hapjen e negociatave, pikërisht për shkak të vendosjes së një diktature të re, diktaturë të bazuar në bandën, krimin dhe drogën.
Ajo që ndodh me Belerin është dhunimi më flagrant i të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë. Dhunim për interesa mafioze, kanë folur për Olta Xhaçkën, jo mo jo, nuk është vetëm Olta Xhaçka, janë Olsi Rama, Edi Rama dhe klanet e tyre që janë vërsulur me tërbim ndaj pronave në Himarë dhe në të gjithë bregun.
Ai nuk foli se kriteret demokratike janë kritere themelore në procesin e integrimit, sepse vetë Komisioni Europian, zyra direkt e përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme, denoncoi publikisht bllokimin e komisioneve hetimore parlamentare, çka do të thotë grusht shteti brenda shtetit. Marrje e pushtetit të parlamentit. Do të thotë refuzim kategorik i kontrollit mbi të për afera të tmerrshme vjedhjeje.
Me këtë fjalim ai po përgatit izolimin e plotë të Shqipërisë.
Se ne qenkemi në rregull, por se Europa nuk është në rregull. Se Europës njëherë i del një problem diku, një herë një problem tjetër.
Çfarë problemi i del Europës kur ne shkelmojmë Kushtetutën tonë? Çfarë problemi i del Europës kur ky firmos 17 vendime në 24 orë për të vjedhur me djegësin e Tiranës deri në 1 miliard? Çfarë problemi ka Europa, kur ky vrapon me një gërshërë të thyer për të promovuar vjedhjen me rritjen 83 herë të çmimeve? Cili është problemi i Europës në këtë rast?
Çfarë problemi ka Europa kur rriten me 25 herë tenderimet sekrete nga zyra e tij? Kanë bërë një ligj, të vjedhin fshehtas. Si qenka problem i Greqisë ky apo problem hipotetik i Europës?
Ne rrezikojmë me datën 12 dhjetor të marrim një karton të kuq. Dhe pse? Vetëm e vetëm për shkak të qëndrimeve mafioze të Edi Ramës, i cili interesat e pasurimit të tij, interesat e pasurimit të klaneve të tij, i vendos mbi interesat e të gjithë shqiptarëve.”