Çfarë ndodh në parlament, ju e shihni vetë.
Pasi ka marrë votat, kemi mbetë 40, 50 deputetë opozitarë në parlament.
Edhe këtyre, meqë ato vota nuk ua rrëmbeva dot, t’ua heq kompetencat kushtetuese për t’u përfaqësuar ju.
Nuk ka ndodhur në botë kjo. Në vitin 1946, Enver Hoxha i ka pushkatuar deputetët e opozitës. Sot ai nuk i pushkaton dot.
Po sot ajo që bën ai, është absolutisht ekzekutim politik i tyre.
Çfarë vlere kanë në parlament përfaqësuesit tuaj, nëse nuk zgjedhin kryetarin e grupit, por ua cakton ai? Çfarë vlere kemi ne në parlament nëse ne hartojmë ligje, amendamente, rezoluta dhe kryetarja i fut në sirtar? A nuk është ky asgjësim de facto i yni në parlament?
Dhe mbi të gjitha, rrëmbimi i sovranitetit të brendshëm nga Edi Rama. Sovraniteti është i jashtëm, mbrojtja e pavarësisë së vendi nga faktorë të jashtëm. Por është edhe i brendshëm, sovraniteti i brendshëm në të gjithë fjalorët politikë të botës është fuqia e qytetarëve për të kontrolluar pushtetin e qeverisë.
Si e ushtron parlamenti këtë funksion? E ushtron me komisionet hetimore parlamentare. Ato komisione janë forma me të cilën ju, qytetarët shqiptarë që keni votuar opozitën, ushtroni kontrollin mbi qeverinë. Dhe ky nuk na lejon 8 herë radhas për të ngritur komisione.
Kështu që ne, para alternativës të bojkotojmë parlamentin apo të qëndrojmë në një rezistencës pa kthim, kemi zgjedhur këtë të dytën dhe ne do e vazhdojmë betejën gjer në fitoren tonë.
Sot ne jemi në një diktaturë. Kjo nuk është një diktaturë e bazuar në ideologjinë komuniste, naziste apo fetare. Është diktaturë bande, diktaturë mafie, forma më e keqe e diktaturave, thotë Hantington sepse nuk njeh asnjë rregull përveç vullnetit të atij që mban të gjitha pushtetet.
Edi Ramës i kishte mbetur ky pushtet i parlamentit pa rrëmbyer. Këto të drejta kushtetuese të deputetëve. Dhe ky i rrëmben ato. Ky është grusht shteti. Ky merr pushtetin e parlamentit si ekzekutiv dhe vendos vetë si qeveri, si parlament, si drejtësi.
Ju e ndiqni ç’po ndodh në Shqipëri. Një drejtësi, një repart special që sillet absolutisht si një organizatë kriminale e partisë shtet.
Është bërë mburojë e pakapërcyeshme e vjedhjeve më monstruoze në historinë e Shqipërisë.
Ju dëgjuat se si janë lëshuar fletë arresti për 15 vetë, që të gjithë për djegësit. Në të gjithë jurisprudencën e planetit, përveçse në drejtësinë e partisë së Edi Ramës, ky quhet grup ose organizatë kriminale. Kur tre vetë ose më shumë, bashkëpunojnë në një vepër penale, konsiderohet automatikisht grup ose organizatë kriminale.
16 janë arrestuar. As grup, as organizatë. Po pse? Sepse grupi dhe organizata janë gjithmonë me një krye. E kanë kreun. Dhe këtu kreu është Edi Rama dhë askush tjetër. Me dokumente dhe firma.
Është Edi Rama dhe ata nuk guxojnë të flasin për organizatë kriminale për vjedhjen e shekullit.
Ky Taulanti thonë keqinformoi qeverinë. Edi Rama e kishte në tavolinë njoftimin se Ermonela Felaj i thoshte se kompania që po i japim bonusin prej 8 përqind, nuk ekziston. Por në fakt kompania ekzistonte në kokën e Edi Ramës. Se ishte kompania e tij dhe Erion Veliajt.
Ndryshe nuk do ndodhte kurrë që kryeministri të firmoste për t’i dhënë bonusin një kompanie që do themelohej 8 muaj më pas. Dhe tani, fajin e ka Taulanti, drejtori.
Ç’faj ka drejtori? Kjo është kompania e kryeministrit.