KE: Ndryshimet klimatike, mungesa e fuqisë punëtore nga emigracioni dhe rënia e popullsisë rrezikojnë ekonominë shqiptare

0
219

Komisioni Europian (KE) ka paralajmëruar në raportin e rij të fundit se ekonomia shqiptare do të përballet me disa rreziqe në rritje vitin e ardhshëm, që vijnë nga faktorë të brendshëm, si rreziqet e shtuara klimatike, problematika që është krijuar në mungesën e fuqisë punëtore si rrjedhojë e emigrimit të lartë dhe uljes së popullsisë.

Në raport, Komisioni tha se ekonomia pritet të ngadalësohet në 2023 dhe 2024.

“Pas zgjerimit të fortë në vitin 2022, që arriti në 4.8%, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të zbutet në 3.5% në 2023 dhe 3.1% në 2024, pasi konsumi privat parashikohet të ngadalësohet për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve dhe ecurisë më të dobët të punësimit”, thuhet në raport.

Por, edhe kjo perspektivë është subjekt i rreziqeve në rritje, sipas KE-së, kryesisht për shkak të ekspozimit të lartë të Shqipërisë nga ndryshimet klimatike, mungesës në rritje të fuqisë punëtore të kualifikuar për shkak të emigracionit dhe ecurisë negative të popullsisë.

Në raportin e fundit për zgjerimin, Komisioni theksonte përpjekjet e mëdha dhe investimet që duhen për t’u përshtatur me zhvillimet klimatike.

“Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike. Rritja e nivelit të detit, si dhe përmbytjet/thatësirat pritet të ndikojnë ndjeshëm në shoqëri, infrastrukturën publike dhe aktivitetet ekonomike.

Prandaj, duhet të miratohen planet e menaxhimit të rrezikut klimatik në të gjitha nivelet dhe infrastrukturat kryesore jetike duhet të jenë të mbrojtura nga klima, për të rritur qëndrueshmërinë e vendit ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike”.

KE thotë se edhe Banka e Shqipërisë duhet të analizojë ekspozimin e sistemit financiar dhe rreziqet e kredisë të lidhura me ndryshimet klimatike.

Një tjetër rrezik lidhet me varësinë e lartë që vendi ka nga hidrocentralet për gjenerimin e energjisë, që e bën të brishtë ndaj ndryshimeve klimatike.

“Vendi është një importues neto i energjisë elektrike me rreth 30% në vit, pasi energjia hidroelektrike nuk mjafton për të mbuluar nevojat e saj.

Nevojitet progres në ndërlidhjen e energjisë me vendet fqinje dhe ngritjen e një tregu të integruar rajonal të energjisë, për të forcuar sigurinë e furnizimit dhe për të krijuar mundësi për zhvillimin dhe tregtimin e energjisë së gjelbër.

Diversifikimi në burimet e mëdha diellore dhe të erës do të përmirësonte ndjeshëm sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe do të reduktonte cenueshmërinë e saj ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike”.

Problematika në gjetjen e fuqisë punëtore, si rrjedhojë e emigrimit të lartë dhe rënies graduale të popullsisë, është një tjetër rrezik për ekonominë.

“Pavarësisht përmirësimit të situatës së tregut të punës, emigracioni u rrit me 10.5% krahasuar me vitin 2021, duke çuar në një ulje të popullsisë me 1.1% në vitin 2022.

Kjo gjithashtu kontribuon në plakjen e popullsisë dhe godet financimin e sistemit të pensioneve, në të cilin Shqipëria tashmë ka një raport i ulët i kontribuuesve ndaj përfituesve”, thotë KE në raportin e zgjerimit.

Raporti e vë theksin te rritja e shqetësimeve të biznesit, si rrjedhojë e mungesës së fuqisë punëtore.

“Ekziston një perceptim në rritje se vështirësitë në rekrutimin e fuqisë punëtore të kualifikuar po bëhen pengesë për biznesin dhe sipërmarrësit po kërkojnë gjithnjë e më shumë masa nga qeveria për të ndihmuar në mbajtjen e punëtorëve dhe për të ofruar stimuj për kthimin e diasporës”./ Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here