SPAK digjet në inceneratorin e Veliajt

0
262

Nga Basir Çollaku

Prokuria e Posaçme nuk solli asnjë surprizë fundjavën e shkuar, kur pas kongresit të PS, mesazheve shqeto të Ramës, se kush është shefi i reformës në drejtësi shpalli 15 urdhër-arreste unazore, krejt periferike e komike, për inceneratorin e Tiranës.

Duke amnistuar kryebashkiakun Erion Veliaj, ajo çka ndodhi mbetet si një qokë festive, me shumë gjasa e prodhuar nga darka me Aleks Soros, muaj më herët në Tiranë, ku së paku ishin tre prokurorë të këtij institucioni, me grishjen e të pandehurit të munguar, kryebashkiakut të Tiranës. Njëlloj si në dosjen ndaj Sali Berishës, prokurorët nuk e përmendin dot Ramën me emër. Aty kur shkruajnë, se kryetar i këshillit të territorit të Bashkisë së Tiranës, firmëtar për ndërrim destinacioni të pronës është kryebashkiaku, harrojnë emrin Edi Rama. Kujtesa e cenuar përkon me telashe. Po kështu, shkresat e firmosura nga Erion Veliaj, dy të bëra publike, ku ka edhe të tjera ende, çuditërisht nuk bien në sytë e hetuesve.

Arrestet ranë mbi të burgosur e persona në kërkim. Një përsëritje e shkujdesur. Por marrëveshjet e heshtura sollën kurbanizim të një drejtori dhe një ish-drejtori bashkiak. Emra të ditur muaj më parë se kishin rënë dakort të bedeloseshin për hatër të shefave. OMERTA e kishte gjetur zgjidhjen. Kodi i heshtjes foli pa fjalë dhe ia doli. Një rregull funksional në organizatat Mafioze, ku të prangosurve u kryhen të gjitha shërbimet financiare e juridike, të nevojshme për ta dhe familjet e tyre. Monedhë pagese, mjafton gojëmbyllja, duke e bërë të funksionojë. Së paku për DONËT.

Në Tiranë, sa kohë drejtohet ky pushtet vendor nga Erion Veliaj, as mizat nuk fluturojnë pa licensën e firmosur prej tij. Një pemë e mbjellë nga Veliaj, ka gjithnjë 30 kamera rrotull e një tel elektrik alla Veliaj, rrethohet me një turrë sehirxhinjsh duartrokitës, një karakatinë autobuzi e lyer e shitet si gjetje kozmike nga Veliaj.

Gjejmë plot çmime false të blera me lobingje e para bashkiake, për qytetin e rinisë me azile të moshuarish të shtuara, qytetin më të pastër, me rritje vdekshmërie nga ajri kancerogjen, në shifra frike. Gjemë çmime për një fidan pishe, blerë nga bashkia Tiranë, si fidan ari, 6 milionë e 375 mijë lekë, për një milionë pemë në shkresa, por as 10 përqind në tokë, gjetje të pahetuara. Për tendera elektoralë ndërtime rrugësh, shtrimesh, pastrimesh, me fitues para zhvillimit të garës nga bashkia Tiranë. Për supë e fasule në ndihmë të komuniteteve, ku Veliaj shfaqet si kuzhinier e kamarier.

Për ujësjellësin me ujë të papastër, por duhet pirë se nuk të vret thotë po bashkia “Veliaj”. Për rindërtimet e tërmetit, shtëpi në prag shembjesh me ndërtues kontrollues bashkiakun Veliaj. E gjejmë me thasë ushqimorë në dyer të pamundurish në kohë pandemie, ku shfaqet gjithkund Veliaj. Asnjë qindarkë bashkiake publike apo e donatorëve, nuk ka mbërritur askund pa vëzhgim-dëgjimin e Veliajt. Asnjë leje ndërtimi në miliona metër katror në Tiranën e shpërfytyruar e thuajse të asgjësuar, ku miliarda euro janë pastruar nga Mafia e Krimi, nuk janë lejuar të ndodhin pa firmën e kryebashkiakut Veliaj.

Prokuroria e Posaçme nuk solli asnjë zhvillim hetimor thelbësor për vrasjen e të riut Ardit Gjoklaj në Landfillin e Tiranës. Nuk shkoi askush pas parasë, kur në një javë iu dhanë 3.2 milionë euro sipërmarrësit të preferuar bashkiak “Fusha”, për të mbjellë pisha e shkulur palma, të blera sa frëngu pulën nga Kthesa e Kamzës në Kashar. Për një tender të nisur e bitisur brenda një dite nga Bashkia Tiranë. E Veliaj nuk iu përgjigj ftesës së akuzës e gjykatës për të dëshmuar as pesë sekonda.

Paligjshëmria ekstreme e bashkiakut Veliaj, në shembjen e Teatrit Kombëtar, konstatuar dhe nga Gjykata Kushtetuese, nuk solli për keqbërësin juridik dhe ekonomik ndjekje penale nga askush në SPAK. Ortakja veroneze me 49-përqind të aksioneve te Eco Tirana u hetua nga antimafia italiane për lidhjet me Ndranghetën dhe sollën arrestime të shumta, mes të cilëve dhe firmëtari i ortakërisë në Tiranë. Prokuroria jonë nuk shkoi as përtej oborrit të saj në këtë investigim, duke mos dhënë arsyet ligjore të përse-së, për të parë e për të na bindur, se si gjysma mafioze nga Verona, nuk e kishte prekur gjysmën “Kristal” nga Tirana!!!.

Një tjetër rast është prapë nga Antimafia Italiane. për Ndranghetën, e cila kishte ujdisur me njeriun e Veliajt, lejet për kulla në qendër të Tiranës. Procedimi nr.17 i vitit 2021, mbeti harresave të SPAK-ut, duke mos gjetur përgjegjësi askund dhe aspak, ndërsa në Itali njerëzit e Ndranghetës në këtë dosje u arrestuan, dënuan e sekuestruan shumë prona. Në Tiranë hiçi nuk shkoi dot kurrë në zyrat e bashkisë së Veliajt. Për të ardhur te teatri i javës së shkuar. Në territorin e pushtetit të tij nuk hapet një dritare, një gardh, një çadër lokali, apo një palë shkallë pa dijeni, nën e mbi dorë.

Ai është kontrollues mediesh më shumë se shefi politik. Në këtë bashki, ku edhe një monedhë metalike mpreh dëgjimin gjirokastrit të Veliajt, një miliard euro koncension 30-vjeçar, paskan kaluar në verbërinë e shurdhërinë e tij. Edi Rama, Erion Veliaj, Engjëll Agaçi, Damian Gjiknuri e Armando Subashi janë përfituesit e kësaj sallate deri më sot. Në provën e pavarësisë, ku një test domethënës është përballja e Veliajt me drejtësinë, Prokuroria e Posaçme, të premten ka humbur ndjeshëm terren. Në hetimin disa-vjeçar të inceneratorit të Tiranës, SPAK-u u dogj në inceneratorin e Veliajt.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here