Made in Albania, falimenton NETFLIX-in

0
473

Netflix, gjigandi i transmetimit të filmave dhe serialeve me 250 milionë abonentë në gjithë globin, po falimenton nga prodhimet e qeverisë shqiptare.

Imagjinoni pak këtë skenë: një burg i sigurisë së lartë, një dhomë super e sigurtë dhe e izoluar e quajtur 41 biss ku nuk guxon të fluturojë as miza. Në këtë strehë të vogël kinematografike gatuhet një dramë e pa imagjinueshme: një i burgosur me burgim të përjetshëm, i armatosur deri në dhëmbë me ambicie dhe me një pistoletë në dorë që e ka marrë përmes dronit, arrin të vrasë një te dënuar me burgim të përjetshëm dhe plagos një tjetër.

Kjo skenë turpëron edhe mendjen më pjellore të skenaristëve të Netflix.

Netflix mund të ketë “Breaking bad” dhe “Squid games”, por ne kemi “41 biss”

Por prisni se nuk keni parë ende asgjë. Skena më kulmore vijon më pas.

Ministri i Drejtësisë, që paradite kishte paralajmëruar publikisht se autori (që më pas kreun krimin) do të futej në “41 biss”, del nga hija e natës së gjatë të 15 dhjetorit për të siguruar familjet e të burgosurve kudo që janë se “situata është nën kontroll”

Mund të ndodhë që ndokush të humbë jetën, por siç e dini jetën na e ka fal tjetër kush dhe po tjetërkush na e merr.

Siç thonë në vendin e shqiponjave “i ka jeta këto”

Sipas fjalëve profetike të një tjetër ministreje, por që mjerisht nuk u morën asnjëherë seriozisht, “këto ngjarje ndodhin kudo, në botë, madje bëhen filma”.

NETFLIX po paguan shpërfilljen që i bëri këtij paralajmërimi.

Sot, Netflix, gjiganti i argëtimit, e gjen veten vite dritë pas prodhimeve kinematografike të qeverisë shqiptare. Dhe të mendosh se i gjithë buxheti i qeverisë është më i vogël se buxheti një filmi të rëndomtë të Netflix!

E çfarë është “Narcos” para serialit shqiptar “Banane nga Amerika Latine”? E çfarë është seriali “Breaking Bad” para serialit epik “Incineratorët”, xhirimet e së cilit vijojnë me sukses të plotë në sezonin e 7-të. E çfarë është “The Croën” para filmit “Pastruesja” ? Po “House of Cards” çfarë është para “House of Parlament”?

Dramë, horror, kthesa të papritura, emocion, supspancë. Shqipëria ofron gjithçka. Këtu e pa imagjinueshmja të bëhet e pa shmangshme.

Dhe kjo është karma, në 2010 kur drejtuesi i NETFLIX u pyet për ambiciet e kompanisë amerikane në shkallë globale ai u përgjigj: ju lutem të jemi seriozë, është njëlloj sikur të themi që “ushtria shqiptare do të pushtojë botën”

Tani po i njëjti drejtues duhet të jetë duke kruar kokën, duke ngrënë thonjtë me dhëmbë dhe duke pyetur veten si ndodh që Shqipëria prodhon filma kaq të bujshëm dhe… FALAS?!

Ndërsa Netflix përpiqet si i mbyturi pas fijes së kashtës të mbajë abonentët me ca skenare të parashikueshëm, me skena të përsëritura dhe të stisura, me aktorë mediokër, po t’i krahasosh me ministra dhe zyrtarët në Tiranë, qeveria shqiptare por rishkruan rregullat e konkurrencës globale.

Turp të kesh, Netflix! Të të vij rëndë që nuk e pe që nën hundën tënde po ngrihej perandoria shqiptare e argëtimit. Duket qartë se drama e vërtetë po ndodh jashtë studiove tuaja të kuruar me kujdes dhe sonte më shumë se kurrë miliona pajtimtarë me të drejtë kanë të drejtë të thonë pse budallenj jemi ne të paguajmë, në një kohë që mund të shohim falas lajmet që prodhon qeveria shqiptare?! Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për dramë. Kërkon humor të nivelit të lartë shih lajmet me inspektime të ministrave ku punohet çdo ditë në vepra që nuk mbarojnë kurrë!

Dhe nuk është se NETFLIX nuk ka qenë i paralajmëruar. Siç e thamë më sipër një ministre pati paralajmëruar se “këto ngjarje ndodhin kudo madje bëhen edhe filma’. Paralajmërim që nuk u mor seriozisht nga NETFLIX-i dhe sonte është koha për shpagim! Netflix e meriton falimentimin!

Çmimet EMMY për vitin e ardhshëm i merr filmi “Drejtësi me dron”, prodhim shqiptar 2023.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here