Vrasja në burg/ Në vend të dorheqjes, Manja: Çdo gjë është nën kontroll

0
815

burgosuri Sokol Mjacaj ekzekutoi këtë të premte me armë zjarri të burgosurin tjetër Arben Lleshi dhe plagosi Indrit Shaqan, brenda institucionit të vuajtjes së dënimit të sigurisë së lartë në Peqin. Një krim i pazakontë që dëshmoi dështimin e sigurisë së institucionit nën varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Pas ngjarjes, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se “situata e rendit dhe e sigurisë në të gjitha burgjet tona është në kontroll”.

Manja e përmendi Sokol Mjacajn këtë të premte, para se ai të kryente krimin me një pistoletë që dyshohet të jetë futur në burg me dron. Ai bëri një njoftim duke thënë se Sokol Mjacaj do të futej nën regjimin e rreptë “41 Bis” për cënim të sigurisë në burg.

Njoftimin e veshi me mesazhe të theksuara propagande si “asnjë tolerancë” apo “do të zbatoj me rigorozitet ligjin”.

Megjithatë, ajo që do ti ndodhte më pas do ti kthehej në bumerang. I burgosuri që Manja njoftoi se do të futej nën regjimin e rreptë jo vetëm që nuk përfundoi aty, por brenda një burgu të sigurisë së lartë ekzekutoi një person dhe plagosi një tjetër, ndërsa bilanci mund të kishte qenë edhe më tragjik.

Pas vrasjes, Manja bëri një vizitë të detyruar në burgun e Peqinit dhe në përfundim të saj dha një prononcim për gazetarët, duke shmangur përgjegjësinë nga vetja për ngjarjen.

Interesit të gazetarëve se pse Mjacaj nuk u fut nën regjimin e posaçëm siç njoftoi vetë ministri, por në vend të kësaj kreu një vrasje, doktori i shkencave iu përgjigj duke ia ‘vënë fajin’ burokracive procedurale.

“Ka një procedurë, për vendosjen e një personi në regjimin e posaçëm, jam i detyruar ta zbatoj sipas ligjit. Edhe mënyra e komunikimit ka një procedurë të caktuar”, tha Manja.

Ai nuk dha detaje për rrethanat e krimit, ndërsa konfirmoi vetëm se pas vrasjes autori u dorëzua te autoritetet e burgut të Peqinit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here