Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e deputetëve të opozitës për masën e sigurisë ndaj Berishës, VOA: Vendimi, një ditë para heqjes së imunitetit

0
387

Në Tiranë, Gjykata Kushtetuese vendosi sot se grupi i deputetëve që kërkoi interpretim mbi masat e sigurisë së SPAK-ut dhe GJKKO-së ndaj deputetit Sali Berisha, nuk legjitimohet për t’iu drejtuar gjykatës dhe se kërkesa e tyre nuk plotëson kriteret ligjore për t’u pranuar për shqyrtim në seancë plenare.

 

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen një ditë para se Kuvendi të votojë nesër kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për ashpërsimin e masave ndaj zotit Berisha në arrest shtëpie ose arrest me burg, nga masa e mëparshme detyrim paraqitje, të cilën ai nuk e zbatoi, duke e quajtur si antikushtetuese.

 

Pasi e shqyrtoi dje Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, sot Mbledhja e Gjyqtarëve vlerësoi se kërkesa e një grupi deputetësh mbi masat e sigurisë ndaj zotit Berisha nuk plotëson kriteret ligjore paraprake për pranimin e saj për shqyrtim në seancë plenare, ndaj “vendosi moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, ndërsa se pretendimet e kërkuesit dhe kërkesa për pezullimin e masave të sigurimit nuk mund të shqyrtohen në themelin e tyre”.

 

Një grup deputetësh i kërkuan Gjykatës Kushtetuese pesë ditë më parë të interpretojë nenin 73/2 të Kushtetutës, ku thuhet se deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria pa autorizimin e Kuvendit.

 

Ata kërkuan zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes Kuvendit, SPAK-ut dhe GJKKO lidhur me heqjen apo kufizimin e lirisë së deputetit pa autorizim të Kuvendit, si dhe shpalljen si të papajtueshme me Kushtetutën si dhe pezullimin e masave të sigurisë që SPAK dhe GJKKO vendosën më 20 tetor ndaj deputetit Sali Berisha, kur ai u shpall person nën hetim për çështjen e procedurave të privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani.

 

Gjykata Kushtetuese theksoi sot në vendim se grupi deputetëve nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës, sepse grupi dhe Kuvendi janë subjekte kushtetuese të ndryshme, që nuk mund të barazohen me njëri tjetrin.

 

“Referuar mosmarrëveshjes së pretenduar të kompetencave, grupi i deputetëve kërkues nuk është subjekt në konflikt, pra nuk rezulton t’i jetë marrë ndonjë kompetencë apo të jetë cenuar drejtpërdrejt në ndonjë kompetencë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

 

Në të theksohet se grupi i një të pestës së deputetëve, pavarësisht se është pjesë e ushtrimit të veprimtarisë legjislative të Kuvendit, nuk nënkupton që është subjekti kushtetues, për të cilin bën fjalë neni 73/2 e Kushtetutës, pra ai nuk mund të veprojë në emër dhe me tagrat e Kuvendit.

 

Ndërkohë më herët, gjatë një veprimtarie mbi punën e GJKKO dhe SPAK-ut, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, deklaroi se ai nuk ndikohej aspak dhe ishte imun ndaj presionit mediaitik dhe retorikave politike. Sipas tij, masa e sigurisë për zotin Berisha mbetej në vlerësimin e prokurorëve të çështjes.

 

“Presioni mediatik dhe retorika politike nuk kanë asnjë lloj ndikimi tek unë. Jam fare imun ndaj tyre dhe këtë përpiqem ta përcjell edhe tek trupa e prokurorëve, se janë ata që e bëjnë punën me çështjet nën hetim. Megjithatë jemi të vëmendshëm kur evidentohen problematika nga media apo politika në diskutime të ndryshme sigurisht, që ne i ndjekim me qëllim përmirësimin e punës tonë. Por në raport me hetimet ato nuk na ndikojnë”, tha zoti Dumani.

 

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi një ditë para se Kuvendi të votojë në seancën plenare raportin e Këshillit të Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve, i cili miratoi të hënën kërkesën e SPAK-ut për forcimin e masave me arrest shtëpie ose arrest në burg ndaj zotit Berisha, pasi ai për disa javë nuk zbatoi masën e parë për detyrim paraqitje para oficerit të policisë gjyqësore.

 

Në seancën e nesërme të Kuvendit janë njoftuar sërish protesta nga deputetë e mbështetës të zotit Berisha.

 

Zoti Berisha ka deklaruar se vendimi i tetorit i GJKKO-së dhe SPAK-u për masa arresti ndaj tij pa autorizimin e Kuvendit është antikushtetues dhe një sulm politik ndaj tij dhe opozitës.

 

Ai tha dje se do të këshillohej me avokatë e juristë, po theksoi po ashtu se edhe vendimi i të hënës në Këshillin e Imunitetit dhe mandateve për të kërkuar forcimin e masave të sigurisë përmes Kuvendit është një vazhdim e veprimeve antikushtetuese.

 

“Vendimi i parlamentit merret mbi një vendim të paligjshëm. Unë nuk mund të pranoj si të ligjshëm një vendim që merret mbi bazën e një vendimi të paligjshëm”, tha zoti Berisha dje i pyetur për këtë temë.

 

Ish kryeministri Sali Berisha është një person nën hetim nga SPAK-u në çështjen mbi procedurat e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani, pëmes të cilave dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e truallit ku shtrihej klubi sportiv, dhe ku më pas u ndërtuan një kompleks pallatesh./ VOA

 

 

 

 

 

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here