Në daljen e tij për mediat Berisha akuzoi SPAK se ka fshehur disa vendime gjyqësore, me të cilat Edi Rama është shpallur shpërdorues detyre.
Gjithashtu ai theksoi se kjo është piramida më e madhe e mashtrimit në historinë e hetuesisë. Tregon shkallën ekstreme të politizimit, keqpërdorimit dhe keqshfrytëzimit të këtij organi nga Edi Rama dhe qeveria e tij.
Pjesë nga fjalimi i Berishës:
Kanë fshehur me qëllim lejen e sheshit të ndërtimit që Edi Rama ka dhënë me 19.12.2007 dhe e ka zbardhur me 6.1.2008.
Kanë fshehur dhe nuk referojnë lejen e ndërtimit me kusht që ka miratuar Edi Rama në shkurt të vitit 2008 për këtë zonë.
Pra, siç e shihni, të gjitha këto fshehje janë bërë për të shpëtuar nga ndjekja penale e Edi Ramës.
Sepse, edhe njëherë, në 15 vite, në dhjetëra e dhjetëra shkresa dhe procese, ka vetëm një shkelje ligjore për të cilën Edi Rama meriton të paktën 8-10 vite burg dhe kjo shkelje ligjore është ndryshimi i destinacionit të klubit Partizani nga terren sportiv në zonë urbanistike.
Kanë fshehur disa vendime gjyqësore, me të cilat Edi Rama është shpallur shpërdorues detyre, pasi kur dha lejen e ndërtimit, mësoi se një nga ata që do ndërtonte ishte Jamarbër Malltezi dhe nuk ua zbardhte lejen. Ua la në gropë gjithçka, çoi disa vendime të inspektoratit të tij dhe i bllokoi ata për 2-3 vite. Ndërhynë gjykatat, pasi u vendos në tre shkallë dhe gjykata vendosi që leja e ndërtimit quhet valide në momentin kur vendoset për të, për t’ia prerë rrugën se ky merrte dy herë ryshfet, njëherë për ta miratuar dhe njëherë për ta zbardhur lejen.
Të gjitha këto janë fshehur, nuk ekzistojnë në dosje, ndonëse dokumentet ekzistojnë.
Kanë fshehur studimin e vitit 2008 të bërë nga Edi Rama me firmën e tij dhe 12 drejtorëve të bashkisë, në të cilën Edi Rama shndërron në zonë urbane me ndërtime të larta të gjithë territorin e klubit Partizani.
Edi Rama është justifikuar në vendimet e tij me shkrim në atë kohë se ka humbur funksionin e tij dhe dokumenti ekziston.
Këta kanë fshehur dokumentin dhe pretendojnë se edhe në vitin 2008 dhe 2009, kjo zonë ishte e lirë. Zona kishte të paktën 42 pushtues.
Tani kanë meritë pronarët se i kanë sistemuar një më një me sipërfaqen që kanë pasur. Një pjesë e tyre kanë preferuar të marrin paratë për aq metër katrorë dhe të strehohen në zona të tjera.
Kanë fshehur kontratat në të cilat Jamarbër Malltezi vërteton se ka blerë te Begejat, te Saliaga dhe Alimehmeti, përveç 410 metër katrorë që ka fituar vetë nga pjesëtimet, ka blerë edhe 2100 metër katrorë tokë.
I kanë fshehur këto vetëm për të mbajtur në këmbë shpifjen e Taulant Ballës, i cili thotë se Malltezi hyri si investitor me 113 metër katrorë dhe doli me 5.4 milionë divident apo fitim.
Në të vërtetë, Malltezi hyri me rreth 2500 metër katrorë. Por jo vetëm kaq, hyri me ujdinë, të cilën vetë e kanë njohur se do shesin në gropë.
Por, kur vjen puna për t’u shprehur se ka hyrë me 113 metër katrorë dhe ka dalë me 5.4 milionë euro, manipulojnë, injorojnë të paktën minimumi 300 kontrata me pagesat respektive, pagesat e të cilave janë përdorur për të vazhduar investimin.
Zinxhiri i shpifjeve dhe trillimeve nuk ka fund, por unë u ndala në disa nga më kryesorët, sepse ajo dosje fund e krye është një piramidë e turpshme mashtrimi.
Për ta përfunduar, kjo është akti ose piramida më e madhe e mashtrimit në historinë e hetuesisë. Tregon shkallën ekstreme të politizimit, keqpërdorimit dhe keqshfrytëzimit të këtij organi nga Edi Rama dhe qeveria e tij.