Një muaj pas mbylljes të procedurës, “Furnizimi me ujë të zonave bregdetare Zonat e Investimit Strategjik Draleos Drimadhes dhe Dhërmi Faza e Parë” Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve ka çelur procedurën tjetër mbi supervizionin e kësaj kontrate.
Procedura e parë e çelur më herët në fund të tetorit dhe mbyllur në fund të nëntorit me një fond limit prej 7 milionë eurosh është në fazë vlerësimi teksa për mbikëqyrjen data e mbylljes është llogaritur 3 janari 2024 teksa fondi limit është 5.9 milionë lekë.
Projekti në këtë rajon synon furnizimin me ujë të disa komplekseve turistikë të cilët kanë marrë më herët statusin e investimit strategjik. Ky është argumenti që jepet në dokumentet që shoqërojnë procedurën.
“Kërkesa është sigurimi i një sasie prej jo me pak se 290 l/s e cila do te përdoret për furnizimin me ujë te komplekseve te reja turistike ne fshatin Palosë me ane te një ujësjellësi te ri. Sasia prej 290 l/s parashikohet për pikun e turistëve gjate stinës se nxehte te viti ku përveç një sasie prej 150 l/s për banore ka nevoje për një sasi shume më të madhe uji. Kjo sasi konsiston në mbipopullimin e zonës sidomos përgjatë vijës bregdetare. Një turist merr normalisht 30% me tepër ujë se zakonisht. Nëse shtojmë edhe sasinë e ujit për nevoja te shërbimeve publike turistike, pritshmërinë për zgjerimin e apo ndërtimin edhe te komplekseve te tjera turistike, atëherë norma për turist shkon mbi 250 l/s; kështu sasia e nevojshme dhe e kërkuar prej 290 l/s është mese e argumentuar. Kemi parasysh edhe humbjet në rrjet te llogaritura jo me pak se 20-30%”thuhet në raportin teknik-hidrologjik të projektit.
Dokumenti nënvizon se në burimin e “Izvorit” ka nevojë për ndërhyrje për sigurimin e sasisë prej 290 l/s. Ndaj shpreh se për këtë qëllim duhet ndërtimi i një kaptazhi te ri në pjesën jugore të kanalit grumbullues te rrjedhjeve të burimit.
“Kaptazhi i ri do të grumbullojë ujërat ne vendin e sugjeruar nga ana jonë me koordinatat përkatëse, në anën e majte te rrjedhës se kanalit kryesor. Kjo shfaqje ujërash e ka origjinën, ashtu si edhe vetë burimi, ne kokën hidraulike te zonës se drenimit, nga pjesa malore ne lindje të fshatit Tragjas. Si kanal drenimi për ujerat që vijnë nga lartë shërben kjo rrjedhje që merr emrin Përroi i Tragjasit”. thuhet në raport.
Strategjikët e fshatrave turistikë
Ndër vite qeveria ka dhënë përmes Komitetit të Investimeve Strategjike statusin për një sërë investimesh që edhe pse të lakuara si komplekse turistike në një pjesë të mirë të rasteve kanë përfunduar në komplekse vilash rezidenciale. Përmes përfitimit të statusit investitorët fitojnë lehtësi si në përfitimin e tokës ashtu edhe në lehtësimin e procedurave burokratike por edhe investimeve që lidhen me infrastrukturën dhe aksesin në energji dhe ujë.
/Monitor.al/