Dënimet e padeklaruara të Sali Berishës

0
133

Ng Salvador Doda

Qysh ditën kur KAPS-i i Edi Ramës i kërkoi parlamentit autorizimin për arrestimin e tij, gazetarët dhe analistët “e paanshëm” filluan ta pyesnin Sali Berishën se kush do ta drejtojë partinë, duke i shtuar dukshëm me cinizëm “nëse parlamenti do të japë autorizimin”, në një kohë kur askush s’e vinte në dyshim një gjë të tillë. Kur parlamenti e dha autorizimin, i shtruan si refren edhe pyetjen se ku do të qëndrojë gjatë kohës që do të mbahet nën arrest, në shtëpi apo në selinë e PD, duke shtuar sërish “nëse GjKKO do të pranojë masën e kërkuar nga SPAK”, në një kohë kur askush s’e vë në dyshim, jo thjesht sepse këto organe të së ashtuquajturës “drejtësi e reformuar” janë vegla të Edi Ramës, por sepse gjithkush e pa qartë se SPAK dhe GjKKO dhunuan haptazi dhe egërsisht Kushtetutën dhe ligjet për të arrestuar me çdo çmim Sali Berishën për interesa jo thjesht të Edi Ramës, por më së pari të atyre klaneve që kanë depërtuar deri në instancat më të larta të politikës amerikane dhe evropiane.

Përpos se cinike, këto dy pyetje janë dukshëm programatike, pjesë integrale e strategjisë së ndërtuar dhe drejtuar nga Edi Rama.

Të pyesësh Sali Berishën këmbëngulshëm dhe në çdo dalje publike se ku do të qëndrojë gjatë kohës që GjKKO dhe SPAK i Edi Ramës do ta mbajnë në arrest, apo si do t’ia bëjë, nëse gjatë kohës që do të mbahet nën masën e arrestit do ta privojnë nga rrjetet sociale, do të thotë, më së paku, të shfaqesh si ajo bujaresha që krihej, ndërsa fshati digjej. Por gazetarët dhe analistët e “paanshëm” nuk synojnë këtë, as nuk mëtojnë thjesht t’i japin ngjyra sa më të ndezura përndezjes së tyre perverse (Sali Berisha ua ka çaplinizuar me elegancë). Ata thjesht po kryejnë detyrën e ngarkuar nga Edi Rama, po përpiqen të zhdramatizojnë dhe kthejnë në qesharake atë që në të vërtetë është përçudnim atavik faqe botës i Kushtetutës, opozitës dhe demokracisë nga një njeri që sundon përmes dhe me mafien, duke ia paraqitur si “lojë” publikut, sidomos 600.000 shqiptarëve që në maj votuan për PD e drejtuar nga Sali Berisha

Po ashtu, të pyesësh Sali Berishën, nëse po mendon të tërhiqet nga funksioni i kryetarit të PD tani që Edi Rama po e arreston përmes GjKKO dhe SPAK, tingëllon një provokim cinik dhe i trashë, siç do të tingëllonte i tillë nëse do të pyesnim Aleksej Naval’nyj-n, nëse po mendon të tërhiqet nga drejtimi i opozitës tani që Putin po e mban në burg. Ndërkohë që s’është thjesht i tillë, pasi shtizimi i tij këmbëngulshëm dhe në çdo dalje publike me një pyetje të tillë synon të errësojë dhe të anashkalojë pikërisht faktin se Sali Berisha është sot as më shumë, as më pak, por Naval’nyj i Shqipërisë, i Ballkanit dhe Evropës; se arrestimi i tij nuk është assesi për arsye penale, por përjashtimisht për arsye pastërtisht dhe qartësisht politike, pasi arrestimi i tij nuk është thjesht pjesë integrale, por ‘conditio sine qua non’, për vënien në jetë të agjendës mobokratike të Edi Ramës për asgjësimin e opozitës reale dhe zëvendësimin e saj me opozitën që do ai (jo më kot masa e arrestit ndaj tij do të merret një ditë përpara seancës për përkatësinë e vulës së PD në Gjykatën e Lartë!).

Kjo u vërejt qartazi edhe gjatë konferencës së përjavshme që Sali Berisha mbajti me gazetarët, e cila ishte edhe e fundit për këtë vit. Gjatë saj, ndërsa gazetari i parë që mori fjalën, nxitoi t’i shtronte pyetjen ku do të qëndronte Sali Berisha gjatë kohës që do të mbahej nën masën e arrestit, gazetari i dytë nxitoi t’i drejtonte pyetjen në lidhje me drejtimin e PD pasi ndaj tij të merrej masa e arrestit. Dhe jo vetëm kaq. E formuluar dukshëm mes diversionit dhe akuzës, fjalori dhe stilemat e saj (Berisha është në PD për hallet e tij; Berisha e ka përçarë PD; Berisha po e mban peng PD, duke i hequr mundësinë të kandidojë e të sfidojë kryeministrin Rama në zgjedhjet e 2025) tregojnë qartë, se në mos në zyrën e Edi Ramës, pyetja ishte shkruar më së paku në zyrën e Lulzim Bashës, e atij që pagoi përmes një kompanie ruse 750.000 $ për lobim e fotografi me Trump-in, pa deklaruar deri më sot burimin e parave.

Të pyesësh Sali Berishën, nëse mendon të tërhiqet nga funksioni i kryetarit të PD tani që Edi Rama po e arreston përmes GjKKO dhe SPAK, është, në mos fyerje e qëllimshme e inteligjencës së tij dhe demokratëve, së paku një nonsens i pafalshëm i gazetarisë profesionale. Sali Berisha, sikundër çdo demokrat dhe çdo njeri që është kundër mobokracisë së instaluar nga Edi Rama, e kanë të qartë se tërheqja nga funksioni i kryetarit të PD tani që Edi Rama po e arreston përmes GjKKO dhe SPAK, do të ishte një nënshtrim përballë hybris-t të pushtetit të bandave dhe të agjendave të klaneve që kanë depërtuar deri në instancat më të larta të politikës amerikane dhe evropiane, një kapitullim pa kushte në trajtë kompromisi; shprehimisht, meqenëse nuk pranojmë për kryetar të PD njeriun që do Rama, të paktën largojmë nga kryetar të PD njeriun që nuk do Rama; apo, meqenëse nuk pranojmë të jemi opozita që do Rama, të paktën tërhiqemi nga të qenit opozita që nuk do Rama. Çka do të ishte as më shumë, as më pak, por një kapitullim pa kushte, ndonëse në pamje të parë i butë.

Prej këndejmi, Sali Berisha e ka të qartë se në persekutimin politik që po kalon, është një i dënuar i dyfishtë, dhe në pyetjen “a keni qenë i dënuar” që do t’i bëhet paraprakisht në procesin e paligjshëm dhe antikushtetues, bën mirë t’i përgjigjet pozitivisht, duke pranuar dhe shpallur publikisht dy dënimet e tij. Dënimin sartrian të të qenit një njeri i lirë; si dhe dënimin për të qenë kryetari i PD dhe i Opozitës reale deri në përmbysjen e mobokracisë së Edi Ramës.

*Profesor i filozofisë, studiues dhe përkthyes

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here