Ligji i ri për Taksën e Ndërtesave hyn në fuqi në 2026, por Rama do e aplikojë që vitin e ardhshëm

0
165

Ndërsa u hodh për konsultim që në verën e këtij viti dhe parashikohet të hyjë në fuqi në janar të vitit 2026, duket se taksa e re e pasurisë së paluajtshme duket se do të jetë gati brenda vitit 2024. Këtë e raporton Këshilli i Ministrave në dokumentin e sapomiratuar të reformave që raportohen në kuadrin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Ligji i ri “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” dhe aktet nënligjore përkatëse të përgatitura dhe të miratuara me qëllim përmirësimin e të ardhurave nga kjo taksë – deri në fund të vitit 2024”, thekson dokumenti Qeveritar. Në vijim, parashikohet përafrimi i legjislacionit tatimor shqiptar me direktivat e BE-së në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Projektligji “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” i prezantuar në muajin gusht nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë pritet të rrisë detyrimin e taksës së ndërtesës tek apartamentet 18 deri 50% dhe te dyqanet deri 25%. Drafti është ende në fazë konsultimesh dhe parashikohet të hyjë në fuqi nga 1 janari 2026 për ndërtesat, ndërsa për kategoritë që përfshin parcela, tokë bujqësore dhe truall nga 1 janari 2028.

Projektligji i ri jo vetëm rrit nivelin e taksës, por ndryshon edhe metodologjinë për llogaritjen e çmimeve mesatare për të gjitha kategoritë e pasurive të paluajtshme, ky synohet t’u afrohen vlerës së tregut. Drafti propozon që niveli i taksës për ndërtesat e kategorisë rezidenciale të variojë nga 0,1% deri në 0,2% nga 0,05% që është aktualisht, për ndërtesat tregtare nga 0,15 deri në 0,25% nga 0,2% që është dhe për ndërtesat bujqësore dhe industriale niveli i taksës varion nga 0,15 deri 0,25%.

Taksa për të gjitha kategoritë e pasurive të paluajtshme do të llogaritet mbi vlerën e re të pronës. Vlera do të përcaktohet në një hartë te re me çmime mesatare referuese, por e ndarë për njësitë e ndërtesave rezidenciale, të shërbimit, si dhe çmimet mesatare referuese të parcelave, duke përfshirë të truallit, tokës bujqësore dhe asaj pyjore.

Sipas dokumentit për reformën e taksës, për parcelat do të jetë Agjencia Shtetërorë e Kadastrës që do të përgatisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, zonat e vlerave dhe çmimet referuese. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë do të përcaktojë, zonat e vlerave dhe çmimet referuese për njësitë e ndërtesave, si dhe vlerat e vlerësuara të pasurive të paluajtshme./SCAN

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here