Një aksident i rëndë ka ndodhur në Itali, ku një autobus me fëmijë është përplasur me një ambulancë pranë Urbino dhe nga shpërthimi kanë humbur jetën 4 persona, mes të cilëve një shqiptar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 në rrugën shtetërore 73 bis që lidh Urbinon me Fermignano, brenda tunelit Ca’ Gulino. Tymi i zi dhe flakët kanë përfshirë tunelin pas shpërthimit të ambulancës. Mediet italiane raportojnë se viktimat janë ekipi i urgjencës dhe pacienti në bordin e ambulancës që ishte nisur nga Fossombrone për në Urbino.
Mësohet se fëmijët në bordin e autobusit, të gjithë nën moshën dhjetë vjeç, ishin një grup nga famullia Madonna della Speranza e Grottammare që po shkonin në ekskursion në Urbino për të vizituar skenat e lindjes së Krishtit. Sipas medieve italiane, të miturit janë të gjithë të sigurt, në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërsa, dy prej tyre duket se janë trullosur nga aksidenti.
Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, është mbyllur rruga shtetërore dhe zjarrfikëset po punojnë për shuarjen e flakëve, por kanë hasur në vështirësi për të hyrë në tunel për shkak të tymit dhe temperaturës së lartë./TCH