Ndeshja e Superkupës mes Galatasarayt dhe Fenerbahçes, e planifikuar të luhej sonte në Riad, u shty për shkak të mosmarrëveshjes mes Turqisë dhe Arabisë Saudite për shfaqjen e simboleve kombëtare turke, në kuadër të ndeshjes dhe festimeve të 100-vjetorit të shtetit.
Sauditët i ndaluan shumicën e tyre, veçanërisht fytyrën e Kemal Ataturkut që të shfaqet në stadiumin e Riadit. Kështu që nga mesdita filluan negociatat në federatën turke të futbollit, me faktorë të klubeve turke.
Ndonëse fillimisht federate turke doli me një deklaratë, duke informuar se ndeshja do të zhvillohet normalisht dhe me ngjarjet e planifikuara, shpejt u kuptua se gjërat nuk ishin ashtu.
Një orë para fillimit (ishte planifikuar për në orën 18:45) delegacionet e skuadrave nuk ishin larguar nga hoteli ku po qëndronin, duke deklaruar se nëse nuk do të lejoheshin të mbanin bluzat me heroin e tyre kombëtar, ata nuk do të shkonin në stadium.
Sauditët vendosën oficerë policie në dhomat e zhveshjes për të parandaluar lojtarët e të dy skuadrave që të mos vishnin bluzat e Kemal Atatürk, nëse shkonin në fushë. Tifozët turq kanë pohuar se janë dëbuar nga stadiumi nga policia, pasi kishin veshur fanela me mesazhe “të ndaluara”.
Më në fund, pak minuta para fillimit të planifikuar, mediat turke raportuan se lojtarët e të dyja skuadrave u njoftuan se ndeshja ishte shtyrë. Stafi i Galatasaray-t që kishte shkuar në stadium dhe po prisnin lojtarët, i paketuan gjërat dhe u larguan menjëherë.
Madje, disa media raportuan se pas kësaj fiaskoje, presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Mehmet Buyukeksi, ka dhënë dorëheqjen.
Në të njëjtën kohë, klubet, futbollistët, gazetarët dhe madje edhe tifozët e zakonshëm turq mbushën rrjetet sociale me imazhe të Kemal Ataturkut dhe hyjnizuan qëndrimin e Galatasaray-t dhe Fenerbahçes, që refuzuar të luanin pa fanelat e tyre të veçanta.