Sulm opozitës në emër të Amerikës?

0
157

Nga Akil Kraja

1.Politika e ‘non-gratave’ është pjesë e strategjisë ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për të luftuar kleptokracinë dhe abuzimet me të drejtat e njeriut anembanë globit. Dhe pse fillesat i ka të hershme, praktika e bërjes publike të etiketimeve individuale sipas seksioni 7031c daton prej 2015. Rastësia bën që personi i parë i etiketuar publikisht, të jetë një shqiptar, Adriatik Llalla. Deri më tani, janë 270 persona të etiketuar publikisht për korrupsion madhor dhe 198 per shkelje të të drejtave të njeriut. Në qershor të vitit 2021, Presidenti Biden i jep luftës kundra korrupsionit statusin e nje prioriteti të politikës me jashtë duke e konsideruar interes të sigurisë kombëtare. Në këtë strategji, korrupsioni etiketohet tekstualisht si një ‘kancer’ që nxit pabarazitë dhe polarizimin politik, social e ekonomik, duke dëmtuar cilësinë e shërbimeve publike, sistemin shëndetësor e arsimor, mjedisin sipërmarrës dhe rendin publik. Një përshkrim që i aplikohet në mënyrë totale realitetit të sotëm shqiptar dhe qeverisjes Rama.

2. Kombi dhe klasa politike mbarë-shqiptare kanë një lidhje unike, njëkohësisht historike e strategjike, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ekzistenca e dy shteteve shqiptare në Ballkan lidhet drejtëpërsëdrejti me rolin e presidentëve Wilson, Klinton e Bush. Asistenca dhe fondet amerikane në drejtim të modernizimit të administratës publike në Shqipëri e Kosovë dëshmojnë për një angazhim të ripërtërirë ndër vite në ndërtimin e një hapësire demokratike bazuar mbi sundimin e ligjit dhe ekonominë e lirë. Që nga kultura e të përditshmes, emërtimet urbane, e deri tek angazhimet diplomatike, kombi shqiptar shprehet mirënjohës ndaj këtij investimi. Ky është dhe filtri me të cilin duhet lexuar dhe politika e ‘non-gratave’, si një kontribut në ndërtimin e një hapësire realisht demokratike shqiptare.

3. Ndërkohë që janë disa figurat publike shqiptare objekt të emërtimit publik ‘non-grata’, impakti i prodhuar ka qënë pothuajse kundër-produktiv. Nga njëra anë ato nuk duket se kanë prekur ‘fatin’ e personave të emërtuar publikisht, dhe nga ana tjetër, kanë hedhur hije dyshimi mbi proçesin në origjinë të formulimit të tyre. Kjo e ka dobësuar perceptimin publik të strategjisë amerikane anti-korrupsion. Një gjykatë italiane e ka rrëzuar dosjen e Adriatik Llallës duke i dhënë atij statusin e azilantatit në një vend europian. Në Durrës, Lezhë e Shkodër, pushtetarë socialistë kanë bashkëpunuar në mënyrë aktive gjatë zgjedhjeve të vitit 2021 e 2023 me individë të emërtuar ‘non-grata’. Më 14 maj, 600,000 qytetarë kanë votuar kandidatët e një grupimi opozitar të goditur si ‘anti-amerikan’ nga po të njëjtit pushtetarë. Sulm që në gjenezë ka gjithashtu një emërtim publik ‘non-grata’. Shëmbulli shqiptar, një ndër shtetet më pro-perëndimore në rajon, dëshmon se strategjia amerikane anti-korrupsion ka një problem. Një problem lokal në fakt, që quhet Edi Rama.

4. Pas etiketimit publik të liderit të opozitës Berisha, opinioni u njoh me një kërkesë të përsëritur : dosja duhet të publikohet. Ishte përshkallëzimi anglez që e mundësoi këtë gjë. Supozohet se faktet janë të njëjtat për të dy dosjet. Berisha shpalosi një raport 26 faqesh me kundër-argumentat e tij. Një avokati mbrojtëse unike e cila e ndërroi terësisht narrativën publike, aq sa në mjediset politike të Tiranës u përfol se vendimi anglez mund të tërhiqej. Shpërthimi i skandalit McGonigal i shtoi dhe më tej hijet e dyshimit. Edi Rama ka takuar në mënyrë të fshehtë personin kyç në hartimin e dosjeve amerikane. Një këshilltar i tij, ka organizuar udhëtime dhe përcjellur materiale jashtë protokollit zyrtar shqiptar. Në Shqipëri paska patur një ‘treg të zi’ të trafikimit të statusit ‘non-grata’. Strategjia anti-kleptokraci amerikane paska rënë pre e vetë korrupsionit që kërkonte të luftonte. Pushtetarët në Tiranë duhej të formulonin një akuzë konkrete për të evituar diskreditimin e saj.

5. Dosja Partizani duket si një montazh juridik bërë nxitimthi për të justifikuar brënda një kornizimi gjyqësor, se lideri i opozitës shqiptare ishte i përfshirë në korrupsion. Një post-iniciativë lokale, për të mbrojtur një pre-etiketim ndërkombëtar. Berisha, si në rastin anglez, shpalos kundër-argumentat e tij. Publiku mëson se për të njëjtin territor, ekzistojnë katër vendime të Kryeministrit Rama në favor të një individi të vetëm, dhe një vendim i Kryeministrit Berisha në favor të 1 milion qytetarëve. I pari amnistohet, i dyti hetohet. Në tentative e sipër për të mbuluar skandalin, del se gjyqtarja e vetuar ka gënjyer misionin ndërkombëtar mbi shkarkimin e saj nga personi që duhet të gjykojë. Avokatët e caktuar nga shteti kërkojnë ‘vdekjen’ e klientit që presupozohet të mbrojnë. Drejtësia e re nuk ja del dot të garantojë se non-gratat shqiptare nuk janë të trafikuara nga McGonigal. Dikush po abuzon si me strategjinë anti-korrupsion amerikane, ashtu dhe me reformën në drejtësi shqiptare e cila u ka kushtuar taksapaguesëve amerikanë dhe europianë qindra milionë dollarë. Tanimë duket sikur gjithçka është pjesë e një sulmi politik kundra opozitës.

6. Prej ardhjes në pushtet në vitin 2013, Edi Rama ka abuzuar si askush më parë me mbështetjen amerikane në rajon. Me qëllim marrjen e kredove personale nëpërmjet angazhimeve jo transparente, ai çoi drejt dështimit marrëveshjen e armëve kimike. Me qëllim justifikimin e politikës së kanabizimit të vendit, ai futi në delegacionin zyrtar shqiptar në Shtëpinë e Bardhë një ministër që do të dënohej vetëm pak kohë më pas. Për shkak të të njëjtës mungesë transparance, vendimarrjet e tij ushqejnë teori komploti zëvendësimi popullatash nga Irani, Afganistani, e Afrika së fundmi. Duke i shërbyer një axhende jo-institucionale bashkëpunimi me Serbinë, e cila varionte nga heqja e kufinjve deri në zëvëndësimin e territoreve, ai në fakt rriti dyshimet mbi ekzistencën e një agende okulte për Kosovën. E njëjta situatë me emërtimin publik ‘non-grata’ të kundërshtarëve në Shqipëri. Sot, në opinionin publik është krijuar perceptimi se pluralizmi politik në Shqipëri po goditet “në emër të Amerikës” sepse pas çdo abuzimi e dështimi madhor, Rama fshihet nën petkun justifikues të një fotoje me partnerët amerikanë. Njësoj si Lulzim Basha dikur.

7. Lufta ndaj korrupsionit nuk mund të fitohet nëse ndërtohet mbi proçese jo profesionale, jo transparente e me hije të forta dyshimi korrupsioni. Kjo vlen si për emërtimet publike ndërkombëtare, ashtu dhe për gjykimet lokale. Qytetarët shqiptarë kërkojnë të njëjtin standart ligjor si në çdo shtet demokratik perëndimor. Shëmbujt janë aty. Ndërkohë që në SHBA drejtësia amerikane ndëshkon si shoqëruesin e parë “Bilal”, ashtu edhe shoqëruesin e dytë “McGonigal”, në Shqipëri, për inceneratorin që nuk ekziston, drejtësia nuk ka kurajo të citojë as në një rresht të vetëm Velinë apo Ramën. Njësoj si në dosjen Partizani. Kontrastimi në trajtimin e diferencuar mes pushtetarëve dhe opozitarëve në Shqipëri ka ç’vlerësuar ndjeshëm politikën e etiketimit publik nga SHBA-të të një individi si ‘non-grata’. Një konfuzion që i ka mundësuar Edi Ramës të ndërtojë një perandori korrupsioni si kurrë ndonjëherë, dhe që cënon integritetin e mekanizmave të drejtësisë në Shqipëri, aq dhe strategjitë amerikane të luftës kundra korrupsionit trans-nacional. Mbase dhe Edi Rama është shpallur ‘non-grata’ por ende jo publikisht, siç ishte dhe objektivi i reformës së vitit 2015 cituar në hyrje të këtij shkrimi. Dhe mundet, pasi rikujtojmë faktikisht se etiketimi publik sipas seksionit 7031c ndalon hyrjen në SHBA të çdokujt, përveçse rasteve kur merr pjesë në një takim të OKB-së. Kjo mund të vlejë për Kryeministrin aktual, por dhe për ata që mund të vinë nesër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here