Cilat janë produktet që familjet shqiptare i blejnë më shtrenjtë se ato europiane?

0
133

Ndonëse kanë të ardhurat më të ulëta në Europë, ka shumë produkte që familjet shqiptare detyrohen që t’i blejnë më shtrenjtë sesa në vende të tjera europiane.

Eurostat publikon indeksin e çmimeve të konsumit, me referencë mesataren e Bashkimit Europian (BE=100) për produktet kryesore të shportës për vendet e BE-së dhe Ballkanit perëndimor (të dhënat për Kosovën mungojnë). Të dhënat e fundit të përditësuara i përkasin vitit 2022.

Pijet alkoolike janë produkti që shqiptarët e blejnë më shtrenjtë se Europa, me 25% më shumë se mesatarja europiane. Alkooli më i shtrenjtë në Europë është në Irlandë, me 60% më shumë se mesatarja Europiane dhe më i liri në Maqedoninë e Veriut dhe Turqi, 33.7% përkatësisht sa 26.4% e mesatares europiane.

Pajisjet elektroshtëpiake janë gjithashtu të shtrenjta, teksa kushtojnë 22% më shumë sesa mesatarja europiane, e katërta në Europë, pas Islandës (131%), Maltës (128%). Norvegjisë (124.6%). Më të lirat në Europë, pajisjet elektroshtëpiake i gjen në Poloni (85% e mesatares europiane).

Shqipëria është një vend bujqësor, por qumështin dhe djathin nuk i ka më aq të lira. Rënia e numrit të krerëve, rritja e kostove dhe problemet me ekonominë e shkallës, për shkak të fermave të vogla kanë bërë që familjet shqiptare ti blejnë këto produkte 11.8% më shtrenjtë sesa mesatarja europiane, duke u renditur e 14. Më të shtrenjtat këto produkte janë në Islandë (1675) dhe më të lirat në  Poloni (74.6%).

Krahas qumështit dhe vajrat e yndyrnat janë më të shtrenjta se mesatarja europiane (106.8%).

Për të blerë një palë këpucë, që në Europë kushtojnë mesatarisht 100 euro, në Shqipëri duhen 105.5 euro.  Këpucët më të shtrenjta janë në Zvicër (120.8%) dhe më të lirat në Turqi (36.3% e mesatares europiane).

Çmimet janë të shtrenjta, por të ardhurat mbeten të ulëta. Të dhënat e fundit të përditësuara të Eurostat (ky është përditësimi i dytë) tregojnë se vendi vijoi që të ishte i fundit në Europë, si për të ardhurat për frymë në raport me madhësinë e ekonomisë, ashtu dhe për të ardhurat në raport me fuqinë blerëse, me këtë të fundit që është një tregues i mirëqenies materiale të familjeve.

Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishin sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian, e fundit në Europë (të dhënat për Kosovën nuk raportohen). Edhe treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat të ardhurat sipas fuqisë blerëse, apo mirëqenien e një familjeje e vendos Shqipërinë në fund, së bashku më Bosnjë Hercegovinën, me 41% të mesatares europiane./ Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here