Nga Agim Xhafka
Që kur u dha dënimi për Sali Berishën, të ngujohet në shtëpi me vendim gjykate, më erdhi në asociacion me të Kadri Roshi. Njësoj dhe ai, nga talenti i madh që shfaqi, pati mes aktorëve të Teatrit Kombëtar plot ziliqarë dhe njerëz të mllefosur kundër tij. Ata nuk e donin ta kishin në skenë, ndaj nisën metodat klasike të atyre viteve. Me letra anonime mbushur me shpifje, me denoncime mbi fakte të paqena, dhe në ndonjë rast për fat të keq ia dolën. Në ca pjesë, artisti i madh nuk mori asnjë rol, u mënjanua. Por në ca çaste, se më pas nga që artdashësit e kërkuan dhe u pa që ai institucion po humbte vlera prej mungesës së këtij artisti, u çel rruga. U lejua që Kadriu të demonstronte potencën artistike. E sot ai na flet me emocion nga filmat që i shohim mes ekranit.
Njësoj po e ndjek fatin e tij dhe Berisha. Pallavra janë faktet gjoja korruptive, mysybete janë shpjegimet e shtetit. Thelbi është; sot për sot ky personalitet ia çjerr bëmat regjimit e fjala e tij mobilizon shqiptarët të shporrin të keqen. Dhe në vend që qeveria të konkurrojë opozitën për të mirën e Shqipërisë i ve stërkëmbësha. Me sajime ose saldime me pështymë që nuk ngjitin fare në perceptimin popullor. Kaq frikë ndaj Berishës sa e ngujuan në apartamentin e tij, ndaluan takimet me bashkëpunëtorët dhe duan ta largojnë nga votuesit. Kështu ndodh kur mediokrit duan të mbajnë ngjitur vithet te karriget. Nuk afrojnë alternativa, shpresë, vlera, por gjejnë zgjidhjen e shkurtër, atë më të dëmshmen. Rehatojnë garat ku do marrin pjesë, pra duan të luajnë futboll vetëm me një portë.
Sot për sot Rama ndjehet i parrezikuar, por harron që kënga shqiptare ka vargjet:
Në ato maja rripa-rripa,
Një herë ma hipe e një herë ta hipa.
Kështu e luftuan Kadri Roshin e sot ai duartrokitet përherë. Ndërsa kundërshtarët e tij u harruan. Atyre u humbi edhe emri, edhe vula…