Genc Gjokutaj, avokati i kryedemokratit Sali Berisha, tha se ndalimi i tij për të komunikuar me persona të tjerë përveç anëtarëve të familjes, është cenim i të drejtave dhe lirisë themelore të individit.
Në një lidhje direkte për Syri TV, Gjokutaj u shpreh se Berisha në asnjë moment as nuk ka penguar hetimet dhe as nuk ka tentuar të intimidojë dëshmitarët.
Sipas tij, ndërprerja e komunikimit të liderit të opozitës në kushtet kur u përshkallëzuan qëndrimet në Kuvend, tregon qartë se është një axhendë politike dhe një proces farsë që po zbatohet ndaj kryedemokratit.
“Së pari, z. Berisha është lideri i opozitës shqiptare, është deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe komunikimin e tij nuk mund ta ndalojë askush, madje as gjykata.
Le të shpjegojmë diçka. Këtu z. Berisha nuk del as të prishë provat, nuk del as të intimidojë dikë, dëshmitar apo ekspert. Z. Berisha është lider i opozitës, deputet i Kuvendit dhe për shkak të këtij pozicioni, pjesa politike e tij nuk i nënshtrohet vendimit të gjykatës. Statusi penal, gjykata mund të vendosë të mos komunikojë me dëshmitarë , është krejt e rregullt kjo, me ekspertë, pra me njerëz që kanë të bëjnë me ecurinë e procesit , me provat, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë dhe këtu qëndron dhe absurdi i ndryshimit të masës së sigurisë, sepse në dy muaj e ca, SPAK nuk ka ngritur…
Z. Berisha ka qenë me detyrim paraqitje dhe ndalim daljeje jashtë shtetit; ai ka qenë përditë prezent në media dhe askush nga SPAK-u nuk ka pretenduar të thotë që z. Berisha ka dëmtuar prova apo ka intimiduar dëshmitarët. Pra, në fund të fundit, të ketë cenuar mbarëvajtjen e procesit për të cilin bëhet fjalë dhe çuditërisht, pa rezultuar as dhe një provë e re, shkohet me një masë shtrënguese, e cila nuk ka sens dhe nuk ka kuptim, pasi z. Berisha ka qenë prezent.
Cenimi i të drejtave dhe lirive themelore , i komunikimit, ka një “background” të pastër politik dhe kjo është një shenjë që vërteton faktin se pikërisht ndërprerja e komunikimit të liderit të opozitës, në kushtet kur opozita po përshkallëzonte qëndrimet në Kuvend dhe më të tej merret një masë e tillë, kjo masë nuk ka të bëjë me procesin penal, por kjo masë ka të bëjë me axhendën politike të ideatorëve dhe zbatuesve të këtij procesi farsë”, u shpreh Gjokutaj.