Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha edhe mbrëmjen e sotme mbajti një fjalim nga dritarja e banesës së tij, duke përshëndetuar qytetarët dhe mbështetësit që ndodheshin në rrugicën poshtë pallatit të tij.
Berisha tha se, faji i Sali Berishës është se ndërhyri për të shpëtuar opozitën e Shqipërisë kur ajo u kap peng nga Edi Rama.
Me flamurin e PD të varur në dritare, Kryetari i PD, Sali Berisha tha gjatë fjalës së tij se, kjo nuk quhet më Rruga e Salës siç të rinjtë e quanin më parë, por Rruga e Shpresës. Berisha iu drejtua mijëra qytetarëve që ndodheshin në rrugicën e Doktorit që të vendosin kudo flamurin e PD si simbol të shpresës dhe të lirisë.
Berisha tha se, kjo lëvizje në këtë dimër do të shkrijë të gjithë akujt dhe do ecë e sigurt në fitoren e Partisë Demokratike.
Pse kjo luftë kundër demokratëve? Një përgjigje do merrni kudo: fajin e ka Saliu. Por përgjigjen e vërtetë e di çdo shqiptar. Faji i Sali Berishës është se ndërhyri për të shpëtuar opozitën e Shqipërisë kur ajo u kap peng nga Edi Rama.
Faji i Sali Berishës është se ndërhyri kur të tjerët donin t’i caktonin asaj kryetarin dhe u tha jo, kreu i PD do përcaktohet përjetë vetëm nga shqiptarët, nga demokratët.
Faji i Saliut ishte se denoncoi çdo ditë aferat e shekullit, inceneratorët, sterilizatorët, vjedhjet në Portin e Durrësit, lidhjet e tmerrshme të Edi Ramës dhe qeveritarët me bandat, me trafikantët e drogës.
Fajin e ka Saliu do u thonë, sepse u përball dhe nuk u mposht dhe nuk do mposhtet kurrë nga armiku i njerëzimit, Xhorxh Soros, arkitekti i shkatërrimit të Shqipërisë për vjedhjen e pasurive të kombit tonë dhe të shpopullimit të Shqipërisë.
Të rinjtë e quanin këtë Rruga e Salës. Vinin këtu e shijonin kafe dhe shërbime shumë të mira nga bizneset këtu përreth. Por ka disa ditë që kjo nuk quhet më Rruga e Salës, por rruga e Shpresës për çdo shqiptar. E shpresës sepse çdo shqiptar sheh te ne që qëndrojmë, që luftojmë, e kupton se ne jemi shpresa e vetme për ta.
Çdo shqiptar e kupton sot se është i tradhtuar. Qeveria ka tradhtuar shqiptarët. Për pushtetin e tij absolut, Edi Rama iu shkatërroi pluralizmin, iu shkatërroi demokracinë. Drejtësia ka tradhtuar shqiptarët, ajo amniston Edi Ramën, Erion Veliajn që me firmat e tyre kanë vjedhur qindra e qindra milionë euro dhe në vend të tyre burgos padrejtësisht, paturpësisht liderin e opozitës. Ky është një turp i madh.