Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, në zbatim të masës së sigurisë ‘detyrim për paraqitje’, ka shkuar pasditen e së premtes në SPAK.
Pas daljes, ai është shprehur se ka kërkuar që t’i kthehet laptopi. Po ashtu, ai thekson se ka katër javë që ka kërkuar veç të tjerash të gjithë raportet e KLSH, ‘mbi të cilat është ndërtuar pretendimi i shkeljeve të ndryshme dhe ende nuk më janë vënë në dispozicion’.
“Nuk e kam apeluar kontrollin e banesës, apo të sendeve që më janë marrë.
Kam kërkuar që të nesërmen, që të paktën laptopin ku kam të gjithë materialet e sterilizimit të ma japin sa më shpejt me qëllim që të vijoj komunikimin me SPAK për çështjen e sterilizimit.
Siç jam i hapur për të zbatuar gjithçka që kërkon drejtësia, por siç kërkoj edhe nga drejtësia që minimalisht të jetë korrekte me mua. Kam katër javë që kemi kërkuar veç të tjerash të gjithë raportet e KLSH, mbi të cilat është ndërtuar pretendimi i shkeljeve të ndryshme dhe ende nuk më janë vënë në dispozicion.”