Bullizimi në Tik Tok/ Nëna e 4 fëmijëve kërkoi ndihmë në polici, Balla lan gojën me deklaratën e tij

Vetëvrasja e Bedrie Lokës, nënë e 4 fëmijëve që denigrohej nga profile false në Tik Tok është historia e radhës e një fatkeqësie që ndodh prej indiferencës së organeve shtetërore ndaj kërkesës për ndihmë të qytetarëve të thjeshtë. Gruaja, nga fshati Vadardhë e Sukthit kaloi në tronditje të fortë psiqike që e çoi në vetëvrasje, pasi fillimisht kishte shpresuar se do ta ndihmonin në polici.

Por edhe pse i ishte drejtuar organeve të rendit për ndihmë, videot e krijuara me fotot e saj në Tik Tok, të shoqëruara me mesazhe denigruese kanë mbetur në rrjetet sociale duke çuar në përkeqësimin e raporteve brenda familjes. Këto ditë, bashkëshorti i saj sapo ishte kthyer nga emigrimi për të kaluar festat e fundvitit në familje.

Mendohet se viktima nuk e ka përballuar dot presionin psikologjik nga materialet e shpërndara në rrjetet sociale, ndaj më 2 janar, ditën kur kishte ditëlindjen njëra nga vajzat e viktimës, ka pirë fotoksinë duke i dhënë fund jetës.

Nga rrëfimet e familjarëve mësohet se ndër fjalët e fundit që i kishte thënë të birit ishte edhe shprehja “Unë për nder rroj…”. Dyshimet se kush i përgatiste filmimet denigruese në Tik Tok janë përqëndruar tek punëtoret e tjera në fabrikën ku punonte Bedrie Loka, me të cilat ajo kishte pasur një konflikt. Hetimet janë përshpejtuar pas vetëvrasjes, por tashmë është vonë.

Policia dhe prokuroria duhet të kishte vepruar më herët për të shmangur fatkeqësinë, por në një njoftim për mediat, policia e Durrësit ka nisur lojën e ping-pongut me prokurorinë.

Sqarojmë se në dhjetor të vitit 2022, shtetasja B. L. ka bërë kallëzim se në rrjetet sociale ishte hapur një adresë false me emrin e saj. Për kallzimin e bërë ne dhjetor 2022, Policia ka kryer të gjitha veprimet dhe i ka referuar materialet në Prokurori dhe çështja është në hetim në Prokurori. Pas këtij kallëzimi nuk ka patur asnjë kallëzim apo shqetësim nga shtetasja B. L, për këtë rast” thuhet në një njoftimin e policisë që ka për qëllim heqjen e përgjegjësisë.

Si për t’i vënë kapak ngjarjes vjen edhe qëndrimi prej shejtan-budallai nga Taulant Balla. Ministri i Brendshëm që sapo ka dalë nga skeçet e Portokallisë bën një reagim qesharak në përpjekje për ta kaluar historinë e vetëvrasjes si një ngjarje që shkaktohet nga rrjetet sociale.

“Ka tani elementë të rinj të mediave dhe unë të paktën në këtë aspekt jam shumë i qartë për rolin shkatërrues të TikTokut, si shpërndarës i pa kontrolluar i dhunës dhe i dëmit që i krijon shoqërisë” është shprehur ai.

Në fakt, mungesa e kontrollit në rrjetet sociale është një problem, por indiferenca e policisë ndaj qytetarëve të thjeshtë që kërkojnë ndihmë për një padrejtësi është një problem tjetër. Dhe ky është rasti i Bedrie Lokës nga Sukthi që  sot nuk jeton më./Lapsi.al

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *