Një vendim mjaft kontravers duket se ka marrë formë. Në mbledhjen e fundit të vitit, Qeveria ka marrë vendimin për të kaluar nën administrim të Pallatit Mbretëror, i njohur edhe si Pallati i Brigadave, nën administrimin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, për të vijuar me planin për ta dhënë me koncension.
Sipas një plani të miratuar më herët nga ministria e Kulturës propozohet që kjo perlë historike të kalojë nën manaxhim komerçial tek një kompani private, me kushtin e vetëm që ajo të investojë për restaurimin e tij. Sipas kontratës parashikohet se partneriteti me kompaninë private të zgjasë 20 vite. Por sipas ligjit “Për trashëgimin kulturore dhe Muzetë” kontrata e rijetëzimi lidhet për një kohëzgjatje deri në 20 vjet, ka të drejtë rinovimi edhe për 20 vite të tjera, pra 40 vjet.
Vendimi i Këshillit të Ministrave, Nr. 789, datë 28.12.2023
Ndonëse qeveria merr disa modele të huaja, sërish dhënia e kësaj pasurie historike me koncension ka shkaktuar debat të fortë. Shumë prej studiuesve dhe opozita e kanë kundështar duke e cilësuar si një marrëveshje klienteliste përfitimi, dhe jo si mundësi për shpëtimin e këtij ndërtimit unik arkitektonik.
Garancia e vetme që jep plani i qeverisë është ngritja e një bordi monitorimi, ku specifikohet se “një konsideratë duhet pasur për mbikëqyrjen e aktiviteteve nga një bord profesionistësh të fushës, që kontrollojnë dhe garantojnë që të ruhen vlerat e monumentit”. Ky bord do të ketë në përbërjen e tij specialistë të menaxhimit, jurist, botanistë, historian dhe restauratorë të arkitekturës dhe do të shërbejë si një këshillues për menaxhimin.
Por asnjë kompani e njohur në këtë fushë nuk ka shprehur interes për të marrë nën manaxhim dhe të investojë në Pallatin Mbretëror duke ngritur dyshime të forta se nga pas mund të jetë ndonjë interes lokal. Plani i qeverisë do lejojë edhe ndërtimin e kafeneve, përdorim hotelerie e shumë shërbime të tjera për privatin.
Komercializimi i objekteve historike ka ngritur një debat të fortë prej vitesh në Shqipëri, në veçanti kur disa prej kalave u dhanë nën përdorim tek privat. Kthimi i tyre në bare dhe restorante nuk u mirëprit pasi humbën vlerën e tyre historike.
Pallati i Brigadave është një sit i jashtëzakonshëm i trashëgimisë kulturore në qytetin e Tiranës, fryt i arkitekturës së mrekullueshme të viteve 1930-40. Ai është një nga trashëgimitë më të rëndësishme të modernizmit të Shtetit Shqiptar dhe periudhës së Monarkisë Shqiptare.
Që në Planin e Parë të zgjerimit të Tiranës në vitet 1925-1927, të hartuar nga arkitekti italian Armando Brasini, kur Zogu ishte president, hidhet ideja e vendosjes së një Pallati Presidencial në fund të Bulevardit të Ri, i cili do të mbushte ballinën fundore të këtij Bulevardi, pra aty ku sot ndodhet Universiteti Politeknik i Tiranës.
Kompleksi mbretëror përbehej nga 3 ndërtesa: Pallati Mbretëror, Vila e Princeshave dhe Vila Mbretërore. Kompleksi Mbretëror në volumetri dhe ne gjuhë arkitektonike ndryshonte nga ai i paraqitur më parë nga Brasini, nga i cili u mbajt vetëm ideja e pozicionit të këtij kompleksi. Gjuha arkitektonike e përdorur ishte e ngjashme me atë të ministrive ne sheshin “Skënderbej”, pra një gjuhë neoklasike eklektike. Varanti i fundit i paraqitur prej tij mban vitin 1936.
Për shkak të financave të mëdha që kërkonte ky kompleks, Ahmet Zogu vendosi të ndërtojë fillimisht Vilën Mbretërore, pra atë që ne trashëgojmë. Zogu e sposton kompleksin mbretëror në fillim të vitit 1937 në majën e kodrës së Mulletit, me 1.2 km ne vijë ajrore në krahun lindor nga pozicioni ku Florestano Di Fausto e pat pozicionuar. Këtë herë Zogu ja beson projektin e tij Giulio Berte, një tjetër arkitekt Italian prezent në Shqipëri, i cili në atë moment ishte eksponenti teknik më i lartë në Shqipëri në fushën e ndërtimit.
Giulio Berte ishte arkitekti i famshëm futurist Italian që projektoi Pallatin Mbretëror shqiptar, i njëjti që projekti edhe ish Teatrin Kombëtar, që u shkatërrua nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës.