Rreth një muaj pas arrestimit të tij në Turqi, Dritan Rexhepi, kreu i kartelit të drogës “Kompania Bello”, ka humbur një betejë gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese në Tiranë.
Rexhepi kërkoi shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë të 27 nëntor 2020, që kishte lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg dhënë ndaj tij nga Gjykata për Krimet e Rënda për akuzën e “vrasjes me paramendim”.
Rexhepi konsiderohej si një ndër narkotrafikantët më të fuqishëm dhe akuzohet se transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë. Ai dyshohet të ketë qenë vrasësi i parë me pagesë në vendin tonë dhe është dënuar me 25 vite burgim në mungesë për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998.
Rexhepi u arratis në vitin 2007 nga policia e Durrësit pasi këta të fundit e morën për t’i bërë një foto e për ta shpërndarë në media. Ndërkohë një vit më pas kapo i bandës së drogës mbahet mend për një arratisje spektakolare nga burgu i Pavias në Itali.