Gabriel Attal, 34 vjeçari që shërbeu si ministri i arsimit në Francë, është emëruar kryeministër i ri i vendit, një emërim historik nga Presidenti Emmanuel Macron, ndërsa kërkon të rifitojë popullaritetin e rënë të qeverisë së tij.Attal do të jetë kryeministri më i ri në historinë e Francës dhe i pari kryeministër i deklaruar hapur si homoseksual, duke e bërë atë një prej politikanëve më të shquar dhe të fuqishëm LGBT+ në botë.
Attal, një yll në Partinë e Rilindjes së Macron, ka shërbyer si ministër i arsimit dhe rinisë kombëtare që nga korriku. Gjatë mandatit të tij, ai ka miratuar një ndalim kontrovers për veshjen e abajes në shkollat publike franceze dhe ka punuar për sensibilizimin e opinionit në lidhje me dhunën në shkolla.
“Unë e di që mund të mbështetem në energjinë dhe përkushtimin tuaj,” tha Macron në një postim në X, pas njoftimit.
Para se të udhëhiqte ministrinë e arsimit, Attal shërbeu si zëdhënës i qeverisë dhe më pas si ministër i punëve publike dhe llogarisë publike.
Si kryeministër, do të ngarkohet me formimin e një qeverie të re dhe sigurimin e miratimit të ligjeve që përparojnë agjendën e Presidentit.
Ai zëvendëson Elisabeth Borne, e cila dha dorëheqjen nga detyra e saj të hënën, pas një periudhe të turbullt 20-mujore, e shënuar nga reforma të pakëndshme në pension dhe protestat e verës së kaluar, pas vrasjes nga policia të një adoleshenti me prejardhje algjeriane.
Në ceremoninë e marrjes së detyrës, Attal tha: “Mund ta lexoja dhe dëgjoja: Presidenti më i ri i Republikës në histori, emëron kryeministrin më të ri në histori. Dua ta shoh vetëm si simbol të guximit dhe lëvizjes. Është gjithashtu, dhe ndoshta mbi të gjitha, një simbol i besimit te të rinjtë.”