Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nga Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, Policia e Kosovës është duke kryer bastisje në Prizren.
“Bastisjet po bëhen ndaj tre ose katër zyrtarëve të ATK-së, të cilët dyshohen për kryerje të veprave penale: Shmangie e tatimit, mashtrim në detyrë e të tjera”, bëhet e ditur ekskluzivisht për RTK-në nga burimet brenda Policisë së Kosovës.
Ndërsa, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka theksuar se Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës janë duke zhvilluar aksion në disa vende në Kosovë, nën dyshimin për kryerje të disa veprave penale.
Ajo ka bërë të ditur se aksioni ka nisur nga mëngjesi dhe po heton dyshimet për kryerjen e veprave penale “Mashtrim në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi” nga persona zyrtarë e qytetarë.
“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, njofton se nën udhëheqjen e kësaj prokurorie, më konkretisht nga Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim të plotë me Policinë dhe pas aprovimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, është duke u zhvilluar një aksion që nga mëngjesi, përfshirë disa lokacione në nivel në Kosovës, mbi dyshimin e kryerjes së veprave penale nga persona zyrtarë e qytetarë, më konkretisht dyshim mbi kryerjen e veprave penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi”. Prokuroria Themelore në Prishtinë do t’iu njoftojë me kohë për zhvillimet nga ky aksion, pasi të mbarojë i tëri”, ka theksuar Ulaj.