Klodian Tomorri
Shumë nga ata që ndjekin zhvillimet politike mbeten jo pak të çuditur një ditë më parë, kur Edi Rama njoftoi krijimin e një ministrie të re, e cila bashkon ekonominë, kulturën dhe inovacion në një dikaster të vetëm.
Përtej rrokadës së emrave, largimit të Margaritit dhe afrimit të Blendi Gonxhes në kabinetin qeveritar, habia më e madhe e opinionit qëndron në faktin se çfarë i lidh bashkë ekonominë me kulturën dhe cila është logjika e bashkimit të tyre në një institucion të vetëm.
Kjo nuk është një habi e panatyrshme. Bëhet fjalë për dy sektorë, të cilët në aspektin e politikave dhe administrimit janë aq të largët me njëri tjetrin. Ndaj në historinë e qeverisjes së Shqipërisë moderne, asnjëherë më parë, kultura nuk ka qenë satelit institucional i ekonomisë apo anasjelltas.
Megjithatë strukturat organike të qeverisë nuk janë të ngurta. Në fund të fundit, kabinetet qeveritare formatohen në funksion të filozofisë dhe prioriteve qeverisese të klasës në pushtet. Dhe filozofia qeverisëse e maxhorancës aktuale ka krijuar një segment me interesa shumë të mëdha, ku ekonomia dhe kultura piqen me njëra tjetrën. Është administrimi i pronave në vendet historike apo monumentet e kulturës.
Prej disa kohësh në korridoret oligarkike dhe ato të maxhorancës qarkullojnë zëra për disa projekte të rëndësishme në zona të mbrojtura me statusin e monumenteve kulturore. Porto Palermo dhe Pallati i Brigadave janë dy prej tyre.
E para është një nga zonat më të lakmuara të Shqipërisë. Një xhevahir në gjerdanin e Rivierës shqiptare, që deri më tani i ka shpëtuar duarve të gjata të oligarkisë apo interesave private të pushtetit pikërisht për shkak të statusit të mbrojtur.
E njëjta gjë vlen edhe për Pallatin e Brigadave. Një kompleks i jashtëzakonshëm historik dhe kulturor, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej 37 hektarësh parku të pyllëzuar. Ky kompleks është një monument prioritar në trashëgiminë kombëtare të Shqipërisë. Por koncesionet çajnë bllokadën, ndërsa orekset financiare formatojnë qeveri.
Si për Porto Palermon ashtu dhe për Pallatin e Brigadave ka plane të përfshirjes së privatëve përmes koncesioneve. Për të parën, verën e kaluar ka patur dhe diskutime paraprake jo institucionale me një biznesmen nga përtej Atlantikut. Ndërsa për dytën, dy vjet më parë, Ministria e Kulturës financoi një draft strategji për menaxhimin afatgjatë.
Në dokumentin strategjik u rekomandua një sistem hibrid menaxhimi me përfshirjen e sektorit privat për të mundësuar financimin e mirëmbajtjes dhe zhvillimit të Pallatit të Brigadave, ndonëse në formën e Fondacionit jo fitimprurës. Me pak fjalë një sistem i ngjashëm administrimi si ai Butrintit.
Nëse këtyre u shtohet dhe fronti i madh i financimeve që pritet të hapet në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Inteligjencës Artificiale, është e qartë se këtu është krijuar një portofol me interesa gjigande financiare.
Mesa duket Gonxhe është personi i duhur për ta menaxhuar atë dhe për të shtyrë përpara “reformat”. Madje në këta rast fati rezervon edhe një shaka. Në shumë filma aksion të Hollivudit, ka skenarë ku anëtarët e bandave të vjetra, bëhen sërish bashkë grabitjen e fundit. Rama dhe Gonxhe e kanë nisur bashkë karrierën. Tani u bënë sërish bashkë. Këtë here jo për të mbytur Tiranën e Re.