Një gjyqtar i vetëm në Dhomën Penale të gjykatës së Tiranës ka firmosur 1 mijë vendime përgjatë vitit 2023, ndërsa kolegët e tyre të Dhomës civile kanë shqyrtuar deri në 2300 çështje
Ngarkesa në punë e gjyqtarëve, është problematika më e madhe që haset më së shumti në shumicën e gjykatave në vend, ndikuar kjo edhe nga largimi i togave të zeza për shkak të procesit të vettingut. Por pavarësisht stokut të madh të dosjeve, Gjykata e Tiranës thotë se ecuria e proceseve gjyqësore, ka qenë e kënaqshme.
“Ajo që më së shumti konstatohet, është fakti se ndonëse numri i gjyqtarëve aktualisht pjesë efektive e organikës së trupës gjyqësore pranë kësaj gjykate, është sa gjysma e kapacitetit të parashikuar me ligj (76 gjyqtarë në total), puna që përballohet prej këtij numri thuajse të përgjysmuar gjyqtarësh, është vetëm në rritje. Gjatë vitit 2023, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rezultojnë të jenë gjykuar/shqyrtuar 48.000 çështje gjyqësore”, njoftoi gjykata.
Duke u ndalur tek gjykata e shifrave, rezulton se ngarkesa mesatare e një gjyqtari në Dhomën Penale në datën 31 dhjetor 2023, është 250 – 300 dosje në gjykim, ndërsa ka firmosur 1 mijë vendime përgjatë 2023.
“Ngarkesa mesatare e një gjyqtari në Dhomën Civile, në datën 31.12.2023, është 500 – 1.000 dosje në gjykim. Një gjyqtar në dhomën civile rezulton të ketë përfunduar/shpallur, arsyetuar dhe dorëzuar mesatarisht 700 – 1.000 vendime përfundimtare, gjatë periudhës 1 janar – 31 Dhjetor 2023”, thuhet në dokument.
Pavarësisht nga hyrja në fuqi e hartës së re gjyqësore, ngarkesa e numrit të çështjeve që prsin për tu gjykuar në gjykatën e Tiranës, vijon të mbetet e lartë.
Programi i Transparencës
Në kuadër të “Programit të Transparencës”, Zyra e marrëdhënieve me publikun dhe Median në Gjykatën e Tiranës, bëri publike iniciativën e ndërmarrë që ka qëllim transparencë të plotë për proceset gjyqësore.
Sipas gjyqtares për Median, znj.Migena Laska, kjo iniciative ka për qëllim: “bashkë-rendimin dhe mirëfunksionimin e të gjithë punëve dhe veprimtarisë institucionale në kuadër të gjetjes së mekanizmave efikase që vendosin ura të reja bashkëpunimi dhe forcojnë dialogun midis sistemit gjyqësor, publikut dhe medias”. Gjatë një takimi me gazetarë që ndjekin çështjet gjyqësore, u diskutua, lidhur me çështje që kanë të bëjnë me Marrëdhëniet mes Gjykatës dhe Medias, mundësinë e përafrimit dhe lehtësimit të këtij komunikimi e po ashtu u evidentuan problematika të ndryshme të konstatuara.
Të pranishmit dhanë disa sugjerime, me qëllim gjetjen e mekanizmave në përmirësimin, bashkërendimin, dhe vijimin gjithnjë në progres të marrëdhënieve të Gjykatës me publikun në tërësi si dhe me median”.
Më tej, Gjyqtarja për Median, znj.Laskaj prezantoi për të pranishmit, ecurinë e veprimtarisë së Zyrës për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median, përgjatë vitit 2023, si dhe parashtroi vizionin, iniciativat e propozuara për mirëfunksionimin e zyrës së marrëdhënieve me median e publikun.
“Në disa takime, mbledhje pune, si dhe aktivitete zyrtare të organizuara dhe të iniciuara nga Zyra e Marrëdhënieve me Median e Publikun, është kërkuar dhe janë bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të krijuar me veprime konkrete mekanizma të cilat të bëjnë sa më konkrete dhe efektive transparencën dhe hapjen e veprimtarisë së gjykatës kundrejt publikut dhe medias”, thuhet në reagimin e gjykatës.
Konkretisht është kërkuar nga Këshilli i Gjykatës, që në momentin e kryerjes së njoftimeve procedurale të palëve në proces, t’u komunikohet njëkohësisht edhe kodi i anonimizimit të çështjes tek e cila janë palë në gjykim. Në mënyrë që të kenë të drejtën e aksesit dhe të marrjes së informacionit të nevojshëm drejtë për së drejti nëpërmjet të dhënave të publikuara në faqen zyrtare online të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, jo vetëm për datën dhe orën e seancave gjyqësore, por gjithashtu edhe për të gjithë ecurinë e gjykimit. Po ashtu është urdhëruar “nxjerrja si dhe vënia në dispozicion e informacioneve/ të dhënave/ vendimeve të ndryshme, të kryhet vetëm në formë dhe në rrugë zyrtare”. Kalendari i seancave gjyqësore do të publikohet online, me qëllim që palët të kenë akses. Programi i transparencës parashikon publikimin në një kohë sa më të shpejtë të vendimit të gjykatave, si ne momentin e shpalljes, po ashtu dhe vendimeve përfundimtare.