Të dashur miq, të dashur gjimnazistë, të dashur studentë, të dashur pedagogë dhe mësues.
Çdo ditë që kalon, ne pakësohemi. Ne çdo ditë, nënshtrimi na poshtëron gjithnjë e më shumë.
Sot, më shumë se gjysma e atyre që mbarojnë gjimnazet janë përjashtuar nga mesatarja për të hyrë në universitete.
Ata nuk kanë alternativë tjetër përveçse të largohen nga Shqipëria.
Sot, shkollat, gjimnazet, kanë bërë jo përpara, por kanë pësuar rënien më të madhe se në çdo vend tjetër të botës në 8 vitet e kësaj të keqe që quhet Edi Rama.
A nuk përbën për ju të dashur mësues dhe mësuese, të dashur gjimnazistë dhe gjimnazistë, një kambanë alarmi, rënia në pikiatë e cilësisë së arsimit tonë në 8 vite?
Studente dhe studentë, koha u thërret sot më shumë se kurrë, të ngriheni, të lini auditoret, të mbushni rruget dhe sheshet sepse universitetet tuaja po nuk u ngritët ju sot, pas 10 vitesh nuk do kenë më studentë.
Sepse pedagogët tuaj do largohen një nga një dhe vendin e tyre do e zënë trafikantët, kriminelët, militantët dhe injorantët.
Kurrë ndonjëherë, një rend, një sistem, një regjim nuk ka shkatërruar vendin dhe të ardhmen siç e shkatërroi Edi Rama në këto vite.
Ka ndry me çelësa regjistrimin e popullatës, sepse i del 1.5 milionë njerëz.
Miqtë e mi, demokracia në Shqipëria nuk ka qenë e lehtë, ndonjë traditë nuk trashëguam të madhe, por ama me përkushtim, me besim te ardhmja, me përgjegjësi, ia dolëm që të punojmë fort për një Shqipëri anëtare të NATO-s, për një Shqipëri në të cilën shqiptarët lëvizin të lirë, për një Shqipëri në të cilën rrogëtarët, punonjësit paguheshin më mirë se vendet e tjera të rajonit.
Për një Shqipëri, në të cilën vërtet shpenzoheshin 1 miliard, por ndërtohej Rruga e Kombit.
Për një Shqipëri që u bë epiqendër e çështjes kombëtare, u shpall pavarësia e Kosovës. Me një Shqipëri në të cilën popullata rritej nga viti në viti.
Të gjitha këto po i rikujtoj këtu, vetëm për të bindur të rinjtë se Shqipëria bëhet, se Shqipëria është toka e Zotit, se Shqipëria është një nga vendet me pasuritë më përrallore, se Shqipëria nuk pret asgjë tjetër vetëm ëndrrat tuaja për t’u ngritur aty ku e meriton.
Por çfarë ndodhi këto 8 vite? Si ka mundësi që 1.1 milion shqiptarë ikën nga Shqipëria? Si ka mundësi që zbritëm më të keqpaguarit në rajon? Si ka mundësi që shpenzohen 1 miliard dhe nuk ndërtohet asgjë?
Si ka mundësi që mbyllen portet shekullore për të ndërtuar parajsat e Edi Ramës dhe banditëve të tij? Si ka mundësi që mashtrohemi dhe mashtrohemi? Ëndrra evropiane është bërë horizont që nuk kapet.
Kujtoni pak për një moment, vetëm dy muaj më parë, kur ju tha shqiptarëve se në dhjetor do keni një lajm të madh.
Cili ishte lajmi? Lajmi ishte mbyllja, moshapja e negociatave për kapitujt, sepse Edi Rama shkelmon opozitën, shkelmon Kushtetutën. Sepse Edi Rama nuk njeh ligj, nuk njeh moral, nuk njeh Kushtetutë përveç ambicieve të pushtetit të tij.